20/04/2024
3.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Filtrimi në Prokurori, një prokuror i ka mbajtur lëndët “në sirtar”, vetë ka dhënë dorëheqje – nuk do të mbajë përgjegjësi penale

Filtrimi ka filluar edhe në Prokurori, me Rregulloren e re puna e prokurorëve do të vlerësohet në mënyrë individuale. Pas kontrolleve të prokurorive, një prokuror nga Prokuroria e Shkupit ka dhënë dorëheqje pasi që është konstatuar se në shumë lëndë, në periudhë të gjatë kohore nuk ka vepruar, megjithatë nuk do të mbajë përgjegjësi penale, raporton Portalb.mk.

Kryeprokurori Lubomir Joveski sot e mbajti takimin joformal tradicional të fundvitit me gazetarët, në të cilën foli për punën dhe çështjet e Prokurorisë, ndërkaq në fokus të interesit ishte pastrimi i Prokurorisë nga prokurorët që nuk e bëjnë punën e tyre siç duhet. Për dallim prej herëve tjerë, sot u mbajt online nëpërmjet platformës ZOOM.

“Disa herë kam deklaruar se e përkrah filtrimin. Prokuroria do ta përforcojë përgjegjësinë e prokurorëve të saj, në atë drejtim e kemi miratuar edhe Rregulloren e re me të cilën do të vlerësohen prokurorët. Me Rregulloren vetëm se përforcohen ato që i cakton ligji veçanërisht në pjesën e efikasitetin, profesionalitetit, por edhe shkathtësive organizuese të prokurorit. Në bazë të një raporti gjashtëmujor prokurori do të vlerësohet, në procedurë nga ana e procedura e prokurorëve të lartë Prokuroritë më të larta do ta vlerësojnë punën e çdo prokurori në mënyrë individuale. Do të ketë kritere kualitative dhe kuantitative. Ky është proces i gjatë. Nëse gjatë kontrollit, konstatohet veprim joprofesional ose jo i përgjegjshëm, do të merren masa përkatëse kundër të njëjtit”, deklaroi Joveski.

Prokurori Joveski tregoi për një prokuror i cili ka dhënë dorëheqje, pasi që ishte konstatuar se kishte ruajtur lëndë në sirtarë, gjegjësisht nuk ka vepruar për të njëjtat në periudhë të gjatë kohore, megjithatë i njëjti nuk do të mbajë përgjegjësi penale për mosveprimin e tij.


Lubomir Joveski
“Prokuroritë më të larta gjatë kontrollit të prokurorive kanë konstatuar lëndë për të cilat nuk është vepruar dhe nuk janë marrë vendime të caktuara. Në Prokurorinë e Shkupit ka një rast kur një prokuror në periudhë më të gjatë, në në shumë lëndë nuk ka ndërmarrë veprime dhe që të mos ekspozohet në përgjegjësi vetë është tërhequr nga funksioni i prokurorit. Prokuroria nuk ka konstatuar se ka përgjegjësi penale, por ka konstatuar është vepruar në mënyrë joprofesionale në lëndët nga ana e prokurorit konkret”, tha Joveski.

Sipas prokurorit, ata tani fokusin e kanë te puna individuale e prokurorëve dhe jo te puna e Prokurorisë si institucion dhe për këtë kanë hartuar edhe formular të ri me të cilin do të konstatohen veprimet e prokurorëve.

“Ka dallim mes veprimit të lëndëve gjyqësore dhe të prokurorisë. Deri më tani në prokurori ka ekzistuar rregulli që nëse një prokuror merr veprime të caktuara atëherë është vlerësuar se ajo lëndë si e mbaruar. Nga fillimi i këtij viti, ne kemi përgatitur formular të ri për punën e prokurorit me atë që kemi definuar se çfarë janë vendimet prokuroriale dhe me këtë kemi vendosur që do të vlerësohen si lëndë të mbaruara ato lëndë për të cilat është miratuar vendim prokurorial”, tha Joveski.

Joveski tregoi edhe për punën vjetore të Prokurorisë gjegjësisht, Prokuroria këtë vit ka vepruar kundër më shumë se 25.000 personave mbi 18-vjeç të cilët kanë kryer vepra penale. Vetëm gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme janë ngritur dhe janë mbaruar procedura për 3.500 persona për mosveprim sipas dispozitave shëndetësore.

Gjithashtu, këtë vit janë ngritur procedura disiplinore kundër 5 prokurorëve publik të cilët kanë kryer shkelje gjatë punës së tyre.

Këshilli për Reforma në Gjyqësor e konfirmoi metodologjinë për filtrim të gjyqësorit
Paralelisht me filtrimin në prokurori, është paralajmëruar edhe filtrimi në gjyqësor. Këshilli për Reforma në Gjyqësor dje e konfirmoi metodologjinë për filtrim të gjyqësorit.


Bojan Mariçiq
Paraprakisht ministri Mariçiq deklaroi se ideja e filtrimin dhe përforcimit të standardit për përgjegjësi, llogaridhënie, transparencë dhe etikë gjyqësor dhe prokurori, është që t’i shmangim situatat vjetërsimit të lëndëve për shkak të arsyeve subjektive, pra për shkak të ndonjë arsyes lidhet me ndikim ndaj gjykatësve ose prokurorëve.

“Qëllimi i këtij procesi është që të hiqet ai faktor i vjetërsimit të lëndëve nëpërmjet ndikimit, apo mosveprimit të gjykatësve dhe prokurorëve”, tha Mariçiq.

Ai porositi që të gjithë prokurorët ose gjyqësore që kanë vepruar në mënyrë të paligjshme, duhet që të filtrohen.

Reformat në gjyqësor gjithsesi janë ndër parimet kryesore të kryeministrit Zoran Zaev, duke e pasur parasysh se Maqedonia e Veriut duhet t’i fillojë bisedimet – a të njëjtat do të ndalohen menjëherë nëse gjyqësori vazhdon me praktikën e vjetër – jo-transparencë, jo-profesionalitet, anshmëri, pabarazi apo ndikim të pushtetarëve në vendimet e tyre. Gjatë periudhës së mandatit të kaluar, reformat në gjyqësor ndonëse u premtuan dhe vazhdimisht ishte në fjalimet e pushtetarëve se i njëjti do të reformohet, megjithatë përveç ligjeve të miratuara në letër – në terren ishte po e njëjta situatë, madje me një arsye më pak për t’i besuar resorit me më pak besueshmëri te qytetarët, pas skandalit/zhgënjimit me kryeprokuroren speciale, Katica Janeva.

“Vetingu” ishte një ndër zgjidhjet që vazhdimisht është folur e përfolur si një mjet i drejtpërdrejtë për ta ndaluar praktikën e jotransparencës apo mosndëshkimit të strukturave gjyqësore, pavarësisht rezultateve të dobëta dhe vendimeve skandaloze. Megjithatë, BE-ja një gjë të tillë nuk e preferonte për shkak të përvojës së hidhur në Shqipëri, ku u bllokuan institucionet. Por kjo nuk do të thotë që ata nuk kërkonin pastrim të gjyqësorit. Kërkesa e evropianëve ishte që autoritetet shtetërore të RMV-së ta pastrojnë gjyqësorin, por me mekanizmat ekzistues, gjë e cila u respektua dhe “vetingu” sipas modelit të Shqipërisë u hoq nga tavolina.

Për modelin e ri, profesoresha universitare, Besa Arifi, në një analizë të Portalb.mk, vlerësoi se i njëjti do të japë rezultatin e dëshiruar, por edhe nëse ky proces mbaron në mënyrën më të mirë të mundshme, vetë gjyqësori duhet ta kthejë besimin e qytetarëve.

Të fundit