25/04/2024
6.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Finlanda i anuloi fluturimet nga Shkupi deri më 29 gusht

Finlanda i anuloi fluturimet nga Maqedonia e Veriut deri më 29 gusht për shkak të rritjes së numrit të udhëtarëve të infektuar me Kovid-19 që vijnë nga vendi në periudhën e fundit.

Ministri finlandez i Transportit dhe Lidhjeve, Timo Haraka tha se vendimi është marrë nga Agjencia e Transportit dhe Lidhjeve Traficom, bazuar në një analizë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë.

Suspendimi i fluturimeve vjen dy ditë pasi 17 pasagjerë që mbërritën me fluturimin e Vizerit nga Shkupi për në Turku të martën rezultuan pozitivë në Kovid-19. Gjithsej 113 nga 127 pasagjerët në aeroplan u testuan dhe të gjithë janë vendosur në karantinë.

Gjithsej deri më tanë në katër fluturimet e fundit nga Shkupi në Turku janë regjistruar 60 raste të koronavirusit.

Në fluturimin e parë më 8 gusht, pas testimit vullnetar të të gjithë atyre që mbërritën nga Shkupi, 26 persona ishin pozitivë, në të dytin më 11 gusht, pesë dhe më 18 gusht, 12 të tjerë.

Shumica e pasagjerëve në katër fluturimet kanë pasur pasaporta të Kosovës dhe Finlandës. Megjithëse shtetasit e Maqedonisë nuk janë ndër pasagjerët e infektuar, autoritetet finlandeze e kanë klasifikuar Maqedoninë e Veriut si një vend me rrezikshmëri të lartë për shkak të numrit të madh të rasteve Kovid-19.

Përveç anulimit të përkohshëm të linjës ajrore Shkup-Turku e cila zhvillohet dy herë në javë, të martën dhe të shtunën, Finlanda vendosi gjithashtu kufizime në fluturimet nga Islanda, Greqia, Malta, Gjermania, Norvegjia dhe Danimarka. ls/fab

Të fundit