26/05/2022
23.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Forcat ruse 25 km larg Kievit, bombardojnë magazinat ushqimore

Forcat ushtarake të Rusisë kanë bërë një përparim të vogël në luftën e tyre drejt kryeqytetit ukrainas, Kiev. Mësohet se disa magazina ushqimore janë hedhur në erë nga bombardimet ruse, ndërsa rrugët e qytetit duken krejtësisht bosh.

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar thotë se “pjesa më e madhe” e forcave ruse janë 25 kilometra larg nga qendra e qytetit të Kievit.

Në njoftimin e saj, mësohet se kolona e madhe ushtarake ruse në veri të kryeqytetit është e shpërndarë dhe ka “gjasa t’i shkojë në ndimë një plani të mirëorganizuar për të rrethuar qytetin”.

“Mund të jetë edhe një strategji e saj për të shmangur goditjet e forcave ushtarake të Ukrainës, të cilat kanë fituar pozicion ndaj forcave ruse”, thotë Ministria e Mbrojtjes.

Sirenat e alarmit janë dëgjuar në disa qytete të Ukrainës në orët e parë të 12 marsit, bashkë me thirrjet që njerëzit të gjejnë streha të sigurta.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Ukraina “veçse ka arritur në një pikë kthese strategjike”.

“Është e pamundshme të themi edhe sa ditë na kanë mbetur për të çliruar tokën ukrainase. Mirëpo mund të themi se do ta bëjmë këtë gjë”, ka thënë Zelensky në një video-mesazh, teksa pushtimi rus ka hyrë në javën e tretë.

Në qytetetin jugor, Mariupol, sulmet e pandërprera kanë penguar ndihmat e vazhdueshme për të dërguar ushqim dhe ujë, si dhe për të evakuuar civilët e bllokuar.

Sipas zyrtarëve të qytetit, në 12 ditët e sulmit, në Mariupol kanë vdekur 1,500 njerëz.

Sipas kryetarit të qytetit, bombardimet kanë detyruar ekipet që të mos gërmojnë për varreza masive, ndaj “të vdekurit as nuk janë duke u varrosur”.

Një sulm vdekjeprurës në një spital materniteti në këtë qytet, gjatë kësaj jave, ka nxitur zemërim ndërkombëtar dhe sugjerime për krime të luftës.

Zyrtarët ukrainas kanë akuzuar Rusinë se ka dëmtuar një spital për trajtim të kancerit dhe disa ndërtesa të banimit në qytetin Mikollaiv.

Udhëheqësi i spitalit, Maksim Beznosenko, ka thënë se qindra pacientë kanë qenë në objekt kur kanë ndodhur sulmet, mirëpo asnjëri nuk ka vdekur.

Sulmet kanë dëmtuar ndërtesën dhe kanë thyer dritaret.

Forcat ruse kanë rritur sulmet në Mikollaiv, qytet rreth 470 kilometra në jug të Kievit, në tentim e sipër për ta rrethuar qytetin.

Konflikti ka nxitur mbi 2.5 milionë refugjatë që të largohen nga shteti.

Top Channel

Të fundit