24/04/2024
6.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Furnizimi me vaksina kundër COVID-19 në Maqedoni, përmes disa instrumenteve

Mjekët, përkatësisht personeli mjekësor, janë kategoria e parë e qytetarëve të cilët do ta marrin vaksinën kundër Kovid-19, në kohë kur ajo do të jetë e kapshme për institucionet shëndetësore. Qëndrim i Qeverisë është se pas tyre, në rend do të jenë të sëmurët kronikë, qytetarët e moshuar, të punësuarit në kopshte dhe të tjerët në listën prioritare.

Negociatat për furnizim të drejtpërdrejtë të vaksinës kundër Kovid-19, siç theksuan dje nga Qeveria, janë në rrjedhë. Ata theksuan se nuk i presin vetëm donacionet, por i shfrytëzojnë të gjitha instrumentet që me kohë të furnizohen me vaksina. Sipas paralajmërimeve, deri më tani janë siguruar vaksina për rreth 400.000 qytetarë, që është paraparë të arrijnë në muajt e parë të vitit 2021. Përveç angazhimit personal për furnizim të vaksinave kundër koronavirusit, Maqedonia e Veriut, mori premtim nga shtetet fqinje si Bullgaria dhe Greqia, të cilat janë pjesë e BE-së, se do t’i ndahen vaksina në lloj të donacionit. Por, nuk saktësohet se kur do të ndodhë kjo.

Gjatë periudhës së kaluar, sipas statistikave ditore të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) mund të shihet ulje e numrit të rasteve të reja. Por, edhe më tutje, numri i rasteve të reja dhe aktive më i madh është në Shkup.

Numrat e fundit të rasteve të reja dhe të shëruarve ishin pothuajse të barabartë, përkatësisht nga 2510 teste të bëra dje, pozitivë ishin 627 persona, përderisa në të njejtën kohë, si të shëruar u regjistruan 644 pacientë. Nga numri i rasteve të reja, 250 janë nga Shkupi, pas çka pasojnë Kumanova me 36, Prilepi-35, Kavadari-31, Velesi dhe Manastiri nga 25, Gostivari-24, Strumica-23, Tetova dhe Ohri nga 21, Koçani-20, … SI pasojë e Kovid-19, sipas MSH-së, dje vdiqën 14 persona.

aktin se në javën e fundit ka ulje të trendit të rasteve të reja me Kovid-19, dje e konfirmoi edhe drejtoresha e Klinikës për sëmundje infektive, Milena Stevanoviq, e cila theksoi se numrat e publikuar nga Instituti për shëndet publik përputhen me frekuencën ditore të kontrolleve ambulancore e cila për 20 deri 30 për qind është pakësuar nga java e kaluar.

Në kovid-qendrat në Shkup, sipas të dhënave të djeshme të Ministrisë së Shëndetësisë, janë të hospitalizuar 476 persona të dyshuar dhe të konfirmuar me Kovid-19.

Numri i përgjithshëm i rasteve të reja me Kovid-19 në vendin tonë prej fillimit të pandemisë është 79815, numri i të shëruarve është 56743, i të vdekurve 2354, ndërsa numri i rasteve aktive është 20718.

Të fundit