16/04/2024
14.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Futbollisti i njohur Agim Ibrahimi e mbrojti me sukses punimin e magjistraturës në Fakultetin e Kulturës Fizike në UT

Agim Ibrahimi, krahas shumë sukseseve në fushën e blertë, së fundi biografinë e tij e ka pasuruar edhe me një “trofe” tjetër, që ka të bëjë me arritjen e tij në lëmin e arsimit dhe shkencës. Ditë më parë, në Fakultetin e Kulturës Fizike, futbollisti profesionist nga Tetova, Agim Ibrahimi, e ka mbrojtur punimin e magjistraturës, me temë: “Marketingu i futbollit në klubet sportive”.
Komisioni përkatës, në përbërje: Prof. Dr. Vullnet Ameti – kryetar, Prof. Dr. Shpresa Memishi – anëtar dhe Prof. Dr. Metin Dalip – mentor, e ka vlerësuar lartë punimin e magjistraturës, përkatësisht kriteret që janë ndjekur dhe metodologjinë e punës kërkimore-shkencore.
Në këtë punim, Agim Ibrahimi e përshkruan në hollësi elementin e Marketingut Sportiv. Mes tjerash, ai konsideron se sporti llogaritet një sektor ekonomik dhe fryma e tij nuk është amatorizmi siç është perceptuar më parë.
Në vlerësimin e Komisionit të lartpërmendur, ky punim shkencor ofron risi në këtë lëmi, dhe të gjitha këto pasqyrohen në kapitujt në e tij:
-Në kapitullin e parë (hyrjen), autori e përshkruan elementin e Marketingut Sportiv. Mes tjerash, ai konsideron që sporti llogaritet si një sektor ekonomik dhe fryma e tij nuk është amatorizmi siç është perceptuar më parë.
-Në kapitullin e dytë, autori është marrë me Marketingun, gjegjësisht përkufizimin e tij të përgjithshëm – marketingu është tërësia e veprimtarisë së përcaktimit të kërkesës për produktet e një ndërmarrje, paralajmërimit, reagimit, përgatitjes së produkteve dhe shërbimeve në mënyrën më efektive, përmbushjes së kërkesës dhe realizimit të fitimit në këtë proces.
-Kapitulli i tretë – Marketingu i sportit, autori në këtë kapitull flet për konceptin e industrisë sportive. I analizon të gjithë elementet e tij, gjithmonë duke iu referuar mostrës së tij të studimit. Sjell shembuj nga jeta praktike e kësaj disipline.
-Kapitulli i katërt u dedikohet – Praktikave të marketingut sportiv në Turqi, duke theksuar se shërbimet sportive duhet t’u lihen organizatave joqeveritare vullnetare, federatave sportive të formuara në mënyrë të pavarur nga administrata qendrore. Klubeve sportive që i formojnë, si dhe personave fizikë dhe juridikë.
-Kapitulli i pestë i dedikohet – Metodologjisë së hulumtimit, metodave dhe instrumenteve. Modeli i hulumtimit është një model kërkimor i mbështetur në analiza përshkruese (deskriptive) dhe analitike. Kryesisht është realizuar analizë e fenomenit nga aspekti sociologjik, i kërkimit të tregut dhe strategjive të marketingut të klubeve sportive.
-Në kapitullin e gjashtë dhe të fundit, është përmbledhur i gjithë punimi, ku thuhet se marketingu sportiv është një fushë që fokusohet te sporti, një degë e industrisë së argëtimit, në të cilën miliarda njerëz janë të përfshirë duke iu ofruar produktet dhe shërbimet e veta konsumatorëve sportivë.
Mbrojtjen e punimit të magjistraturës komisioni e ka vlerësuar me notën maksimale dhe konstatoi se ky punim paraqet një kontribut thelbësor në zhvillimin e lëmit të kineziologjisë dhe afirmimin e shkencave sportive në përgjithësi./Tv Koha/

Të fundit