29/03/2024
9.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Gërkovska: Ligji për punë arkivore do të vihet në funksion të transformimit digjital

Ligji për veprimtari arkivore, si dhe krijimi i kushteve për përgatitjen e letërnjoftimit elektronik, si mjet bazë për digjitalizimin e proceseve dhe për aksesin në shërbimet digjitale, i cili është kyç për reduktimin e faktorit subjektiv, dhe me këtë edhe korrupsionit, aktualisht është në fokus, tha zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika për qeverisje të mirë, Sllavica Gërkovska, në intervistën e mbrëmshme në TV 21

“Në kushtet e zhvillimit të shpejtë teknologjik, ne duhet ta bëjmë shoqërinë më të shkathët ndaj ndryshimeve. Duhet të bëjmë një hap dhe të mos ndjekim mendësinë e vjetër. Këto procese kanë filluar dhe nuk ka kthim prapa”, theksoi Gërkovska, duke shtuar se transformimi digjital i shoqërisë nuk është proces politik, por shoqëror.

Lidhur me gjendjen në sistemin e drejtësisë, zëvendëskryeministrja Gërkovska vlerësoi se gjyqësori duhet të inkurajohet nga brenda, jo të solidarizohet, por të reagojë dhe të sanksionojë grupin e vogël të gjyqtarëve dhe prokurorëve që lënë gjurmë në të gjithë gjyqësorin.

“Duhet të ndërtojmë institucione në të cilat qytetarët do të kenë besim. Sistemi gjyqësor është shtylla e këtij procesi. Kemi kaq pak besim te sistemi i drejtësisë, qytetarët nuk janë të bindur që sistemi i drejtësisë sillet profesionalisht, i qaset çdo çështje njëlloj sipas ligjit dhe nuk merr vendime pavarësisht nëse dikush është politikan, biznesmen apo qytetar i thjeshtë”, tha Gërkovska.

Ajo theksoi se duhet reaguar gjithmonë ndaj dobësive të sistemit, dhe politikanët dhe drejtorët e kompanive publike duhet të japin shembull integriteti dhe përgjegjësie kur ka mospërputhje në sjellje dhe veprime, dhe shtoi se baza e një shoqërie demokratike janë parimet e sundimi i ligjit, si dhe parimet e qeverisjes së mirë.

Kujtojmë se më 25 maj, Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut prezantoi platformën “Shëndeti Im” – një aplikacion celular që do t’u lejojë të gjithë qytetarëve të kenë qasje të lehtë dhe pasqyrë për të dhënat personale shëndetësore.

Aplikacioni përfshin një qasje interaktive ndaj të dhënave shëndetësore të secilit përdorues dhe ofron një mundësi për të pasur një pasqyrë në analizat diagnostikuese, referimet për ekzaminime të specializuara, vaksinat dhe certifikatat e vaksinimit dhe shumë më tepër informacion në formën e një dosje shëndetësore personale. Në kuadër të kësaj zgjidhjeje digjitale do të sigurohet edhe informacion i detajuar për të gjitha shërbimet shëndetësore të ofruara. Qasja në aplikim do t’i jepet çdo të rrituri me mundësinë për të inspektuar dhe si prind/kujdestar të dhënat për të miturit për të cilët ai është përgjegjës.

Në këtë mënyrë, çdo qytetar do të ketë mundësinë të inspektojë drejtpërdrejt të dhënat që lidhen me shëndetin personal.

Të fundit