18/04/2024
5.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Gjermania, fuqia punëtore nga Ballkani

Në rrjedhë e sipër është shqyrtimi i vazhdimit të së ashtuquajtur “ rregull ballkanas”, për ardhjen e fuqisë punëtore së kualifikuar nga rajoni , ku viza e punë s fitohet edhe pa njohjen e gjuhës dhe në mungesë të kualifikimeve më të larta

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 18 maj – Së shpejti pritet që koalicioni qeveritar gjerman të qartësojë punësimin më të lehtë apo jo të fuqisë punëtore nga Ballkani perëndimor. Në rrjedhë e sipër është shqyrtimi i vazhdimit të së ashtuquajtur “ rregull ballkanas”, për ardhjen e fuqisë punëtore së kualifikuar nga rajoni, që për shkak të korona virusit ka shkaktuar edhe debat dhe kundërshtim ndër partnerët e koalicionit në qeverinë gjermane. Në kohë të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia ka ardhur deri tek rritje e papunësisë në Gjermani, andaj nuk duhet të ndodh zgjatja paushale e rregullave për punësimin e punëtorëve nga Ballkani, thotë Matijas Midlberg, zëdhënës i bllokut qeverisës. Sipas tij, më e logjikshme do të ishte që të punësohen më shumë refugjatë me status të pranuar.
E djathta ekstreme AFD mbështet qëndrimin e lartë përmendur, ndërsa socialdemokratët që janë partner i koalicionit të CDU-CSU, këmbëngulin për vazhdimin e “rregullit ballkanas”, që mundëson punë në Gjermani për punëtorët nga Ballkani perëndimor, në kushte të mungesës së fuqisë punëtore. Nga janari i vitit 2016, punëtorët nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova , Mali zi, Bosnje e Hercegovina dhe Serbia kanë mundur të fitojnë vizë punë gjermane edhe pa njohjen e gjuhës dhe në mungesë të kualifikimeve më të larta. Kushti ishte që aplikuesi të dorëzojë kontratën e punës dhe të merr lejen e Agjencisë së punësimit. Rregulli Ballkano- perëndimor u vendos si reagim ndaj numrit të madh të kërkuesve të azilit nga rajoni, ndërsa ai skadon në dhjetor të këtij viti.

Nga ana tjetër, Feliks Paklepa nga Lidhja qendrore e ndërtimtarëve gjerman, thotë se në mungesë të punëtorëve nga Ballkani, mund të priten probleme të mëdha në këtë sektor. Sipas tij ,punëtorët nga Ballkani perëndimor posedojnë një përvojë të madhe të punës, apo aftësi të madhe profesionale që mungon në tregun gjerman të punës. Shteti gjerman është duke u përballur me mungesa të mëdha punëtorësh të profesioneve të ndryshme. Shumë kompani të mëdha nuk janë në gjendje që të marrin porosi për të kryer shërbime e punë për shkak të mungesës së punëtorëve dhe një gjë e tillë është duke u shkaktuar humbje të mëdha. Se mungesa e punëtorëve është alarmante e thonë edhe nga Byroja Gjermane e Statistikave. Sipas tyre numri i shtetasve me moshë pune deri në vitin 2035 do të zvogëlohet prej 4 deri në 6 milionë.

Në ndërkohë prej uikendit të kaluar, Gjermania, ka vendosur të hapë gradualisht kufijtë me disa nga vendet fqinje. Me Luksemburgun kufiri është hapur të shtunën, po ashtu pritet që së shpejti të ketë heqje të kontrolleve kufitare edhe me Danimarkën. Këtë dhe lehtësime të tjera e bëri të ditur ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, të mërkurën, në Berlin, në një konferencë shtypi, pas mbledhjes se kabinetit te kancelares Angela Merkel. Për vendet e treta, ku hyn edhe Ballkani Perëndimor, qeveria gjermane vendosi t’i bashkohet këshillës së ardhur po të mërkurën nga Brukseli për zgjatjen e ndalimeve deri më 15 qershor. Duke filluar që nga dita e shtunë kontrollet në kufi me Austrinë, Zvicrën dhe Francën nuk do të jenë më sistematike, por vetëm rastësore, tha ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer. Meqenëse rregullorja e karantinës për njerëzit që vijnë nga jashtë është kompetencë e landeve federale, Seehofer, si ministër i mbarë Gjermanisë mund të japë vetëm udhëzime: Dhe ai sugjeron që rregulli i karantinës dyjavore, siç është deri tani, të hiqet për shtetas që vijnë nga vendet fqinjë. Sipas ministrit gjerman, Gjermania synon të hapë kufijtë gradualisht edhe me vendet e tjera, si fqinje në lindje si Polonia dhe Çekia, por për këtë ende nuk ka një pajtim.

Sipas Seehoferit, të mbyllura do të mbeten udhëtimet nga Italia dhe Spanja, ku ende niveli i infeksioneve është i lartë. Për momentin nuk mund të mbajmë përgjegjësi për hapjen e kufijve me këto vende, tha ministri gjerman i Punëve të Brendshme. Horst Seehofer tha më tej se vendimi për hapjen e kufirit me këto vende do të bëhet në marrëveshje me Austrinë, Zvicrën dhe Francën, të çilat janë fqinje me to. Hapja e sinjalizua nga Gjermania është e lidhur me një kusht: Që niveli i infeksioneve të jetë i njëjtë në të dyja anët e kufirit, dhe të mos ketë rritje. Si shifër orientuese Seehofer tha se vlen e njëjta që ka caktuar qeveria gjermane për zbutjen e masave parandaluese në Gjermani. Kjo do të thotë që numri i infeksioneve të reja mos jetë më i lartë se 50 në 100 000 banorë brenda një jave. Ndryshe, për zonën Shengen, Komisioni Evropian këshillon një hapje graduale, përsa e lejon niveli i përhapjes së pandemisë, për vendet e treta, ku hyjnë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, SHBA-të, Rusia, Kina, etj. Komisioni këshillon që masat aktuale të mbeten në fuqi deri më 15 qershor.

Të fundit