19/04/2024
2.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

“Gjithçka u dogj brenda dy minutave”! Spitali modular, dëshmojnë mjekët dhe familjarët

Në cilësinë e dëshmitares së dytë u paraqit edhe mjekja Shpenzie Arifi e cila tregoi se natën kritike, zjarrin është munduar ta shuaj me ujë edhe batanije, ndërsa në dhomën numër 3 ka kërkuar nga motrat medicinale aparat kundër zjarrit, por nuk ka pasur as në dhome dhe as në korridor

Në Gjykatën Themelore në Tetovë, të martën, vazhdoi seanca e radhës ku u dëgjuan dëshmitarët e prokurorisë, mjekët që ishin në punë, natën e 8 shtatorit të vitit 2021, ku humbën jetë 14 pacient që trajtoheshin nga virusi korona. I pari që ka dëshmuar ka qenë mjeku Mustafa Tahiri. Ai ka ndodhur në dhomën ku ka filluar zjarri dhe sqaroi para gjykatës se gjithçka ka ndodhur brenda 2 minutave. Mjeku Tahiri thotë se zjarri ka nisur në dhomën me numër 3, ku ndihmë i kanë ofruar një pacienti me nevoja të veçanta. Sipas tij zjarri ka nisur në pjesën e sipërme të krevatit dhe në pjesën e murit. Tahiri thotë se fillimisht është larguar pacienti, më pas janë munduar që të shuajnë zjarrin me një batanije dhe me një kove me ujë, pas çka zjarri ka vazhduar dhe në momentin që e kanë kuptuar se nuk kanë mundur ta shuajnë zjarrin, janë munduar që t’i largojnë të gjithë pacientët. “Lirisht mund të them se gati gjithçka u dogj në bazë të llogaritjeve të mia, brenda 2 minutave. Dhoma u dogj për 15 sekonda, spitali për 2 minuta, mendimi im, edhe të kishte aparate, por edhe zjarrfikësit në oborr të ishin, ai zjarr nuk mund të shuhej në asnjë mënyrë”, tha mes tjerash Tahiri i cili shtoi se nuk ka parë aparat kundër zjarrit as në dhomë, as në korridor, për çka u pyet në mënyrë shtesë edhe nga prokurori edhe nga gjykatësi edhe nga avokatët.
Ndërkaq, në cilësinë e dëshmitares së dytë u paraqit edhe mjekja Shpenzie Arifi e cila tregoi se natën kritike, zjarrin është munduar ta shuaj me ujë edhe batanije, ndërsa në dhomën numër 3 ka kërkuar nga motrat medicinale aparat kundër zjarrit, por nuk ka pasur as në dhome dhe as në korridor. Arifi tha se në spital ka parë edhe persona që nuk ishin pacientë edhe pse ka qenë e ndaluar që të njëjtit të futen në spital. Ajo tha se nuk e di se si të njëjtit kanë arritur të hyjnë brenda, ndërsa shton se nuk ka informacione se kush ka dhënë leje për hyrje, pasi atë ditë nuk ka pasur roje në spital. Dëshmitarja tjetër, Olivera Veselinovska e cila ka qëndruar në dhomën numër 1, ku ka pasur të shtrirë fëmijën e saj me nevoja të veçanta thotë se ka pasur njerëz që kanë hyrë në spital për të sjell ushqim. “Kam qëndruar 4 apo 5 ditë, nga zjarri dëgjova të bërtitura, motrat medicinale vrapuan ta shuajnë, unë ato dite që kam qenë kam dalë dhe kam hyrë edhe në asnjë rast nuk kam parë aparate kundër zjarrit. Unë në spital nuk kam marrë leje. Mua më lejuan të hyjë personeli shkaku fëmijës. E kisha të ndjeshëm pasi që ishte me nevoja të veçanta, për atë më lëshuan. Në spital kishte persona të tjerë që sillnin ushqime edhe dilnin jashtë, unë personalisht kisha dokument për shoqërim të fëmijës edhe kur u tregoja nuk më ndalnin të qëndroja në spital”, tha mes tjerash Veselinovska.
Në gjykatën e Tetovës të martën kanë vazhduar të dëshmojnë edhe familjarët e viktimave të cilët kanë ndodhur në atë moment brenda në Spitalin Modular në Tetovë. Ish-drejtori i përgjithshëm i spitalit të Tetovës, Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi, dhe përgjegjësi për spitalin modular, Boban Vuçevski, janë të akuzuar në këtë rast. Ata akuzohen për veprat penale: “nxitje e rrezikimit të përgjithshëm” dhe “mosveprim sipas rekomandimeve shëndetësore në kohë epidemie”.Tv Koha Urim HASIPI

Të fundit