Heroizmi i gruas shqiptare është i njohur ndër shekuj. Pjesëmarrja e saj në jetën shoqërore në Kosovë në përgjithësi, e sidomos pjesëmarrja e saj në frontin e luftës për çlirim kombëtar, emancipim, pavarësi e barazi nacionale deri në vitet e fundit ishte shumëdimensionale dhe gjithëpërfshirëse. Nga kjo del se numri i grave që morën pjesë në këtë luftë shumëshekullore ishte i madh. Kosova mburret me Shotë Galicën, Marie Shllakun, Gratë e Jasharajve, Xhevë Lladrovcin, Hanumshahe Avdullahun, por Kosova kishte edhe shumë e shumë heroina të tjera që në ndonjë punim tjetër do të mundohem që ti përmendi të gjitha.
Gruas shqiptare asnjëherë dhe në asnjë periudhë nuk i ka munguar atdhetarizmi dhe vetëdija e lartë e saj se atdheu i saj ishte i robëruar. Kontributi i gruas shqiptare në luftërat shekullore për çlirimin e atdheut nga robëruesit nuk mund të vlerësohet vetëm nga shkalla e pjesëmarrjes së saj të drejtpërdrejtë në luftëra, sepse veprimtaria e saj ishte shumë më e gjerë.
Duke shfletuar faqet e historisë, gratë shqiptare i gjejmë pjesëmarrëse aktive në të gjitha luftërat që u zhvilluan për çlirimin e atdheut. Pas përfundimit të LDB, më 1945, Kosova dhe viset e tjera shqiptare jashtë shtetit amë, mbetën nën kthetrat e Jugosllavisë. Mu nga kjo kohë filloi edhe një organizim më i dendur për ruajtjen e unitetit kombëtar. Gjatë kësaj periudhe gruaja shqiptare nuk deshi të jetë vetëm vështruese indiferente e proceseve shoqërore.
Ajo, me atdhedashurinë që kishte, mori pjesë drejtpërdrejt dhe aktivisht në të gjitha aksionet dhe proceset politike në Kosovën e okupuar. Në organizata ilegale patriotike shqiptare, që synim kryesor kishin çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare në mesin e burrave, vepronin edhe gratë, në një mënyrë të veçantë, legalisht dhe ilegalisht. Disa nga to u zbuluan, u arrestuan, u dënuan, e disa nga ato edhe u pushkatuan nga organet okupuese, e disa vepruan me stoicizëm edhe më tej duke iu ndihmuar shokëve e shoqeve të tyre-ilegalistë.
Gjatë periudhës rankoviqiane 1945-1966, shumë intelektuale e nxënëse shqiptare në Kosovë u maltretuan dhe u dënuan në procese të shumta politike.
Në bankë të zezë, gruan shqiptare e gjejmë edhe në vitin 1968, si pjesëmarrëse dhe udhëheqëse aktive në demonstratat e studentëve e nxënësve, në të cilat ndër shumë të plagosur kishte edhe nxënëse e studente. Nxënëset që morën pjesë në demonstrata ishin edhe anëtare të organizatave ilegale patriotike shqiptare. Andaj, qëllimet e organizatave dhe demonstratat e studentëve kishin të njëjtin objektiv-çlirimin e Kosovës dhe trojeve të tjera etnike deri në vetëvendosje.
Gjatë këtyre viteve Kosova ishte fuqi baruti. Mjaftonte një shkëndijë e vogël që zjarri t’i përfshinte të gjitha tokat shqiptare. E padurueshme ishte jeta nën okupim. Gruaja, ishte ajo, që ndjente dhembjen më të madhe si për burrin, djalin, vëllain, e mbi të gjitha, për lirinë që nuk e kishim. Prandaj, edhe kërkesat e mirëfillta studentore të vitit 1968, ato të vitit 1981 e më vonë, ato gjithë popullore, të vitit 1989, ishin kërkesa të drejta politike e kombëtare.
Demonstratat e 81-shit do të shfrytëzohen si alibi për të hedhur në burg gati një të tretën e popullatës shqiptare që jetonte nën Jugosllavi. Si vepra të rënda penale politike gjatë kësaj periudhe, pushteti serb i konsideronte demonstratat paqësore, manifestimet politike, kërkesat e drejta të studentëve, të cilët, në mënyrë të drejtë dhe të argumentuar kërkonin zgjidhjen e statusit politik të shqiptarëve dhe të Kosovës.
Në demonstratat e vitit 1981, gratë ishin shtyllë, forcë morale e politike. Edhe sot, janë të freskëta plagët e 26 marsit dhe të 1 prillit 1981, kur policia speciale famëkeqe jugosllave masakroi gratë, studentet shqiptare, duke u thënë haptas: “Kjo gjeneratë juaja nuk do të lindte kurrë më shqiptarë të vegjël…”
Dihet se prej vitit 1981 e këndej më tepër se gjysma e popullatës së përgjithshme kaloi nëpër duar të policisë dhe nuk u kursye as gratë. Ndjekjet dhe maltretimet ndaj gruas shqiptare sa vinin e shtoheshin që nga viti 1981 e këndej, e veçmas pesëvjeçari i fundit (1985-1990), jep tablonë më rrëqethëse, si për kah intensiteti ashtu edhe për kah forma më e vrazhdë. Ajo u vra, u plagos, u maltretua, u arrestua, u mor në biseda informative, u ndoq dhe u përzu nga puna.
Se sa të burgosur dhe të burgosura kishte nëpër burgje pas tërë kësaj fushate nuk kishin shënime të sakta as organet më kompetente. Se, shqiptarët kanë mundur të burgosen në çdo moment, në çdo rast dhe në çdo kohë, madje pa u bërë asfare evidencimi. Sipas disa të dhënave, vetëm gjatë viteve 1981-1990 në Kosovë janë dënuar 3.348 shqiptarë, me armë zjarri policia dhe ushtria kanë vrarë 183 veta, prej të cilëve 16 fëmijë, dhe ka plagosur 616 veta, prej të cilëve 49 fëmijë e gra.
Me gratë shqiptare burgjet u mbushën në vitet 1981-1991. Ato akuzoheshin si kundërrevolucionare, nacionaliste, separatiste… Në burgjet më famëkeqe jugosllave ato qëndruan stoikisht duke e mbrojtur edhe me jetë idealin e tyre, unitetin kombëtar, frymën e lirisë shqiptare. Ato ishin të vetëdijshme se pa përpjekje dhe pa aktivitet të përbashkët nuk ka sukses në asnjë fushë të jetës e më së paku në çlirimin kombëtar.
Në këtë dhjetëvjetësh, gratë shqiptare, përjetuan pothuajse të gjitha format e dënimit dhe të diskriminimit. Sa për ilustrim do iu prezantoi statistikën rrëqethëse të të dënuarave politikë gjatë viteve 1981-1990.
Më 1982 u dënuan 7 gra; më 1983- 4 veta; më 1984- 4 veta; më 1985 – 6 veta; më 1986- 9 veta; më 1987- 3 veta; më 1988- 9 veta; më 1989- 4 veta dhe më 1990 u dënuan 6 veta. Dhe sipas statistikave del se, brenda 10 viteve, u dënuan, gjithsej 52 gra shqiptare.
Vitet pas 1981, nuk ishin vetëm kohë lufte, por edhe kohë e veprimtarive aktive të gruas shqiptare në sferën politike. Ajo në çdo mënyrë u angazhua që çështjen kombëtare ta ngritë në fronin e merituar. Ky afirmim dhe gjithë këto obligime të shënuara e kanë edhe peshën e vet, tagrin e domosdoshëm, që gruaja shqiptare e pagoi në çdo kohë dhe në çdo periudhë.
Nënat e motrat tona po qëndronin të forta e krenare edhe para varreve e kufomave të burrave, të vëllezërve, të bijve, të bijave që ia falin Kosovës Mëmë.
Gruaja shqiptare, njësoj si burri u maltretua, u rrah me brutalitet. Ajo nuk u kursye as nga armët e shkopinjtë prej gome, nga shkelmimet, duke e shfryrë shovinizmin e çartur serb. Gruaja shqiptare edhe në fund të këtij shekulli u vra, u plagos në shtëpi dhe para shtëpisë së vet, vetëm se kërkonte liri dhe barazi. Ajo u vra e u plagos edhe në rrugë, edhe në demonstrata ku ishte pjesëmarrëse aktive.
Një ndër format më të preferuara të dhunës, për udbashët serbë, ishte e ashtuquajtura, biseda informative, e që shpesh ishin si pretekst për të përdorur torturat dhe keqtrajtimet psikike e fizike me orë të tëra ndaj grave. Sa për ilustrim po e përmendi se, vetëm në komunën e Ferizajt, gjatë një dekade (1981-1991), u keqtrajtuan mbi 53 gra, ndër të cilat kishte nëna e nxënëse. Ndërkaq në pesëvjeçarin e dytë pesha e maltretimeve sa vjen e shtohet. Gratë shqiptare u gjend edhe në mesin e të izoluarve, por ajo u maltretua edhe me pretekst të kërkimit të armëve, sidomos atje ku ishte kryefamiljare.
Pasi se demonstratat e popullit shqiptar u shuan me gjak, pushtetarët morën edhe një hap tjetër, edhe më të tmerrshëm, përveç, që hodhën në burgje shumë të rinj e të reja shqiptare, ata filluan në mënyrën më perfide, të cungonin të drejtat elementare kombëtare, si në lëmin e politikës, ekonomisë e kulturës. Ata, shkuan aq larg, sa filluan edhe të caktonin shtimin e popullsisë shqiptare, me qëllim që të pakësohej numri i natyrshëm i tyre.
Gruan shqiptare e gjejmë aktive në çdo pore të jetës: organizatore e pjesëmarrëse të protestave kundër ndryshimeve kushtetuare me dhunë, pjesëmarrëse aktive të demonstratave të vitit 1989, delegate të denjë në Kuvendin e Kosovës, ku me trimëri i ngriti dy gishta dhe votoi kundër Serbisë okupuese. Gruaja shqiptare, delegate e Kuvendit të Kaçanikut, mori pjesë pa drojë në shpalljen e Kosovës Republikë edhe pse e dinte se dyert e burgut i kishte të hapura.
Dhe krejt në fund, edhe pse gratë shqiptare u dënuan me vite të shumta burgimi, edhe pse ato u torturuan, u izoluan, u larguan nga puna, edhe pse u mbyllen institucionet arsimore e shkencore, edhe pse ato u diferencuan politikisht, megjithatë mendoi se askush në këtë botë, nuk dinë më mirë se gratë shqiptare t’i dalin zot atdheut; Dhe se, askush nuk dinë më mirë, se gratë shqiptare të punojnë edhe kur nuk punohej dot; Të veprojnë edhe kur nuk veprohej fare, dhe, nuk kishte forcë e as dhunë shtetërore e okupuese që do ti ngufaste në gjakimin suprem të tyre, që Kosova një ditë të jetë shtet sovran dhe e pavarur. Pra, e kaluara e gruas shqiptare e dëshmoi këtë.
(Punim i lexuar në konferencën shkencore “ROLI I GRAVE NË JETËSIMIN E SHTETIT TË KOSOVËS”, Instituti i Historisë “Ali Hadri”-Prishtinë, Instituti i Historisë i ASA, Tiranë.) / KultPlus.com Nga Sabile Keçmezi-Basha