Shumica e 13 rekomandimeve të Grupit të shteteve pranë Këshillit të Evropës (GREKO) kundër korrupsionit për deputetët e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë Veriore, si dhe gjyqtarët dhe prokurorët, ose janë zbatuar pjesërisht ose nuk janë zbatuar fare, ndërsa vetëm disa janë zbatuar plotësisht dhe nga kjo rrjedh se Maqedonia e Veriut në përgjithësi nuk i ka përmbushur detyrimet e saj që i ka marrë më 22 qershor 2018, e për të cilat kishte afat deri në 30 shtator të vitit të kaluar, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.
Rekomandimet e dhëna për përmirësimin e situatës janë brenda Raundit të katërt të vlerësimit, ndërsa përmbushja e tyre është vlerësuar në Raportin e përkohshëm për harmonizim, në të cilin paraqiten vërejtjet nga GREKO. Vendi tani ka një vit tjetër për të përmbushur plotësisht rekomandimet e GRECO, përkatësisht duhet të ndërmarrë masa për të parandaluar korrupsionin e deputetëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve më së voni deri më 30 shtator 2021.
Rekomandimi që, mekanizmi për zbatimin e Kodit për sjellje etike të deputetëve në Parlament të jetë plotësisht funksional, përmes miratimit të procedurave dhe rregullave për zbatimin dhe përcaktimin e shkeljeve, si dhe shtrëngimit të masave ndëshkimore, konsiderohet se është pjesërisht i përmbushur. Si hap drejt këtij qëllimi, GREKO i vlerëson ndryshimet e Kodit, por edhe miratimin e “Rregullave për realizimin e procedurës për përcaktim të shkeljeve të vogla dhe serioze dhe vendosjen e masave të përcaktuara në Kodin për sjellje etike të deputetëve të Parlamentit”. Të dy procedurat janë kryer në korrik 2019.
Ndryshimet në Kod përfshijnë edhe rregulla për konflikte të interesit, dhurata dhe masa ndëshkimore. Por, thotë GREKO, kjo nuk mjafton.
“Në disa aspekte ato nuk e përmirësojnë qartësinë ose qëndrueshmërinë e Kodit. Dispozitat për masat specifike që duhet të ndërmerren në rast të konflikti të mundshëm të interesit për deputetët janë kontradiktore. Dispozitat për dhuratat janë të përsëritura dhe kontradiktore. Dispozitat e mbivendosura nuk janë përshtatur në mënyrën e kërkuar prej më parë. Megjithatë, ndëshkimet për shkeljen e Kodit janë zgjeruar. Duket se ngritja e vetëdijes dhe edukimit të deputetëve rreth Kodit është ende për tu zhvilluar. “Prandaj, duhet përparim i mëtejshëm në këtë fushë” porosit GREKO.
Lidhur me rekomandimin e dytë për zhvillimin e mekanizmave të brendshëm dhe udhëzuesve brenda Kuvendit në lidhje me parandalimin e konfliktit të interesave dhe pranimin e dhuratave, mikpritjen dhe përfitimet e tjera dhe për të ndjekur në mënyrë përkatëse pajtueshmërinë me këto rregulla, GREKO përkujton se në shkurt u hartua një Udhëzues për deputetët për situata dhe sjellje qartë problematike. Sidoqoftë, theksohet se, në përgjithësi, Kodi nuk përmban dispozita për mënyrën e sjelljes dhe veprimit, ndërsa udhëzimi i miratuar është i shkurtër, me çka imponohet rekomandimi për një dokument më gjithëpërfshirës. Prandaj, ky rekomandim konsiderohet i zbatuar pjesërisht.
Lidhur me rekomandimin për të vendosur rregulla për marrëdhëniet e deputetëve me lobistë ose persona të tjerë që duan të ndikojnë, GREKO vëren se megjithëse në dhjetor 2018 ka filluar procedura për hartimin e një ligji të ri për lobim, i cili duhet qartë të përcakton situata të tilla, ajo nuk është miratuar, dhe veç kësaj, në Kodeksin për Deputetët kjo çështje nuk është definuar, prandaj për GREKO, ky rekomandim nuk është zbatuar.
Lidhur me rekomandimin për të ndryshuar ligjet përkatëse për të parashikuar ndëshkime të përshtatshme për deputetët për shkeljen e rregullave, GREKO vlerëson faktin që Komisioni Antikorrupsion raporton në fletët e të dhënave, por vëren se nuk ka të dhëna të qëndrueshme dhe bindëse për rezultatin përfundimtar të procedurave ose për gjobat e vendosura sipas rregullores. Është i mirëpritur Ligji i ri për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, por në të njëjtën kohë GREKO vëren se në të janë ulur gjobat në krahasim me ligjin e mëparshëm.
Në lidhje me parandalimin e korrupsionit të gjyqtarëve, GREKO vëren se, ndryshe nga e kaluara, kur ministri i drejtësisë ka qenë pjesëmarrës i plotë në punën e Këshillit Gjyqësor, ai tani merr pjesë pa të drejtë vote ose ka të drejtë të merr pjesë në seanca që përcaktojnë përgjegjësinë e gjyqtarëve dhe kryetarët e gjyqtarëve, qoftë për zgjedhjen ose shkarkimin e tyre. Largimi i ministrit të drejtësisë nga Këshilli gjyqësor duhet të bëhet përmes reformave kushtetuese. Prandaj, ky rekomandim konsiderohet i paplotësuar.
GREKO e lavdëroi zbatimin e rekomandimeve për përfshirjen e rregullave për pranimin e dhuratave dhe përfitimeve të tjera nga gjyqtarët dhe zbatimin përkatës të këtyre rregullave, përmes Kodit të ri të Etikës për gjyqtarët dhe gjyqtarët e jurisë.
Lidhur me rekomandimin për standarde të qarta për parandalim të korrupsionit të prokurorëve, GREKO vlerëson që në fuqi është kodi etik, por thekson se Udhëzimet për zbatimin e tij janë jo konsistente dhe është e nevojshme të harmonizohet e tërë korniza normative, përkatësisht ky rekomandim konsiderohet i zbatuar pjesërisht.