Guteresh: Është e pasigurt nëse do të mbahet Samiti vjetor i KB-së – Tv Koha
Botë Lajmi i Ditës

Guteresh: Është e pasigurt nëse do të mbahet Samiti vjetor i KB-së

Për shkak të pandemisë së koronavirusit është “e pasigurt” nëse liderët botërorë dhe mijëra pjesëmarrës të tjerë do të jenë në gjendje të arrijnë në Nju-Jork në shtator për Asamblenë e Përgjithshme të KB-së, deklaroi sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh.

Në një intervistë për revistën e javore franceze “Paris-Match”, e cila do të publikohet sot, shefi i KB-së tha se po shqyrtohen “alternativa të ndryshme” të mundshme përmes teknologjive digjitale, të cilat do t’ua paraqet shteteve anëtare.

Disa përfaqësues të KB-së tashmë kanë parashikuar se takimi do të zhvillohet përmes video-konferencës, veçanërisht pasi këtë vit shënohet 75 vjetori i themelimit të Organizatës Botërore.

Nga mesi i marsit, për shkak të pandemisë dhe masave për bllokadë në Nju-Jork – epiqendra e epidemisë në SHBA, të punësuarit në KB dhe diplomatët punojnë nga shtëpia.

Teknikisht, ndërtesa e selisë së KB-së mbetet e hapur, por shumë pak njerëz punojnë atje, dhe Këshilli i Sigurimit dhe Asambleja e Përgjithshme takohen përmes video-konferencës. Këto kushte pune do të vazhdojnë të paktën deri në fund të qershorit.

Fillimi i Asamblesë së Përgjithshme vjetore është planifikuar për 15 shtator, ndërsa në seancë priten fjalime nga dhjetëra udhëheqës botërorë.

Takimi më i madh vjetor diplomatik në botë, përfshin qindra ngjarje në kufijtë e Nju-Jorkut, si dhe mijëra takime bilaterale dhe multilaterale. Ai asnjëherë nuk është anuluar që nga themelimi i Kombeve të Bashkuara në 1945.

Takimi i Asamblesë së Përgjithshme u shty dy herë – pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 në Nju-Jork dhe në 1964 për shkak të krizës financiare të organizatës, por edhe sepse disa anëtarë u përballën me mundësinë e humbjes të së drejtës së tyre të votës.

Por, vdekja e sekretarit të përgjithshëm të atëhershëm të KB-së, Dag Hamarsheldj, më 18 shtator të vitit 1961, i cili vdiq në aksident avioni në Rodezinë veriore (tani Zambia) – nuk çoi drejt shtyrjes së seancës vjetore. ls/shk/

Related posts

Për shkak të pandemisë ulet numri i kurorëzimeve gjatë vitit 2020

Televizioni Koha

Shpërthen zjarr në Kërçovë

Televizioni Koha

Pasaporta imunologjike për udhëtim tani për tani vetëm mendim, ka shumë çështje të hapura

Televizioni Koha

Leave a Comment