25/04/2024
7.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Hetimi për rrëzimin e avionit ukrainas, raporti: Dy raketa qëlluan avionin me 176 vetë në bord

Publikohet raporti i parë hetimor në lidhje me rrëzimin e avionit të kompanisë Ukrainian Airlines me 176 vetë në bord në Iran, janarin e këtij viti. Zyrtarët iranianë thanë se avioni i pasagjerëve u qëllua me dy raketa brenda 25 sekondash. Ata bënë thirrje që hetimi të mos politizohet.

Autoritetet iraniane publikuan raportin e parë hetimor në lidhje me rrëzimin e një avioni të kompanisë Ukrainian Airlines me 176 vetë në bord. Analiza e kutive të zeza të avionit të pasagjerëve, tregon se ai u qëllua nga dy raketa brenda 25 sekondash. Raporti specifikon se pas goditjes së parë, në bordin e avionit kishte ende persona të gjallë.

Raporti i paraqitur nga Organizata e Aviacionit Civil të Iranit është i pari zyrtar që tregon të dhënat e nxjerra nga kutitë e zeza, mjet që incizon bisedat e bëra në kabinën e pilotëve si dhe incizime të tjera.

Kutitë e zeza të këtij avioni, u dërguan për analizim në Francë.

Teherani thotë se goditja e avionit me raketa në muajin janar u bë gabimisht. Të 176 vetët në bordin e tij u vranë.

“Nëntëmbëdhjetë sekonda pasi raketa e parë qëlloi aeroplanin, zërat e pilotëve brenda kabinës, lënë të kuptohet se pasagjerët ishin ende gjallë. 25 sekonda më pas, avioni u qëlluan nga një raketë e dytë,” thekson raporti.

Irani ka qenë në bisedime me Ukrainën, Kanadanë dhe shtete të tjera, që kanë kërkuar hetime për këtë incident.

“Të dhënat e nxjerra nga kutitë e zeza nuk duhet të politizohen”, thanë zyrtarët iranianë.

Garda Revolucionare e Iranit rrëzoi avionin ukrainas më 8 janar, pak kohë pasi ai ishte ngritur në fluturim nga aeroporti i Teheranit. Irani tha se rrëzimi i avionit u bë gabimisht, pasi në atë kohë, forcat ushtarake të vendit ishin në gatishmëri të lartë, për shkak të rritjes së tensioneve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zyrtarët iranianë dhe ukrainas kanë biseduar rreth kompensimit të familjeve të viktimave. Për këtë çështje ata pritet që të bisedojnë edhe gjatë muajit tetor.

Të fundit