29/11/2023
4.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Hidhet poshtë Ligji për amnisti/ LSDM dhe VMRO-DMPNE votuan kundër, Lloga paralajmëroi se do ta ridorëzojë

Kuvendi nuk votoi për nevojën e miratimit të Ligjit për amnisti, për të cilin kundër votuan edhe LSDM edhe VMRO-DPMNE. Megjithatë, mbetet pyetja nëse hedhja poshtë e ligjit do të ngatërrojë marrëdhëniet në koalicionin qeveritar dhe nëse ky qëndrim i shumicës është për shkak se Lloga nuk i ka mbështetur ndryshimet në Kodin Penal. Por Lloga thotë se nuk bëhet fjalë për krizë qeveritare, sepse siç tha ai, është refuzuar mënyra e miratimit të procedurës së shkurtuar ndërsa paralajmëroi se do ta propozojë sërish këtë ligj, por sipas procedurës së rregullt.

“Nuk ka krizë, siç thashë në fillim se Maqedonia sot është një vend më i padrejtë se dje dhe po vazhdojmë më tutje. Pra, sot nuk është pranuar propozimi për procedurë të shkurtuar, kështu që do të dorëzoj procedurën përsëri sipas procedurës së rregullt. Ka 2.100 të dënuar në burgjet që kanë vuajtur mbi 2/3 të dënimit, po ashtu janë 2800 të dënuar në rrugë me akt referimi.”= deklaroi Krenar Lloga Ministër i Drejtësisë.

Para fillimit të seancës Lloga ua shpërndau materiale deputetëve dhe mediave për gjendjen nëpër burgjet dhe për numrin e të burgosurve. Ai nuk u përgjigj nëse me këtë është përfshirë edhe rasti Monstra por në arsyetimin para deputetëve, tha se qëllimi është që të lirohen hapësat në burgje.

“Qëllimi kryesor është gjendja alarmante në burgjet, si me kushtet ashtu edhe me numrin e madh të të burgosurve. Këto rekomandime dhe konstatime i dhanë shumë institucione relevante që i përmendin në raportet e tyre dhe ky është qëllimi kryesor pse kam iniciuar dhe përgatitur një ligj për amnisti që do të lirojë numrin e tepërt të njerëzve.”- tha deklaroi Krenar Lloga Ministër i Drejtësisë.

Edhe pse ligji për amnisti e propozuar nga ministri Lloga kaloi në seancën e Qeverisë, LSDM-ja vetëm shkurt tha se nuk do ta mbështesë, pasi siç sqaruan, arsyetimi i Llogës se ligji do t’i lehtësojë burgjet, është i paqëndrueshëm. Këtë e tha edhe kryeministri Kovaçevski i cili shtoi se deputetët kanë votuar sipas bindjeve të tyre.

“Kishte argumente që e pohuan të kundërtën, se ligji paraprak nuk i ka dhënë efektet e dëshiruara duke marrë parasysh se shumica e të amnistuarve menjëherë pas amnistisë i kanë përsëritur veprat e njëjta penale dhe se përsëri janë kthyer në burg, dhe së dyti, për vuajtjen e dënimit presin edhe 2 mijë të dënuar, andaj kjo nuk do të thotë lehtësimi i burgjeve.”- tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.

Ligjin nuk e përkrahën as nga VMRO-DPMNE-ja, kryetari i partisë, Hristijan Mickoski rikujtoi se kanë paralajmëruar se do ta bllokojnë që kur kaloi në seancën e qeverisë.

“Spasovski, Kovaçevski, Mariçiq, Bisera, ministrja e mbrojtjes Sllavjanka dhe pjesa tjetër e LSDM-së, ishte edhe Sllavica Gërkovska, e votuan në seancën e qeverisë, e deputetët e LSDM-së tani thonë se nuk do ta votojmë. Ndoshta pyetja duhet t’i drejtohet Kovaçevskit që të mos ketë keqkuptime mes deputetëve dhe kryesisë së LSDM-së kur është fjala për votimin e këtij ligji. VMRO-DPMNE kishte një qëndrim të qartë dhe preciz.”- pohoi Hristijan Mickosiki, Kryetar i VMRO-DPMNE.

Nga opozita e bashkuar shqiptare thonë se edhe ky ligj është pjesë e pazareve të fëlliqura të shumicës.

Propozim ligji për amnisti parashikon lirimin e plotë të personave të dënuar me burgim deri në 6 muaj dhe të dënuarit me 6 muaj të lirohen nga vuajtja e një së tretës së të gjithë dënimit.

Të fundit