16/04/2024
12.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Homazh për Bajram Sulejmanin dhe për banorët tjerë të fshatit Vicë që humbën jetën në masakrën e Dubrovnikut në vitin 1945

Krimet në Tivar dhe në Dubrovnik që politika jugosllave i minimizoi në kontekstin e fitores mbi fashizmin, kurrë nuk duhet t’i harrojmë. Është detyrë, sidomos e institucioneve shkencore dhe e studiuesve seriozë, që ngjarjet e dhimbshme të së kaluarës t’i hulumtojnë në hollësi. Plagët e krimeve jugosllave mbeten të hapura sot e kësaj dite. Ato trokasin në ndërgjegjen tonë

Nga Selam SULEJMANI

Sivjet, në muajt mars dhe prill, i shënojmë përvjetorët e masakrës së Tivarit dhe të Dubrovnikut, të kryera ndaj shqiptarëve para 78 vitesh nga komunistët jugosllavë. Sipas historianëve tanë, në dimrin e vitit 1945, të ashtuquajturit “çlirimtarë” jugosllavëiu vërsulën trojeve shqiptare për t’i pushtuar ato. Për ta bërë më të lehtë pushtimin e tyre, shqiptarët u mobilizuan dhunshëm për t’i dërguar në frontet e luftës, gjoja për t’i plotësuar njësitet partizane të të ashtuquajturës Ushtri Nacionalçlirimtare.

Shqiptarët u mobilizuan nga të gjitha trevat, përfshi edhe mobilizimet nga qytetetveriperëndimore të Maqedonisë, si nga Dibra, nga Kërçova, nga Gostivari, nga Tetova, nga Shkupi, nga Kumanova etj. Për në Srem dhe për në veri të Jugosllavisë së asaj kohe, u mobilizuan edhe shqiptarë nga Tetova dhe rrethina, praedhe nga fshatrat e malësisë së Sharrit. Nga fshati Vicëu mobilizuan mbi njëzet banorë.Në mesin e tyre edhe gjyshi ynë, Bajram Sulejmani.Shqiptarët e mobilizuar, të çarmatosurdhe të torturuar, një pjesë të rrugës e përshkuan në këmbë.Më pas i hipnin nëpër trena për të mbërritur në vendarritjen e fundit. Në rrugën pa kthim të Tivarit, përkatësisht të Dubrovnikut, nga qytetet dhe rrethinat e lartpërmendura, janë dërguar disa grupe, të mobilizuar me dhunë dhe të shoqëruar nga ushtarë serbë si dhe nga Brigada XV maqedonase e Divizionit 48.

Para se të mbërrinin në Tivar, shqiptarët e mobilizuar dhe shoqëruesit ushtarakë serbë dhe maqedonas, mësojnë për masakrën e Tivarit. Për këtë arsye, me mjete lundruese nisen prej Ulqini drejt Dubrovnikut. Dëshmitarët që e kanë përjetuar ferrin e Dubrovnikut, rrëfejnë se tragjedia e kobshme ka ndodhur më 15 prill 1945, në orët e hershme të mëngjesit, sapo kishte lindur dielli.Me fjalë të tjera, ferri i Dubrovnikut ka ndodhur dy javë pas masakrës së Tivarit. Ndërtesa ose uzina ku ishin strehuar shqiptarët e mobilizuar dhunshëm për t’u vrarë për kauza sllave, paraprakisht kishte shërbyer si burg kryesor i forcave gjermane. Thuhet se nga helmimi në Dubrovnik janë mbytur brenda kazermës 400 vetë, ndërsa 400 të tjerë janë dërguar në spital. Kanë shpëtuar tridhjetë deri dyzetë persona. Të vdekurit janë varrosur në varreza masive, në vendin e quajtur Gruzhinë. Në tragjedinë e tmerrshme të Dubrovnikut, e ka humbur jetën në moshën 34-vjeçare edhe gjyshi ynë Bajram Sulejmani (7.6.1911-15.4.1945), bashkë me disa banorë të tjerë të fshatit Vicë, si: Idriz Idrizi (5.3.1913-15.4.1945), Rasim Neziri (8.1.1908-15.4.1945), Amet Dehari (15.4.1915-15.4.1945), Azem Hasani (3.7.1908-15.4.1945), Femi Murati (4.5.1911-15.4.1945), Musa Osmani (15.10.1916 -15.4.1945), Ferat Ferati (15.6.1916-15.4.1945), Sherif Selami (13.6.1917-15.4.1945), Raif Shahini (21.7.1919-15.4.1945), Xhabir Veliu (15.6.1919-15.4.1945), Sami Sulejmani (3.6.1915-15.4.1945), Hisen Xhemaili (7.10.1912-15.4.1945), Reshit Iseni (10.6.1915-15.4.1945) dhe Osman Emini (15.10.1902-15.4.1945), ndërkaq Xhevit Mehazi, Abedin Murati, Ramadan Shasivari, Xhafer Iseni dhe Arif Ramadani, fatmirësisht i shpëtuan golgotës së helmimit.

Të mbijetuarit e këtij krimi makabër, tërë jetën i vuajtën pasojat e helmimit të qëllimshëm, por krahas vuajtjeve, ata rrëfenin edhe për torturat, dhunën dhe krimet e kryera pas Luftës së Dytë Botërore, ndaj qindra e mijëra shqiptarëve të pafajshëm.

Politika hegjemoniste sllave ndaj popullit shqiptar ka qenë permanente dhe si e tillë njihet edhe botërisht. Qëllimi i saj ndër shekuj ka qenë zhdukja fizike e shqiptarëve dhe pushtimi i tokave arbërore.Ndaj popullit tonë, sllavët kanë ushtruar dhunë dhe kanë përdorur metoda nga më mizoret për t’i asgjësuar dhe për t’i larguar nga vatrat shekullore dhe stërgjyshore.

Masakrat në Tivar dhe e Dubrovnik paraqesin vazhdimësi të planeve shoviniste dhe të projekteve ogurzeza për dëbimin, për spastrimin etnik dhepër shfarosjen e një kombi të tërë që historiografia botërore e njeh si ndër më të vjetrit eGadishullit Ballkanik.

Tivari, Dubrovniku dhe jo vetëm, dëshmojnë se shqiptarët dërgoheshin në vijën e parë të frontit dhe vriteshin për kauza të huaja. Shteti jugosllav kurrë nuk mbajti përgjegjësi për krimet e sipërpërmendura.Për zbardhjen e kësaj tragjedie, nuk kanë treguar kurrfarë interesimias institucionet përkatëse të shtetit. Madje s’është bërë dot gjë as për shënimin e lokaliteteve ku u groposën të helmuarit.Politika shkombëtarizuese ndaj shqiptarëve që mbetën nën sundimin jugosllav, përkundër propagandës dhe premtimeve të dhëna, vazhdoi edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Mjafton ta kujtojmë luftën e Drenicës në vitin 1945, aksionin për mbledhjen e armëve në vitin 1956, shpërnguljen me dhunë të shqiptarëve për në Turqi në vitet ’50-’60, emigrimin për shkaqe ekonomike drejt vendeve perëndimore – në Evropë dhe në Amerikë, si dhe shumë ngjarje të tjera që ndërlidhen me proceset tjera në trevat shqiptare, ku populli ynë iu nënshtrua diskriminimit shtetëror, represalieve dhe presionit policor e ushtarak.

Gjashtëmbëdhjetë banorët e fshatit Vicë dhe qindra të tjerë të ekzekutuar në masakrën e planifikuar në Dubrovnik, janë dëshmi e trajtimit çnjerëzor të malësorëve të devotshëm dhe të mbarë popullatës shqiptare, nga komunistët jugosllavë. Të rënët në këto masakra lanë pas vete gratëdhe fëmijët e tyre të cilët gjatë gjithë jetësi vuajtën pasojat e kalvarit.Gjatë gjithë kohës jetuanme vuajtje të papërshkrueshme dhe me dhimbjetë pafund për humbjen e djemve, të burrave dhe të prindërve të tyre.

Përpos një pllake përkujtimore të ngritur në vitin 2002në fshatin Vicë, këta burra meritojnë vëmendjen e mbarë shoqërisë. Sot,edhe në sajetë sakrificës së të rënëve në Dubrovnik, në institucionet arsimore, përkatësisht në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës të RMV-së, fatmirësisht përfaqësohemi me kuadër shqiptar. Komisionet kompetente, gjatë hartimit të teksteve shkollore për arsim fillor dhe të mesëm, ngjarjet tragjike të sipërthëna duhet t’i trajtojnë me përparësi dhe në mënyrë profesionale,duke i përfshirë në tekstet e historisë. Historia e një populli me kaq tragjizëm, nuk mund të shkruhet privatisht, sepse nuk jemi popull privat.

Shkrimtari i njohur italian me prejardhje hebraike, Primo Michele Levi (31 korrik 1919 – 11 prill 1987), i cili i vuajti torturat në kampet naziste, thotë: “Holokausti është një faqe në librin e njerëzimit nga e cila nuk duhet ta heqim kurrë shenjën e kujtesës”.

Krimet në Tivar dhe në Dubrovnik që politika jugosllave i minimizoi në kontekstin e fitores mbi fashizmin, kurrë nuk duhet t’i harrojmë. Është detyrë, sidomos e institucioneve shkencore dhe e studiuesve seriozë, që ngjarjet e dhimbshme të së kaluarës t’i hulumtojnë në hollësi. Plagët e krimeve jugosllave mbeten të hapura sot e kësaj dite. Ato trokasin në ndërgjegjen tonë.

Lavdi të rënëve të masakrës së Tivarit dhe të Dubrovnikut! I paharruar qoftë kujtimi i Tyre! (TV KOHA )

 

Të fundit