24/04/2024
8.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Hulumtim: Ballkanasit më së paku frikësohen nga koronavirusi

Hulumtimi i Galupit tregoi se mbi 70 për qind të njerëzve në Ballkan konsiderojnë se koronavirusi nuk është kërcënim aq i madh siç paraqitet. Sipas hulumtuesve, kjo mund të pritej në një rajon të mësuar me kriza, lajmëroi Dojçe Vele.

Galup zbatoi hulumtim për atë se si njerëzit e përjetojnë pandeminë globale të koronavirusit me të cilën u kapluan mbi 20 mijë njerëz në 26 vende të botës.

Sipas rezultateve, 62 për qind e të anketuarve druajnë se mos infektohen, por në të njejtën kohë 56 për qind prej tyre konsiderojnë se po teprohet rreth kërcënimit të mundshëm.

Kryetari i Galup Interneshënëll Asosiejshën (GIA), Kanço Stojçev deklaroi se dy aspektet nuk janë kundërthënës.

“Virusi është real dhe është normale njerëzit të frikësohen”, thotë Stojçev në intervistë për Dojçe Vele-n.

Nga ana tjetër, viruse ekzistojnë që nga fillimi i njerëzimit. Secili njeri në botë e din se vazhdimisht jemi të rrethuar me viruse. Nga ai shkak, disa reagime të virusit u duken të zmadhuara”, thotë Stoçev.

Frika dhe pasiguria, sipas studimit, përhapen në mënyrë të ndryshme në pjesë të ndryshme të botës. Për këtë arsye, 56 për qind e të anketuarve konsiderojnë se po teprohet lidhur me kërcënimin nga koronavirusi, thotë Stojçev.

“E dimë se në disa vende kriza filloi dy apo tre javë më herët, kështu që ato tani janë në fazë tjetër. Italia është në fazë shumë më përparuese dhe është e kuptueshme se si italianët reagojnë për momentin. Në BeH, për shembull, kemi fazë akoma më të hershme”, tha ai.

Posaçërisht në vendet ballkanike të cilat ishin të përfshira në anketë, duket sikur nuk ka panik. Në BeH, 73 për qind e të anketuarve konsiderojnë se po teprohet lidhur me kërcënimin nga virusi, në Bullgari 72 për qind, ndërsa në Republikën e Maqedonisë së Veriut 73 për qind.

Për bullgarin Kanço Stojçev kjo është pasojë e historisë së rajonit.

“Ballkani me shekuj është pikë ku thyheshin shtizat. Në vende të tilla, intensiteti i historisë është shumë më i fuqishëm, që do të thotë se njerëzit është dashur të përballeshin me numër dukshëm më të madh të krizave. Edhe 30 vitet e kaluara janë shembull për atë. Në Bullgari, Rumani dhe vendet e ish-Jugosllavisë vazhdimisht ka pasur kriza. Në njëfarë mënyre jemi mësuar me situata të këtilla”, deklaroi Stojçev.

Kjo shihet edhe kur do të bëhet krahasim. Njerëzit në vendet e Evropës perëndimore, kërcënimin nga koronavirusi e përjetojnë si real. Rreth 70 për qind e të anketuarve e deklaruan këtë.

Anketa tregon se 76 për qind e të anketuarve janë të përgatitur që t’i kufizojnë liritë personale pa dallim nëse kërcënimin e konsiderojnë si të zmadhuar apo jo. Në krye është Austria me 95 për qind, më pas Republika e Maqedonisë së Veriut me 94 për qind dhe Holanda me 91 për qind. Më i ulët është numri në SHBA me vetëm 45 për qind. Sipas Stojçev, shkaqe të mundshme për qëndrimin e tillë janë ndarja politike dhe “tradita e fuqishme demokratike” e vendit.

Thelbi i studimit për të është në një aspekt tjetër.

“Shohim rritje të konsiderueshme të besimit në qeveritë nacionale. Nëse i shohim shifrat, kuptojmë se dy të tretat e njerëzve në botë fillojnë t’u besojnë qeverive të veta sepse frikësohen. Zakonisht ato shifra janë 20 deri 40 për qind. Elitat politike të cilat kishin rënë në pamëshirë, po e kthejnë besimin në këtë kohë e cila po përjetohet si fillim i krizës globale pa rast relevant kohor për krahasim ‘I vetëm’ zëvendësohet me ‘së bashku’, ‘afër’ me ‘larg’ dhe ‘globalisht’ me ‘nacionale’”, thotë Stojçev për Dojçe Vele-n.

Për të, ky është fundi i kohës në të cilën tregjet globale e dominojnë politikën.

“Mentaliteti ynë si konsumatorë është të ekzistojmë në universumin individual. Mund të blejmë, të bëjmë çka të duam dhe të udhëtojmë ku të duam. Kriza aktuale po na e shkurton iluzionin e tillë. Në fund të ditës e kuptojmë se njerëzit janë qenie kolektive. Edhe kur bëhet fjalë për globale dhe nacionale, nacionalja njejtë është kolektive, do të thotë të jemi bashkë, por jo në nivel global”, deklaroi ai.

Megjithatë, duke pasur parasysh numrin e madh të shprehjeve për solidaritet nga një numër i madh i njerëzve, Stojçev shqyrton edhe një mundësi tjetër.

“Situata të tilla i bashkojnë njerëzit. Parimisht në jetë ka dy strategji kur do të ndodheni para një problemi serioz. E para është të tentosh vetë ta zgjidhësh, e dyta është bashkarisht me njerëz të tjerë. Në fund duket se më mirë është të udhëtosh me shoqëri “, theksoi kryetari i Galupit. ab/

Të fundit