19/04/2024
8.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

I vunë zjarrin makinës së policit dhe një tjetre, arrestohen dy të dyshuarit

Një operacion policor i koduar “Zjarrvënësit” ka vënë në pranga dy persona të dyshuar për djegien e dy makinave.

Pas hetimeve dy mujore nga ana e policisë së Elbasanit u bë e mundur zbardhja e dy ngjarjeve, djegie automjetesh, njëra prej të cilëve ishte në pronësi të një punonjësi policie, zjarrvënie të ndodhura në muajin dhjetor 2019 dhe në muajin janar 2020.

Kështu mbrëmjen e kësaj të marte u arrestuan Gerti Hysenbelli, 31 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, i dënuar më parë për plagosje dhe Briken Rusta, 20 vjeç, lindur dhe banues ne Elbasan, i dënuar më parë për vjedhje.

Nga veprimet hetimore të kryera rezulton dy të rinjtë janë autorë të dy ngjarjeve kriminale të djegieve të automjeteve në qytetin e Elbasanit.

Ata akuzohen për ngjarjen e ndodhur më 24 dhjetor 2019, ku rreth orës 21:50, në lagjen “5 Maji”, Elbasan, ka rënë zjarr dhe është djegur pjesërisht në pjesën e përparme, mjeti tip “Benz”, në përdorim nga shtetasi Krenar Kasit, shef i paraburgimit në Bradashesh.

Po ashtu dyshohen edhe për djegien e makinës më 9 janar, rreth orës 00:10, në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, ku ka rënë zjarr dhe është djegur pjesërisht mjeti tip “Pasat”, në pronësi të inspektorit të Krimeve të Rënda, Edvin Gjyli.

Po nga informacionet e marra dyshohet se dy të rinjtë në kohë dhe vende të ndryshme kanë kryer djegie të automjeteve, në qytetin e Elbasanit.

Ndaj tyre hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për  veprën penale  “Shkatërrimi i pronës me zjarr ”, kryer në bashkëpunim.

Të fundit