Lista e këshilltarëve “Më mirë për Tetovën”, gjatë një pres konference me gazetarë afër vendin ku ndodhi tragjedia më 8 shtator, ka theksuar se tetë ditë pas tragjedisë ende nuk ka përgjegjësi konkrete dhe debatin për dorëheqjet e quan relativizim tendencioz për t`i ikur përgjegjësisë. “Kjo që i ndodhi Spitalit të Tetovës është vetëm maja e ajsbergut dhe dëshmi për krimin që është rrënjosur në strukturat e shtetit. Ky spital me vite është në gjendje mizore, me kushte çnjerëzore, me higjienë e siguri jashtë të gjitha standardeve. Dhe e gjithë kjo si pasojë e të qenit peng nga partitë dhe politika. Fakti që në mesin e viktimave ka edhe familjarë, të cilët janë detyruar të kujdesen për të afërmit e tyre, është një akt tjetër kriminal për të cilin prokuroria duhet të kërkojë përgjegjësi penale nga udhëheqësia e spitalit. Me këtë duhet të merr fund që spitali i Tetovës të drejtohet nga kuadro partiake, pasi një shëndetësi e partizuar do vazhdoj të prodhoj tragjedi të tjera si kjo”, tha Hamdi Sulejmani nga iniciativa “Më mirë për Tetovën”.
Nga iniciativa “Më mirë për Tetovën” kanë theksuar se nuk duhet të konsiderohet si politizim i tragjedisë kërkesa për përgjegjësi. “Për fat të keq drejtësia në këtë shtet disa herë ka dështuar nga presioni, korrupsioni dhe shantazhet. Kërkesa jonë për përgjegjësi për 14 viktimat në asnjë mënyrë nuk duhet të konsiderohet si politizim i tragjedisë. Hetimet të bëhen pa kursyer askënd, në cilën do qoftë pozitë shtetërore apo partiake të jenë ato. Zero tolerancë për kulturën e pandëshkueshmërisë. Mjaft më se u trash zullumi. Në të kundërtën, reagimi i tetovarëve do jetë shumë i ashpër!Ta bëjmë Tetovën qytet me Spital të sigurtë dhe funksional për të gjithë”, deklaroi Hamdi Sulejmani nga iniciativa “Më mirë për Tetovën”. (koha.mk)