29/03/2024
9.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Investitorët gjerman në vend: Dy të tretat do të investojnë sërish

Përkundër problemeve të ndryshme të shkaktuara nga pandemia , por dhe ankesave tjera megjithatë 70 për qind apo dy të tretat e investitorëve gjerman sërish do të kishin investuar në Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu interesimi për të investuar sërish në vend ka qenë mjaft i lartë edhe në vitet e kaluara me 76 për qind në vitin 2019, 74 për qind në vitin 2018, 82 për qind në vitin 2017 dhe 75 për qind në vitin 2016. Njëherësh numri i të punësuarve sivjet në raport me vitin e kaluar për 54 për qind e kompanive të anketuara do të jetë i kënaqshëm , për 26 për qind i mirë dhe për 20 për qind i keq.

“Rezultatet nuk ishin shumë befasuese, ekonomia e Maqedonisë është e brengosur për shkak të pasojave që ka shkaktuar pandemia. Anëtaret e Shoqatës ekonomike Maqedonase-Gjermane kanë theksuar si probleme ndër të tjerash edhe sundimin e ligjit dhe problemet politike”, thonë nga kjo shoqatë e biznesit. Lidhur me kënaqësinë e kushteve afariste, anketa tregon se ankesat më të mëdha vijnë për luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, sigurisë politike dhe sociale, administratës publike, sigurisë juridike dhe parashikueshmërisë së politikave ekonomike. Investitorët gjerman janë shprehur të kënaqur me produktivitetin dhe gatishmërinë për punë, koston e punës, kualifikimet e punëtorëve dhe arsimin e lartë. Nga ana tjetër, më shumë se gjysma apo 59 për qind e investitorëve gjerman të anketuar e vlerësojnë si të keqe punën e ekzekutivit. 25 për qind janë shprehur të kënaqur, 14 për qind nuk kanë mendim, dhe 2 për qind janë shprehur të kënaqshëm.

Gjithashtu, në shkallën prej 1 si notë shumë e mirë deri në 5 si notën më të dobët, kënaqësia e investitorëve gjerman me masat qeveritare për zbutjen e pasojave të pandemisë është vlerësuar me notën 4. Gjendjen ekonomike në vend, 48 për qind e të anketuarve e vlerësojnë si të keqe dhe 37 për qind si të kënaqshme. Perspektivat e ekonomisë së Maqedonisë në vitin 2021 nga investitorët gjerman me 53 për qind vlerësohen si më të këqija, 31 për qind vlerësohen si të pandryshuara dhe 16 për qind si të mira. Gjithashtu, pritjet për 40 për qind e kompanive gjermane që punojnë në vend janë se eksporti do të mbetet i pandryshuar në biznesin e tyre, për 34 për qind e bizneseve do të ketë rritje të eksportit , ndërsa 26 për qind presin përkeqësim të eksportit.

Anketa më tej tregon se investitorët gjerman nuk pritet të lëvizin fabrikat e tyre në shtetet e tjera. Më shumë se një e treta apo 40 për qind e bizneseve të anketuara nuk kanë menduar për diçka të tillë, 30 për qind thonë se diçka e tillë është pak e mundshme, 16 për qind thonë se është e mundshme dhe 6 për qind thonë se ekzistojnë shumë gjasa për një hap të tillë. Ndryshe, në vend punojnë mbi 200 kompani me kapital gjerman si Drekslemjaer,Kostal T-Home,Odv – Elektrik, Knauf,Kromberg Shubert etj që punësojnë mbi 20 mijë punëtorë,ndërsa këmbimi tregtar midis Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë në viti 2020 kishte vlerën prej 3.8 miliardë euro. Eksporti në Gjermani është i vlefshëm afër 2.8 miliardë euro, ndërsa importi nga Gjermania është I vlefshëm afër 1 miliardë euro.

Të fundit