28/05/2022
25.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Iseni: Muajt e parë të vitit 2022 kompanitë vendore funksionojnë me humbje

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të RMV-së, Drilon Iseni, në “Magazina Ekonomike” ka folur në lidhje me situatën ekonomike në kompanitë vendore.

Ai tha se bizneset në dy muajt e parë të 2022-së, janë duke funksionuar me humbje, derisa ka theksuar edhe përqindjen e shpenzimeve që këto kompani kanë, shkruan Alsat.

“Situata është e ngjashme edhe me kompanitë vendore. Bizneset që ne përfaqësojmë janë duke u përballur me një krizë financiare dhe ekonomike që nga koha e pandemisë ndërsa tash edhe me konfliktin në Ukrainë kjo krizë është duke u thelluar. Kompanitë janë duke bërë kalkulime ditore mbi harxhimet eventuale që i kanë dhe si pasojë e krizës. Ne kemi bërë një analizë dhe sipas saj muajt e parë të vitit 2022 kompanitë funksionojnë me humbje. Kemi rritje të shpenzimeve nga të përditshme nga 13-16% ndërsa rritje edhe të shpenzimeve operative nga 3-4%”, tha Iseni.

Ai foli edhe për masat e Qeverisë, ku tha se pakoja e ndihmës në parim i adresohet aspektit social, duke shtuar se duhet të kemi parasysh se cila është strategjia dalëse e vendit, më saktësisht çka do të bëhet pas 31 majit.

“Pakoja e Qeverisë në parim adresohet tek aspekti social i krizës dhe gjithsesi me këto masa do të mbrohet konsumatori i cili është shumë i rëndësishëm për ekonominë e vendit, pasi që, dihet se ekonomia e Maqedonisë bazohet në konsum kryesisht dhe në këtë aspekt është mbrojtur”.

“Duhet të kemi parasysh cila është strategjia dalëse e vendit çka do të bëhet pas 31 majit, çka do të ndodhë me këto kompani të cilat do të duhet të funksionojnë me marzh të caktuar të fitimit por edhe të shesin disa produkte me 0 fitim dhe kjo do të jetë një problem i madh, pasi që, jo çdo kompani ka kondicion që t’ia lejojë vetës një punë të tillë dhe kjo mund të rrezikojë që këto kompani të heqin duart nga këto produkte dhe të ngelin me vitrina të thata. Nëse vazhdohet në këtë formë do të harxhohet stoku”, theksoi Iseni./Alsat/

Të fundit