28/03/2024
11.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

ISHP: Vazhdon tendenca e numrit më të vogël të rasteve të reja dhe rasteve të vdekjes, në rritje numri i personave të shëruar

Për javën e tretë me radhë, vazhdon tendenca e uljes së numrit të personave të infektuar të rinj dhe të personave të vdekur, ndërsa ka rritje të vogël të numrit të personave të shëruar sipas të dhënave në raportin javor të Institutit për Shëndet Publik për periudhën nga data 3 gusht deri më 9 gusht.

ISHP-ja informon se në këtë periudhë janë kryer gjithsej 9.543 teste (1,8 për qind më pak se periudha 27 korrik – 2 gusht) dhe janë regjistruar 816 raste pozitive me Kovid-19, që është rënie prej 10,5 për qind në krahasim me javën e kaluar, kumtoi Ministria e Shëndetësisë.

Në periudhën e raportimit, ka rënie të sërishme të përqindjes së rasteve të testuar pozitivë, e cila është 8,6 për qind krahasuar me dy javët e fundit, kur 9,4 për qind ose 10 për qind e atyre të testuar ishin pozitivë. Të infektuarit e rinj janë regjistruar në 26 qytete, me përqindjen më të lartë të të infektuarve në Shkup (31,4 për qind), Shtip (11,3 për qind) dhe Gostivar (10,4 për qind). Në 16 qytete të vendit, për të njëjtën periudhë, numri i rasteve të reja të konfirmuara është nën 20.

Sa i përket strukturës së moshës të të infektuarve të rinj, në këtë periudhë përqindja më e lartë janë njerëzit mbi 60 vjeç – 25,9 për qind, dhe numër më i madh i pacientëve është regjistruar mes personave nga 30 deri në 39 vjeç – 18,4 për qind. Në grupmoshën nga 40 deri 49 vjeç, janë 17,9 për qind e pacientëve të rinj, ndërsa në grupmoshën nga 50 deri në 59 vjeç – 17,2 për qind. Numri më i ulët është regjistruar tek fëmijët nën moshën nëntë vjeç – 1,6 për qind dhe nga 10 deri në 19 vjeç – katër për qind. Nga rastet e hulumtuara në mënyrë epidemiologjike, 78 persona ose 13,6 për qind e të infektuarve të rinj janë shtruar në spital, ndërsa 196 persona ose 34,3 për qind u është regjistruar prania e komorbiditeteve. Nga numri i përgjithshëm i pacientëve të infektuar të rinj në këtë periudhë, 34,8 për qind kishin kontakte me një rast të konfirmuar të Kovid-19, ndërsa tetë persona (13 më pak se javën e kaluar) kishin histori të udhëtimit jashtë vendit në 14 ditët e kaluara.

Në periudhën nga 3 gushti deri më 9 gusht, janë regjistruar 1.038 persona të shëruar, të cilët janë shtruar në spital ose trajtuar në shtëpi, që është rritje e vogël në krahasim me periudhën e kaluar. Në periudhën nga 3 gushti deri më 9 gusht, janë regjistruar 25 vdekje, që është rënie prej 13,8 për qind krahasuar me javën e kaluar, kur gjithashtu u zvogëlua numri i vdekjeve. Shumica e rasteve janë persona mbi moshën 60 vjeçare – 56 për qind. Në kushte spitalore vdiqën 21 nga rastet, dhe katër jashtë spitalit. Komorbiditetet paraprakisht janë regjistruar tek 19-të raste të vdekjes (76 për qind).

Raporte të hollësishme të Institutit për Shëndet Publik për gjendjen e Kovid-19 në vend për periudhën nga 3 gushti deri më 9 gusht, si dhe për gjendjen kumulative të sëmundjes, janë në dispozicion në ueb faqen (веб страницата) e Institutit për Shëndet Publik. bs/bsh/

Të fundit