25/04/2024
6.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Ivanovska: Ligji në asnjë rast, as në gjendje të jashtëzakonshme nuk i liron nga përgjegjësia personat që e kanë keqpërdorur pozicionin

Fuqia e zyrtarëve në gjendje të jashtëzakonshme rritet, ndërsa për shkak të kësaj rriten edhe rreziqet nga gabimet e qëllimshme, por Kodi penal në asnjë rast, as në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme nuk i liron nga përgjegjësia personat të cilët kanë keqpërdorur pozitën dhe nuk kanë punuar në përputhje me rregullat, shprehet në intervistën për MIA-n drejtoresha e Komisionit Shtetëror të Parandalimit të Korrupsionit, Biljana Ivanovska.

Thekson se nuk duhet të habitemi lidhur me porositë katastrofave që na i dërgon natyra, meqë ligjet natyrore nuk durojnë amendamente dhe bën thirrje që qytetarët të përfshihen në luftën kundër korrupsionit meqë pasojat i prekin të gjithë edhe atë në forma të ndryshme.

Porositë se nevojitet vetëdije e lartë për të ndërprerë spiralen e rrezikshme të korrupsionit, e nëse hasen në një gjendje të tillë të palakmueshme, qytetarët të mos jenë vëzhgues të heshtur të sjelljes korruptuese duke menduar se kjo nuk i prekë ata. Për punën e KSHPK-sl dhe luftën kundër korrupsionit në gjendje të jashtëzakonshme mund të lexoni në vazhdim të intervistës së plotë.

KSHPK-ja javën e kaluar doli me qëndrimin se në kushte të krizës ka rreziqe të mëdha nga korrupsioni. Në çfarë mendonit konkretisht?

– Duke marrë parasysh gjendjen në të cilën është shteti ynë për shkak të pandemisë botërore dhe luftës për përballje me virusin korona SARS-CoV-2, Komisioni Shtetëror i Parandalimit të Korrupsionit, bashkë me Platformën e shoqatave civile për luftë kundër korrupsionit, vlerësoi se janë rritur rreziqet e gabimeve të rastësishme ose qëllimshme në ushtrimin e detyrës zyrtare të personave kompetentë në organet shtetërore, veçanërisht në proceset e prokurimeve emergjente publike dhe përdorimit të donacioneve. Prandaj ndërmerren aktivitete për ndjekjen e përmbajtjes së proceseve, transparenca dhe llogaridhënia e personave kompetentë si dhe ndjekja e realizimit të dekreteve me fuqi të ligjit dhe masave që Qeveria dhe institucionet i miratojnë në këto kushte të jashtëzakonshme, e veçanërisht të atyre që përfshijnë shpenzim të mjeteve buxhetore dhe shfrytëzim të donacioneve, e në drejtim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve dhe gjendjes ekonomike të vendit.

Çfarë mekanizmash kundër korrupsionit është e domosdoshme të vendosin institucionet në procedurat sipas dekreteve me fuqi të ligjit, si gjatë prokurimeve publike, shpërndarjes së ndihmës shtetërore dhe ngjashëm?

– Në realizimin e procedurave sipas dekreteve është veçanërisht e rëndësishme që ato të jenë para së gjithash tërësisht transparente dhe të jenë të dizajnuara në mënyrë që do të mundësojë respektimin e parimeve të barazisë dhe transparencës, gjegjësisht pjesëmarrje korrekte e operatorëve të interesuar ekonomikë, ndërsa zyrtarët t’i respektojnë parimet e integritetit, normat etike dhe standardet profesionale gjatë realizimit të autorizimeve dhe detyrave të tyre publike. Dhe kuptohet, duhet doemos të vendosen mekanizma të kontrollit dhe llogaridhënies.

A rritet apo zvogëlohet fuqia e zyrtarëve gjatë gjendjes së jashtëzakonshme?

– Rritet, e me këtë rriten edhe rreziqet për gabime të qëllimshme.

Si mund të ndiqet realizimi i dekreteve me fuqi të ligjit dhe masat që miratohen në gjendje të jashtëzakonshme? Si të dallohet me kohë korrupsioni i mundshëm apo keqpërdorimi i autorizimeve?

– Janë duke u ndjekur Dekretet me fuqi të ligjit, veçanërisht ato pas të cilave vijon Udhëzim ose Rregullore për zbatimin e tyre. Më tutje, bëhet vlerësimi i rreziqeve në kuptimin që të përcaktohet mundësia për interpretim të dykuptimtë, në kundërshtim me idenë dhe qëllimin që është dashur të arrihet, si dhe nëse është parashikuar përkufizim i detyrave dhe përgjegjësive në mënyrë që të ulet rreziku nga fuqia e koncentruar. Në fund, me teste të harmonizimit përcaktohet se si funksionon ajo që është parashikuar në dekretet, udhëzimet dhe rregulloret.

Çfarë edhe nëse shfaqet korrupsion ose keqpërdorim i autorizimeve nga institucionet, sa dhe çfarë mund të bëhet realisht në gjendje të jashtëzakonshme?

– Kodi penal në asnjë rast, as në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme nuk i liron nga përgjegjësia personat që e kanë keqpërdorur pozitën dhe nuk kanë punuar në përputhje me rregullat.

Paralajmëruat bashkëpunim me Platformën e organizatave civile për luftimin e korrupsionit në kushte të pandemisë së Kovid 19 dhe gjendjes së jashtëzakonshme. Çfarë veprimesh të përbashkëta planifikoni?

– KSHPK-ja gjithmonë ka pasur bashkëpunim me Platformën. Pas zgjedhjes së këtij Komisioni që në punën e tij i respekton veçanërisht parimet e opinionit, transparencës dhe llogaridhënies, bashkëpunimi me Platformën është në drejtim të ndërtimit të frontit të përbashkët për luftë kundër së keqes shoqërore – korrupsionit. Në këtë periudhë mbajmë video-takime dhe merremi vesh për aktivitetet në mënyrë që t’i orientojmë resurset në mënyrë racionale.

Si përfshihen qytetarët në luftën kundër korrupsionit gjatë gjendjes së jashtëzakonshme?

– Qytetarët gjithmonë mund të përfshihen në luftën kundër korrupsionit. Nevojitet vetëm vetëdije më e lartë për të ndërprerë spiralen e rrezikshme të korrupsionit, nëse hasen në gjendje të tillë të palakmueshme, por edhe të mos jenë vëzhgues të heshtur të sjelljes korruptuese duke menduar se kjo nuk i prekë ata. Të gjithë duhet ta kemi të qartë se pasojat nga korrupsioni i prekin të gjithë edhe atë në forma të ndryshme. Të mos habitemi lidhur me porositë katastrofale që na i dërgon natyra, e cila gjithnjë e më shumë po shkatërrohet për shkak të shfrytëzimit të pakuptimtë të saj që përfshin edhe korrupsion, meqë ligjet natyrore nuk durojnë amendamente.

Këshilli i avancimit dhe mbikëqyrjes së revizionit kërkoi nga Qeveria që të prolongohet afati ligjor për zbatimin e revizioneve deri më 30 shtator të vitit 2020 për shkak të pandemisë me virusin korona. Si do të ndikojë kjo në punën financiare të institucioneve?

– Kjo është kërkesë e Këshillit drejtuar Qeverisë, në mënyrë që të evitohen rreziqet nga përhapja e virusit për shkak të mënyrës dhe obligimit të revizorëve që të punojnë në terren te subjekti që është objekt i revizionit dhe të bëjnë ekspertizë në vendin e ngjarjes. Kjo nuk duhet të ketë ndikim në punën financiare të kompanive. Revizioni bëhet në raport financiar për vitin paraprak, ndërsa ajo që ndodhë tani do të jetë e përfshirë në raportet financiare për sivjet që do të rishikohen vitin e ardhshëm. Me fjalë të tjera nuk është aq e rëndësishme koha kur do të bëhet revizioni, meqë kjo nuk e ulë përgjegjësinë e subjektit. Por, në çdo të keqe gjithmonë ka edhe diçka të mirë dhe të dobishme. Puna në largësi dhe lidhshmëria elektronike janë porositë themelore pozitive që mund t’i nxjerrim nga kjo gjendje e padëshiruar. Në raport me revizionin kjo do të thoshte punë me programe softuerike revizore që janë të lidhura me bazën e të dhënave të subjektit dhe gjithsesi përdorim të dokumenteve të skanuara.

Aleksandar Atanasov

Të fundit