29/03/2024
9.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Izolim shtëpiak për të gjithë që kanë qenë në kontakt me drejtoreshën e infektuar me koronavirus

Të gjithë personat që kanë pasur kontakte parësore me drejtoreshën e Klinikës së sëmundjeve të lëkurës, e infektuar me koronavirus, u është përcaktuar masa izolim shtëpiak. Klinika do të mbyllet përkohësisht dhe do të dezinfektohet, informoi në konferencën e sotme për media ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe. Ai tha se priten rezultatet nga testimi i koronavirusit për tetë persona, të cilët nuk kanë lidhje me drejtoreshën e infektuar. Rezultatet nga testimi priten gjatë ditës.

“Pas vendosjes së pacientes mjeke në Klinikën infektive edhe dy anëtarë të familjes së saj janë në izolim shtëpiak. Janë intervistuar të gjithë të punësuarit, si dhe pacientët në Klinikën për dermatologji dhe me vendim të Inspektoratit shtetëror sanitar shëndetësor të gjithë do të shkojnë në izolim shtëpiak 14 ditorë. Gjithsej 64 të punësuar. Në izolim shtëpiak janë edhe 11 pacientë të cilët kanë qenë të hospitalizuar në Klinikë dhe te të cilët mjekimi mund të vazhdojë në kushte shtëpiake dhe 13 pacientë që janë trajtuar gjatë javës së kaluar në spitalin ditor, që do të thotë kanë ardhur vetëm për të marrë terapi”, tha Filipçe.

Ai shtoi se edhe pse të gjithë janë me shkallë të ndryshime të rrezikut nga më i vogli, i mesëm dhe i lartë sipas intensitetit të kontaktit me mjeken e infektuar, kompetentët vlerësojnë se duhet të ndërmerret kjo masë për të gjithë që kanë qenë madje edhe në kontakt më të shkurtër me të.

“Gjatë fundjavës u mbajt një konferencë e dermatovenerologëve ku kanë marrë pjesë gjithsej 103 persona, disa prej tyre të punësuar në Klinikë. Të gjithë janë kontaktuar përmes telefonit, me disa prej tyre tashmë janë realizuar intervista nga epidemiologët dhe për të gjithë është dhënë izolimi në shtëpi. Midis mysafirëve ka pasur edhe tre persona nga Greqia për të cilët personalisht e njoftova ministrin grek të Shëndetësisë për identitetin e tyre”, tha Filipce.

Ai shtoi se drejtoresha duhet të shkarkohet, por për shkak se jemi në periudhë parazgjedhore kjo nuk është e mundur. Në pyetjet e gazetarëve nëse ka elemente për përgjegjësi penale, ai tha se ajo që ata mund të bëjnë është në rastin e parë ta shkarkojnë dhe se institucionet tjera duhet të ndërmarrin atë që duhet të ndërmarrin.

“Edhe pse ndërmorëm masa para kohe edhe para shumë vendeve fqinje dhe i zbatuam të gjitha masat e kujdesit si në aeroport, ashtu edhe në hyrjet e vendit, kjo që u ballafaquam sot është gjë vërtet shumë dëshpëruese”, tha Filipçe.

Sipas ministri të Shëndetësisë, mbeten në fuqi të gjitha masat dhe rekomandimet e propozuara deri tani, ndërsa a do të ketë të ri do të diskutohet nesër në seancën e Komisionit për sëmundje infektuese.

“Në këtë kuptim, përsëri u bëj thirrje të gjithë atyre që u është përcaktuar masa e izolimit shtëpiak nëse kanë udhëtuar në rajone me rrezik t’u kushtojnë vëmendje masave dhe t’u përmbahen të gjitha masave që ne si MSH i kemi përsëritur disa herë në ditë, për disa javë, ndërsa rrezikimi i shëndetit publik është kundërvajtje shumë e rëndë. Askush nuk do të kursehet nga përgjegjësia. Dua të bëj thirrje për maturi, dua të bëj thirrje për respektim maksimal absolutisht të të gjitha rekomandimeve”, tha ministri Filipce.

Ai paralajmëroi se me siguri do të mbyllen edhe Reparti për sëmundje të lëkurës në Shtip, sepse të gjithë mjekët kanë marrë pjesë në simpoziumin në Shkup. Duke pas parasysh se është paralajmëruar dhe mbyllja e Klinikës për sëmundje të lëkurës në Shkup, potencoi ministri i Shëndetësisë, pacientët që duhet të kontrollohen do të udhëzohen në Spitalin e qytetit “8 Shtatori” në Shkup.

Lidhur me tetë personat për të cilët pritet rezultati nga testimi, ministri i Shëndetësisë potencon se nuk kanë lidhje me drejtoreshën e infektuar në Klinikë.

“Tetë pacientë të tjerë aktualisht po ekzaminohen në Klinikën e sëmundjeve infektive. Është një pacient me simptoma, i cili, më 26 shkurt ka qëndruar në Bullgari ka zhvilluar simptoma të ngjashme me gripin, ashtu si edhe gruaja e tij. Testohet edhe një udhëtarë nga Singapori, shtetasi ynë, i cili u kthye në vendin tonë tre ditë më parë, katër persona që ishin në kontakt me pacientët nga Dibra, të cilët ishin pozitivë në koronavirus, si dhe një pacient nga Gjevgjelia”, tha Filipçe.

Ai apeloi informacionet të merren nga Ministria e Shëndetësisë për shkak se, siç tha, informacionet e rreme shfrytëzohen për të krijuar panik.

Drejtoresha e Klinikës për sëmundje infektive Nina Caca Biljanovska është rasti i katërt i konfirmuar me koronavirus në vend. Ajo para një jave ka udhëtuar në Itali dhe pesë ditët e fundit ka qenë rregullisht në punë.Mia.sn

Të fundit