29/03/2024
9.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Janeva mohon përzierje në “Reket”, pohon se dikush me të gjitha forcat po tenton ta rrënojë PSP-në

Prokurorja speciale në dorëheqje, Katica Janeva dje në konferencë për shtyp mohoi se është e përzier në rastin “Reket”. Akuzoi se kundër saj dhe familjes së saj po zhvillohet gjueti që prej marrjes së funksionit, me qëllim të diskreditimit të saj. Kërkoi falje që deri më tani nuk ka dalë në opinion, për, siç tha, të mos krijohej përshtypja se po bën presion apo përzihet në veprimet hetuese.

Para konferencës për shtyp, Prokuroria publike kumtoi se dje ishte gjetur dhe marrë edhe telefoni i saj i dytë celular për të cilin pohohej se është humbur, Është gjetur tek personi i cili kishte deklaruar se i ishte dhënë dhuratë.

Janeva, e cila dha dorëheqje nga funksioni, dje u paraqit në hapësirat e PSP-së. Ajo nga e marta e kaluar ishte me raport mjekësor, pasi të hënën dha dorëheqje nga funksioni. Që atë ditë nuk pati qasje për opinionin.

Janeva lidhet me rastin “Reket” me ç’rast i është marrë telefoni dhe është dhënë për ekspertizë.

“Me përgjegjësi pohoj se në asnjë mënyrë, as me vetëdije dhe pa vetëdije, veprim apo mosveprim nuk e kam keqpërdorë detyrën të cilën për momentin ende e kryej dhe publikisht i inkurajoj organet e gjyqësisë t’i pastrojnë të gjitha rrethanat rreth rastit ‘Reket’”, tha ajo.

Pohoi se janë njohur me Bojan Jovanovskin.

“E vërtetë është se shumë persona nga jeta politike dhe publike njihemi me Bojan Jovanovskin. Nuk e kam fshehur se djali im punon në 1TV dhe në baza ditore komunikon me personin i cili është i dyshuar, por kjo nuk do të thotë se dikush ka përfituar të drejtën ta shfrytëzojë detyrën time zyrtare që të realizojë privilegje dhe aktivitete joligjore”, ka thënë Janeva duke shtuar se pret procedurë transparente që t’u jepet fund të gjitha informacioneve për siç tha, “dikush tenton ta dëmtojë imazhin dhe nderin tim”.

Tha se një kohë shumë të gjatë deri te ajo arrijnë zëra se jo vetëm Bojan Jovanovski por edhe shumë të tjerë pa e ditur, e kanë keqpërdorur emrin dhe mbiemrin e sa për qëllime të ndryshme.

Përkujtoi se tashmë ka deponuar dorëheqjen, që do të bëhet aktive atëherë kur partitë politike do të harmonizohen për zgjidhjen e re ligjore për statusin e PSP-së.

“E dorëzova dorëheqjen sepse nuk dua të përdorem si alibi i dikujt për integrimet evropiane, por konfirmoj se në asnjë mënyrë nuk do të ndikoj në rezultatin përfundimtar për rastin ‘Reket’. PSP-ja është më e madhe dhe më rëndësishme se funksioni im i tanishëm, ishte dhe besoj se do të mbetet simbol i betejës së pamëshirshme kundër korrupsionit të lartë dhe krimit”, tha ajo.

Theksoi se lë si trashëgimi dhjetëra raste të mbyllura, të gatshme për procesim të shpejtë.

“Ato lëndë do t’i japin përgjigje opinionit se dikush me të gjitha forcat tentonte të pengojë rizgjedhjen time dhe me gjueti të paparë mediatike po tenton ta dëmtojë edhe imazhin e PSP-së”, përfundoi Janeva në deklaratën për mediat të dhënë në PSP.

Javën e kaluar, prokurorët e PSP-së në deklaratë për mediumet bënë thirrje për ndriçim të rastit “Reket”, por edhe respektim të presumpcionit të pafajësisë , si dhe ruajtjes së integritetit të Prokurorisë. Kërkuan që veprimet e mundshme inkriminuese të mos ndërlidhen me tërë punën e PSP-së.

Ekipi i prokurorëve pohon se nuk janë sjellë në pikëpyetje hetimet dhe lëndët e hyra në procedurë gjyqësore edhe krahas asaj që konstatohet përzierje e shefes së tyre në rast tjetër. PSP, thanë ata, është institucion në të cilin punojnë prokurorë dhe hetues me integritet të lartë.

Diplomatët e huaj për rastin “Reket” me mbështetje që të zbatohet hetim i hollësishëm dhe i shpejtë.

“SHBA-ja përkrah hetim themelor, të shpejtë dhe transparent në të gjitha rastet ku ekzistojnë elemente për korrupsion dhe keqpërdorim të funksionit. Është jashtëzakonisht me rëndësi, në çdo rast, që ata individë të thirren në përgjegjësi, e Qeveria të ndërmarrë veprime. I çmojmë dhe i përshëndesim hapat që i ndërmerr Qeveria për pengimin e korrupsionit dhe në luftën kundër mosndëshkimit”, deklaroi në intervistë për Alsat M, ambasadorja amerikane në vend, Kejt Bërns.

Bërns theksoi se SHBA-ja i ndjek ngjarjet aktuale dhe e përkrahin prokurori të fuqishme, të pavarur dhe se është me rëndësi të ruhen kapacitetet e Prokurorisë së posaçme.

Edhe euroambasadori Samuel Zhbogar para disa ditësh tha se ngjarjet e fundit lidhur me rastin “Reket” nuk duhet të kenë pasoja ndaj perspektivave të vendit që të marrë datë të negociatave me BE-në.

Përkundrazi, siç tha, aktivitetet që i ndërmerr Prokuroria themelore paraqesin funksionim të sundimit të së drejtës.

Për rastin “Reket” Prokuroria publike hapi hetim kundër dy të dyshuarve për rastin në të cilin janë të involvuar pronari i një televizioni, një biznesmen dhe një prokuror publik. Pronari joformal i televizionit 1TV, Bojan Jovanovski dhe biznesmeni Zoran Mileski – Kiçeec dyshohen për veprën penale marrje të shpërblimit për veprim kundërligjor, ndërsa Jovanovski dyshohet edhe për larje parash. ab/

Të fundit