23/04/2024
7.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Kasami: Zgjedhje të parakohshme sepse Qeveria s’ka as legjitimitet për të zgjidhur problemin me Bullgarinë

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, nuk beson se mosmarrëveshjet mes Shkupit dhe Sofjes mund të zgjidhen nga Qeveria e re që pritet të drejtohet nga Dimitar Kovaçevski. Në një prononcim për gazetën LAJM, Kasami tha se kjo qeveri nuk do të ketë as legjitimitet dhe as gatishmëri për të tejkaluar mosmarrëveshjet me Bullgarinë që po mbajnë të bllokuar çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian. Daljen nga kjo situatë ai e sheh përmes mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

“Kjo shumicë parlamentare besoj që nuk e ka gatishmërinë, së pari, por edhe legjitimitetin për të zgjidhur mosmarrëveshjet me Bullgarinë dhe kjo është një arsye shtesë që besoj se duhet të kemi zgjedhje të reja në të cilat detyrimisht, një ndër pikat për të cilat do të debatohet do të jetë edhe oferta e partive politike karshi zgjidhjes së problemit me Bullgarinë që është një ndër kushtet e rëndësishme për të vazhduar procesi eurointegrues. Prandaj, vlerësoj se duhet të ketë zgjedhje të reja dhe një ndër pikat me të cilat do të duhet të ballafaqohen partitë, veçanërisht ato maqedonase, sa i përket zgjedhjeve do të jetë edhe oferta se si më tutje me zgjidhjen e problemit të Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”

LAJM: A ka mandat Kovaçevski për të formuar Qeverinë?

Kasami: Vlerësoj që jo vetëm Kovaçevski por kjo shumicë qeveritare nuk ka legjitimitetin e qytetarëve që të vazhdojë që të jetë në krye të ekzekutivit sepse vetë ata delegjitimuan vetëveten. Në zgjedhjet e 2020-tës Zoran Zaev ishte ai i cili mori mandatin për të udhëhequr në emër të shumicës parlamentare por me zgjedhjet lokale ai e delegjitimoi vetëveten sepse pranoi sfidën që nëse nuk fiton në zgjedhjet lokale do të tërhiqet si kryeministër. Nga momenti i tërheqjes së tij si kryeministër, vlerësoj që nuk ka një person tjetër brenda LSDM-së dhe kësaj shumice që ka legjitimitetin për të vazhduar qeverisjen e kësaj shumice, pra detyrimisht rezultati i zgjedhjeve lokale kërkon një qeverisje të re.

Të fundit