20/04/2024
10.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

“Katërshja kursimtare” fuqimisht kundër planit ekonomik të Merkelit dhe Makronit

Katër shtetet e BE-së, të cilat quhen “Katërshja kursimtare”, sot e kanë prezentuar propozimin e tyre për rimëkëmbjen e ekonomisë pas Kovid-19 dhe sërish i kanë hedhur poshtë të gjitha instrumentet e përbashkëta për rregullimin e borxheve.

Grupi, të cilin e përbëjnë Austria, Holanda, Danimarka dhe Suedia, kërkon ndihmë urgjente për vendet seriozisht të goditura në formë të borxheve të njëfishta, të cilat duhet të kontraktohen në afat prej dy viteve, thuhet në propozimin e publikuar nga zyra e kancelarit austriak, Sebastian Kurc.

Krahas kësaj, borxhi duhet “të orientohet drejtë aktiviteteve që kontribuojnë më së shumti për rimëkëmbjen, siç janë hulumtimet dhe inovacionet, qëndrueshmëria e rritur në sektorin shëndetësor dhe sigurimi i tranzicionit të gjelbër”, thuhet në propozim.

Paraprakisht këtë javë, presidenti francez, Emanuel Makron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, propozuan fond prej 500 miliardë euro për ringjalljen e ekonomisë së shkatërruar në Evropë për shkak të pandemisë me Kovid-19.

Fakti se Gjermania ka nënshkruar plan të përbashkët për borxh, llogaritet për pikë historike e kthesës për Bashkimin Evropian.

Por, e ashtuquajtura “Katërshja kursimtare” vazhdon të insistojë se nuk duhet të ketë “reciprocitet të borxhit”, proces për të cilin thonë se do t’u mundësojë ekonomive më pak të disiplinuara dhe më të dobëta të BE-së të kenë dobi të paarsyeshme nga financimi më i lirë në kurriz të partnerëve të tyre nga veriu më i fuqishëm i Bashkimit Evropian.

Në propozimin thuhet se përkrahja për rimëkëmbjen ekonomike duhet të shoqërohet me “përkushtim të fuqishëm të reformave dhe kornizë fiskale” – obligim kyç për vendet pranuese të ndihmave.

Katër vendet, po ashtu thonë se duhet të jetë e domosdoshme të “mbrohen harxhimet nga mashtrimi” përmes përfshirjes së ngushtë të prokurorëve evropianë dhe nëpunësve antikorrupsion.

Ky propozim e hedh poshtë mundësinë për çfarëdo “rritje të konsiderueshme” në buxhetin e BE-së, siç është paraparë në planin e Makronit dhe Merkelit për financimin e programit për rimëkëmbje. bsh/

Të fundit