19/04/2024
8.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

KE dëshiron ta përfshijë Ballkanin Perëndimor në Konferencën për të ardhmen e Evropës

Komisioni Evropian dëshiron ta përfshijë Ballkanin Perëndimor në Konferencën për të ardhmen e Evropës, por vendimin përfundimtar e miratojnë vendet anëtare të BE-së, ndërsa prej atje akoma nuk ka pozicion të qartë, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

Në përgjigje të MIA-s për këtë pyetje nga kabineti i nënkryetares së Komisionit Evropian përgjegjëse për këtë Konferencë, Dubravka Shuica, konfirmuan se ky institucion dëshiron të shohë rajonin e përfshirë në këtë ngjarje e cila fillon më 9 maj.

“Komisioni është i hapur për t’i përfshirë qytetarë dhe organizatat nga vendet e Ballkanit Perëndimor – fqinjët tanë të ngushtë – në Konferencën për të ardhmen e Evropës. Pandemia ka treguar deri në cilën masë vendet anëtare të BE-së dhe vendet e tjera në Evropë, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor, varen nga njëra-tjetra, u përgjigjën nga kabineti i Shuicas për MIA-n.

Konferenca për të ardhmen e Evropës duhej të fillonte vitin e kaluar, por u shty për këtë, më 9 maj, Dita e Evropës. Zyrtarisht për shkak të pandemisë, jozyrtarisht sepse vendet anëtare nuk janë akoma në gjendje të bien dakord plotësisht për modalitetet e kësaj Konference, e cila duhet t’i hedhë bazat për të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe kontinentit bazuar në konsultimin e drejtpërdrejtë me qytetarët.

Parlamenti Evropian që vitin e kaluar përmes një rezolutë kërkoi për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor dhe një numër eurodeputetësh vazhdimisht theksojnë se rajoni duhet të marrë pjesë si një fqinj kryesor i Unionit dhe si një rajon me një perspektivë të qartë për anëtarësim në BE.

Siç është shpjeguar nga Komisioni Evropian është vendosur një Bord Ekzekutiv në BE i cili duhet të miratojë vendim për modalitetet e Konferencës, përfshirë edhe pjesëmarrjen e rajonit, por vendimet merren me konsensus midis tre institucioneve kryesore të BE-së: Komisioni, Parlamenti dhe Këshilli.

Ideja është që Bashkimi Evropian të fillojë një dialog thelbësor dhe gjithëpërfshirës me qytetarët e tij që e shohin Brukselin shumë larg realitetit në terren. Bordi Ekzekutiv është i përbërë nga përfaqësues të tre institucioneve kryesore, por edhe i Komitetit për Rajonet, Sindikatat dhe Organizatat e Punëdhënësve.

Qytetarët dhe organizatat do të kenë mundësinë përmes një platforme digjitale të paraqesin propozime dhe të kontribuojnë drejtpërdrejt në diskutime dhe debate rreth të ardhmes së Unionit dhe kontinentit, si dhe të organizojnë ngjarje. Debatet do të përqendrohen në tetë tema kryesore: ndryshimet klimatike, shëndeti, ekonomia, roli i BE-së në botë, të drejtat dhe liritë, digjitalizimi, demokracia dhe kategoria e tetë, për ide të tjera nga qytetarët. Mbetet të shihet nëse vendet e rajonit do të përfshihen dhe si.

Konferenca duhet të zgjasë një vit.

Të fundit