29/03/2024
9.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Këshilli Ekonomik Social mban mbledhje, sindikatat do të kërkojnë tërheqjen e ligjit për pagat në sektorin publik

Në Qeveri pasdite mbahet seancë e Këshillit ekonomik-social i cili duhet të debatojë  për Marrëveshjen e përgjithshme kolektive për sektorin publik dhe të fillojnë bisedat e para për projekt-ligjin për paga në sektorin publik, i cili për sindikatat është i papranueshëm dhe kërkojnë të tërhiqet.

“Marrëveshja e përgjithshme kolektive është propozim i LSM-së prej para dy viteve,  ky është propozim teksti për të cilin do të debatohet sot, do të shohim nëse Qeveria  do të mbetet në atë tekst. Mendoj se situata ka ndryshuar, do të shohim ç’farë do të thotë Qeveria, e dinë shumë mirë qëndrimin tonë”, deklaroi para fillimit të seancës Tërpe Deanovski nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.

Ai përsëriti se për të gjitha sindikatat nga sektori publik është i papranueshëm projekt-ligji për paga në sektorin publik, duke theksuar se janë bashkuar në lidhje me këtë çështje dhe se kërkojnë të përgatitet ligj i ri, ndërsa në lidhje me grupet e punës që do të përgatisin të përfshihen edhe sindikatat.

“Është nënshkruar një Deklaratë nga të gjitha sindikatat në sektorin publik, qofshin LSM, KSL, SASHK, KOSM, se nuk do ta kalojmë këtë tekst të propozuar dhe po kërkojmë një të ri ku sindikatat do të përfshihen në grupe pune për përgatitjen e ligjit dhe se nuk pajtohemi me metodologjinë për përcaktimin e pagave”, tha Deanovski.

Harmonizimi i pagave, vlerësoi ai, nuk mjafton për t’u konsideruar si rritje e tyre.

“Nëpunësit administrativë nuk kanë pasur rritje pagash që nga viti 2016. Kjo nuk është një rritje page, kjo po përputhet me rritjen e pagës minimale. Nëse merret parasysh se inflacioni vitin e kaluar ishte shumë më i lartë se ky harmonizim, të gjithë do të konstatojnë se ky harmonizim prej 2170 denarë nuk mjafton për të ushqyer një familje katër anëtarëshe. Mendoj se duhet bërë një metodologji e re, që të mos jetë vetëm paga minimale si pjesë e asaj që do të marrim çdo vit me harmonizim. Do të duhet të bëhen edhe llogaritë tjera që të ketë rritje të vazhdueshme të pagave çdo vit, por kjo të mos jetë e lidhur me pagën minimale, por me pagën mesatare”, tha Deanovski.

Marjan Risteski nga Konfederata e Organizatave Sindikaliste të Maqedonisë KOSM theksoi se do të kërkojnë të tërhiqet projekt-ligji për paga në sektorin publik dhe se do t’i njoftojnë vërejtjet për marrëveshjen kolektive.

“Po ndodh ajo që prisnim të gjithë, kaos total, nuk e dimë se kush ka rritje rroge e kush jo. Le të shohim se çfarë thonë ata. Pastaj është radha jonë si sindikatë. Pakënaqësia është e madhe. Do të kërkojmë që ligji për pagat në sektorin publik të tërhiqet plotësisht. Të shohim se çfarë ofron marrëveshja kolektive dhe pas kësaj seance nëse nuk ka përgjigje nga Qeveria, do të thërrasim kryesinë më të lartë të Konfederatës, shpresoj edhe sindikatat tjera dhe duhet të reagojmë”, tha Risteski.

Kryetari i Kuvendit të Organizatës së Punëdhënësve, Angel Dimitrov, tha se rolin kryesor sot do ta kenë sindikatat dhe Qeveria sepse bëhet fjalë për pagat në sektorin publik.

“Ne si punëdhënës nuk na intereson vetëm një gjë, me rritjen e pagave në sektorin publik duhet ndjekur edhe rritja në sektorin privat, aty krijohet vlera e re dhe prej andej sigurohen mjete për mbushjen e buxhetit të cilit do të duhet t’i paguhen pagat e sektorit publik”, tha Dimitrov.

Të fundit