23/04/2024
8.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Kodin Zgjedhor/Secila parti me propozim të vetin!

Partia më e madhe shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), opozitaret Aleanca për Shqiptarët (ASH) dhe Lëvizja BESA, kanë propozimet e tyre për sa I përket ndryshimeve të Kodit Zgjedhor në pjesën e modelit zgjedhor. BDI vlerëson modeli aktual me gjashtë njësi zgjedhore është më i përshtatshëm, ASH kërkon 8 njësi zgjedhor, ndërsa Lëvizja BESA 3 njësi zgjedhore, shkruan PRESSonline.mk

Nga ana tjetër dy partitë më të mëdha politike maqedonase, LSDM-ja në pushtet dhe opozitarja VMRO-DPMNE mbështesin propozimin e partive më të vogla maqedonase që Maqedonia e Veriut të jetë një njësi zgjedhore.

“Gjashtë njësi zgjedhore pasqyrojnë më së miri strukturën heterogjene të popullsisë dhe përfaqësojnë më së miri bashkësitë etnike. Ky model është i përshtatshëm për realitetin në vendin tonë, por gjithmonë ka nevojë për përmirësim dhe ne jemi pjesë e procesit të arritjes së konsensusit. Zgjedhjet dhe Kodi Zgjedhor janë pjesë e demokracisë”, thonë nga BDI.

ASH-ja vlerëson se për të arritur një zgjidhje për ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet një konsensus më i gjerë, veçanërisht mes katër partive më të mëdha politike.

“Nuk ka model ideal të zgjedhjeve dhe çdo propozim ka avantazhet dhe disavantazhet e veta, por ne mbetemi në qëndrimin tonë të tre viteve më parë. Zgjidhja më e mirë është modeli zgjedhor, në përpjesëtim me listat e hapura dhe me tetë njësitë zgjedhore. Mendojmë se nëse i përgjigjet pyetjes se çfarë Kuvendi na duhet, atëherë duhet një Kuvend me përfaqësim real procedural në baza politike dhe etnike”, thonë nga ASH-ja.

Lëvizja BESA nuk e mbështet modelin me një njësi zgjedhore, por angazhohet për tre. Kështu deklaroi deputeti nga radhët e VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshoski pas takimit me deputetët e BESA-s.

“Jemi në qëndrim të përbashkët me kolegët tanë deputetë nga BESA që të ketë ndryshime në modelin zgjedhor, duke qenë se dallimet janë në numrin e njësive zgjedhore. VMRO-DPMNE mendon se më mirë do të ishte një zonë zgjedhore, ndërsa pozita e Besës është për tri njësi”, deklaroi Milloshoski, përcjell PRESSonline.mk

Ndërkaq, LSDM-ja, siç kanë deklaruar nga kjo parti, është e përkushtuar për një njësi zgjedhore. “Ne besojmë se është e nevojshme dhe për demokracinë tonë parlamentare do të ishte më e përshtatshme të kishim një zonë elektorale. Jemi të vetëdijshëm se për çdo ndryshim në Kodin Zgjedhor, veçanërisht me ndryshimin e modelit zgjedhor, duhet të ketë konsensus. Duhet të sigurohemi që Kodi Zgjedhor të zhvillojë zgjedhje të ndershme dhe demokratike”, thonë nga LSDM.

Nga VMRO-DPMNE thonë se përveç ASH-së dhe Lëvizjes BESA, për një zonë zgjedhore janë dakord edhe përfaqësuesit e partive tjera politike. “Presim që kryetari i Parlamentit të krijojë kushte që ajo pikë të hapet. Synimi i të gjithëve është që ky ligj të fillojë me procedurë në Parlament dhe jemi dakord për një debat publik. Synimi është që fillimisht të fillohet me procedurën parlamentare të këtij projektligji”, shprehen nga VMRo-DPMNE. (PRESSonline.mk)

Të fundit