11/10/2024
19.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Komisioni Anketues për rastin e Onkologjisë, dëshmuan pacientët, kërkuan zbardhjen e rastit

Pacientët që trajtohen në Klinikën e Onkologjisë kërkojnë zbardhjen e menjëhershme të rastit, si dhe politika të heqë dorë nga ky skandal. Para anëtarëve të Komisionit Hetimor, ata treguan se besimi në sistemin shëndetësor është lëkundur dhe kjo ndikon më tej në shëndetin e tyre.

“Ju si njeri a konsideroni  që pacientët tanë  duhet të kenë besim tek mjekët e tyre, po flas për Klinikën e Onkologjisë, sepse do të zgjohet dyshimi te secili pacient se ndoshta pikërisht ai ka marrë terapi adekuate apo nuk ka pranuar terapi, a është vënë në rrezik jeta e tij.”, – theksoi Nenad Kociq nga LSDM.

“Unë besoj te mjeku im. Jam paciente e dr. Ilir Ismailit, unë jam shtatë vite te ai. Unë ende i besoj këshillave të tij. Besimi tek to është lëkundur, nuk them se nuk është, por ne nuk kemi zgjidhje tjetër.”, – deklaroi kryetarja e Shoqatës së Pacientëve, Makedonka Ikonomova Davçeva.

Kryetarja e Komisionit Anketues siguroi se çështja do të zbardhet plotësisht, pavarësisht se cili do të jetë epilogu.

“Karcinomi sistematik është më i vështirë se ai biologjik, sepse vret masovikisht. Unë ua jap fjalën dhe u premtoj se të gjithë anëtarët dhe zëvendës anëtarët  dhe ky komision anketues do të zbardh të vërtetën cila do që të jetë ajo.”, – theksoi kryetare e Komisionit Anketues, Rashella Mizrahi.

Një pjesë e pacientëve dëshmuan se terapia në klinikë nuk është cilësore, por pa përgjigje konkrete nëse mjekët kanë kërkuar ryshfet. Darian Petrov thotë se terapinë për nënën e tij e ka marrë nga jashtë.

“Nuk është kërkuar nga ne dhe mendoj se nuk kanë guxuar të bëjnë një gjë të tillë, sepse e njohin nënën time se një gjë të tillë nuk do ta lejonte, ne në fund nuk e morëm, sepse një herë vendosëm që të marrim terapinë nga atje dhe nuk ishte në dispozicion.”, – u shpreh Darjan Petrov nga Nisma Qytetare “Përgjegjësia”.

Komisioni Anketues përfundon me dëgjimin e dëshmive të premten dhe më pas nevojitet një muaj që të përgatiten konkluzat. Deri më tani në pyetje u morën ish-ministra të Shëndetësisë, drejtorë të Onkologjisë, të Fondit të Shëndetësisë, si dhe ekspertë. Rasti i Onkologjisë ende është në procedurë parahetimore, ndërsa nga Prokuroria thonë se intensivisht po punohet për zbardhjen e tërësishëm të rastit.

Të fundit