20/08/2022
24.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Komisioni për Sëmundje Infektive do të vendos për regjim kufitar me Serbinë dhe Kosovën

Komisioni për Sëmundje Infektive në takimin e sotëm do të bisedojë për vendosjen e sërishme eventuale të regjimit të kufirit me Serbinë dhe Kosovën apo mbylljen e vendkalimeve kufitare me këto vende, duke pasur parasysh zhvillimin e situatës me koronavirusin në fqinjësi.

“Komisioni për Sëmundje Infektive në mënyrë aktive e ndjek situatën epidemiologjike me koronavirusin në rajon dhe vendet fqinje dhe është e mundur kthimi i masave në drejtim të parandalimit të rreziqeve potenciale për shëndetin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov thotë se vendimi për mbylljen eventuale të kufijve nuk do të jetë politik, pasi kriteri kryesor është pasqyra epidemiologjike.

“Në çështjen e hapjes ose mbylljes së kufijve nuk ka politikë, kriteri kryesor është pasqyra epidemiologjike. Kriter kryesor për BE-në është afër ose nën 20 raste të reja të KOVID-19 të regjistruara në 14 ditët e fundit për 100.000 banorë”, deklaroi ministri Nikolla Dimitrov.

Çelësi për këtë, tha Dimitrov, është se sa më shumë t’i përmbahemi masave – mbajta e maskës dhe mbajtja e distancës, aq më e mirë do të jetë pasqyra epidemiologjike dhe sa më shpejt të hapen të gjithë kufijtë tanë.

I pyetur nëse do të marrim masa reciproke duke i hapur ose mbyllur kufijtë, Dimitrov, tha se ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe Shtabi i krizave i qeverisë e monitorojnë situatën në të gjitha vendet në baza ditore dhe do të marrin vendime bazuar në rekomandimet e epidemiologëve.

Sipas të dhënave më të fundit, në Serbi në 24 orët e fundit, janë regjistruar 359 raste të reja me koronavirus dhe gjashtë persona kanë vdekur. Janë testuar 9.013 persona dhe 81 pacientë janë në respirator. Kështu, numri i përgjithshëm i viktimave u ngrit në 287 dhe numri i rasteve aktive u rrit në 1.996.

Situata në Beograd është më problematikja sepse 82.5 për qind e të gjithë personave të infektuar janë regjistruar në kryeqytetin serb. mb/

Të fundit