17/04/2024
12.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Komiteti i Helsinkit: Kriza shëndetësore nuk duhet të shndërrohet në krizë ndëretnike

Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut me shqetësim të madh konstaton se kriza e shkaktuar nga shfaqja e koronavirusit, këto ditë intensivisht shfaqet edhe në fushën ndëretnike. Në javët e para të gjendjes së jashtëzakonshme, deklarata diskriminuese ishin kundër atyre të infektuarve me Kovid-19, përmes kërkesave për të publikuar të dhëna personale, shkelje të të drejtave të pacientëve dhe forma të ngjashme të stigmatizimit. Tensionet e shkaktuara nga masat kufizuese janë zhvendosur gradualisht në sferën e nacionalizmit, kryesisht për shkak të faktit se jemi në një periudhë parazgjedhore. Fatkeqësisht, të gjitha thirrjet për solidaritet dhe empati në kushte të një fatkeqësie që prek të gjithë qytetarët, bëhen të pakuptimta kur kriza shëndetësore dhe ekonomike pasohet nga një krizë në marrëdhëniet ndëretnike.

Në këtë situatë kanë kontribuar shumë faktorë: heshtja e institucioneve para vullnetit të autoriteteve fetare që vepruan në kundërshtim me të gjitha rekomandimet për mbrojtjen e shëndetit publik, funksionimin e shtetit me një qeveri teknike, mbulimin selektiv të mediave dhe prezencën masive të dezinformimeve dhe nxitjen e gjuhës së urrejtjes. mbi baza etnike nga figurat publike.

Në këtë drejtim, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut paraqiti sot parashtroi padi penale kundër akademikes Katica Qulavkova për deklaratën e saj në rrjetet sociale, e cila inkurajon intolerancën midis bashkësive etnike. Tuiti i saj, “Çmimin e bashkëjetesës e paguajmë me jetë”, nënkupton se arsyeja e përhapjes së virusit janë marrëdhëniet ndëretnike, dhe jo mosrespektimi i përhapur i masave. Duke pasur parasysh se në vendin tonë mbizotëron gjuha e urrejtjes mbi bazën e përkatësisë etnike, përhapja dhe nxitja e një fjalimi të tillë ka një peshë të veçantë, sepse ajo çon në krime të urrejtjes, pra nxitjen e pasioneve nacionaliste. Dhe ato sipas definicionit janë shkatërruese ndaj strukturës së ndjeshme shoqërore dhe kanë potencial të dëmtojnë sigurinë kombëtare. Veçanërisht e rrezikshme është kur një fjalim i tillë përdoret nga intelektualë, politikanë, gazetarë dhe njerëz të tjerë me ndikim më të madh shoqëror.

Megjithëse praktika tregon se prokuroria dhe gjykata pothuajse kurrë nuk përpunojnë raste të gjuhës së urrejtjes, vlerësojmë se është e domosdoshme të dënojmë veprimet e të gjithë figurave publike që ndikojnë në thellimin e përçarjeve dhe nxitjen e urrejtjes. Në të njëjtën kohë, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve dhe aktorëve socialë që të tregojnë vetëdije dhe përgjegjësi më të lartë dhe të mos lejojnë përshkallëzimin e këtyre fenomeneve tejet negative.

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut

Të fundit