Sekretarja shtetërore franceze për Evropë, Lorans Bun e konfirmoi mbështetjen franceze për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE, duke vlerësuar se viti 2030 është ambicioz, por nuk është joreal. Bun në takimet me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, presidentin Stevo Pendarovski dhe me të tjerët, tha se i ka shfrytëzuar që të dërgojë tri porosi, për miqësinë maqedonase-franceze, për inkurajimin e vendit në rrugën për integrimin e plotë evropian dhe për angazhim të vazhdueshëm të përbashkët, gjegjësisht thellimin e dialogut në të gjitha temat veçanërisht në kuadër të bashkësisë politike evropiane, si dhe përforcimin e marrëdhënieve ekonomike.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski, dje në konferencën e përbashkët për media me Bun porositi se shansin për anëtarësim në BE nuk guxojmë ta humbim dhe se pret që deputetët t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese.
“Ka filluar kapitulli i ri në rrugën tonë evropiane në të cilin duhet të dëgjohen reformat e mëtutjeshme për realizimin e qëllimit strategjik – anëtarësimit të plotfuqishëm në BE. Shansin që e kemi nuk guxojmë ta humbim. Mbeten ndryshimet kushtetuese , e di që vendimi i deputetëve nuk është i lehtë, por pres që ata të tregojnë sjellje të burrështetasve”, porositi Kovaçevski.
Siç tha Kovaçevski, ekipi nga Maqedonia e Veriut është i përgatitur, ka dituri dhe ekspertizë dhe do ta përfundojë skriningun në afatin e paraparë prej 14 muajve.
Kovaçevski, gjithashtu, nënvizoi se BE u dëshmua si partnere në besim dhe i përmbushi premtimet e saja, ndërsa ndihmën e fundit të cilën e mori vendi nga Unioni është granti prej 80 milionë euro për përballjen me krizën energjetike dhe ekonomike.
Sekretarja shtetërore franceze Bun, porositi se Maqedonia e Veriut e ka vendin e saj në BE dhe rrugën evropiane duhet ta ecë deri në fund.
“Vendi arriti përparim të madh. Përpjekjet duhet të vazhdojnë. Kjo nuk është gjithnjë e lehtë, por ato përpjekje janë të rëndësishme që të mund të përforcohet edhe shteti i së drejtës”, tha Bun.
FRONTEKS-i është konfirmim, tha Bun, se gjuha maqedonase do të bëhet zyrtare në BE kur vendi do të anëtarësohet në Union.
“Kam tri porosi për të dërguar. E para është porosia e miqësisë mes dy vendeve. Ne duam të kthejmë një faqe të re me Maqedoninë e Veriut dhe të thellojmë marrëdhëniet e përgjithshme. Qëllimi i vizitës sime këtu është të tregoj qëndrueshmëri dhe përkushtim ndaj vendit tuaj në rrugën drejt BE-së. Ne punuam së bashku për të hapur perspektivat evropiane sepse Maqedonia e Veriut e meriton dhe ka vendin e saj brenda Unionit. Ne duam të qëndrojmë së bashku me ju në fazat e ardhshme deri në qëllimin përfundimtar. Vendi juaj ka vendin e merituar në BE. Porosia e dytë është porosi inkurajuese – keni bërë përparim të jashtëzakonshëm dhe është mbresëlënës, për bashkëjetesën mes bashkësive të ndryshme, normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët, por edhe për ndërveprimin euroatlantik të vendit. Është e drejtë të thuhet se ju keni bërë vërtet shumë për transferimin e legjislacionit evropian në vend. Porosia e tretë është për angazhim të përbashkët të vazhdueshëm”, nënvizoi Bun.
Të gjithë duhet të mësojmë nga kapaciteti i Maqedonisë së Veriut për integrimin e bashkësive të ndryshme, porositi Bun, duke theksuar se Maqedonia e Veriut është shtyllë e stabilitetit të rajon, në gjithë Ballkanin Perëndimor.
Sekretarja shtetërore franceze, në kuadër të vizitës së saj në Shkup, pati takim edhe me presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski, në të cilin u theksuan miqësia dhe përparimi i marrëdhënieve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Francës dhe përpjekjet franceze për hapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit me BE-në.
Presidenti Pendarovski, siç informojnë nga Kabineti i tij, duke shprehur gatishmëri për vazhdimin e mëtutjeshëm të dialogut intensiv politik, është falënderuar për mbështetjen nga Franca në kuptim të integrimeve tona evropiane, si dhe fokusin në bashkëpunimin dypalësh, me çka është përshëndetur nënshkrimi i marrëveshjes para pak kohësh për përforcimin e bashkëpunimit në mbrojtje.