19/04/2024
4 C
Tetovo

Të tjera lajme

KONTROLLI FINANCIAR. Fushatat si dasmat me borxhe!

Financimi i jashtëligjshëm dhe lëshimet të cilat partitë i bëjnë në pjesën e financimit të fushatës, por edhe në xhirollogaritë që hapen dhe mbyllen enkas për zgjedhjet, mbyllen me minus – gjegjësisht me borxhe, në vend se të mbyllen me bilanc zero ose tepricë. Kjo ka qenë një praktik e ripërsëritur në shoqërinë tonë. Në ndërkohë, asnjë zgjidhje gjyqësore për 42 raportet e Revizionit shtetërore deri në Prokurorinë Publike

Destan JONUZI

Shkup, 3 mars – Si para çdo cikli zgjedhor, kështu edhe para këtyre zgjedhjeve, financimi i fushatës elektorale të partive politike është një nga çështjet që është në fokusin e opinionit. Financimi i fushatës elektorale, në pajtueshmëri me ndryshimet e reja të Kodit Zgjedhor është një nga çështjet për të cilën këtyre ditëve, siç mëson KOHA duhet të mbahet edhe një takim mes ministres së Drejtësisë Renata Deskoska dhe përfaqësuesve të Komisionit Shtetëror për parandalimin e korrupsionit. Detaje për takimin nuk jepen, ndërsa nga KSHZ-ja shkurtë njoftuan se qëllimi i këtij takimi është që të gjendet mënyrë që në mesë miri tu përgjigjet sfidave me të cilat ballafaqohen gjatë zbatimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 12 prillit.

Ndryshimet dhe plotësimet e fundit të Kodit Zgjedhor u miratuan me 15 shkurt, gjegjësisht një ditë para shpërbërjes së Parlamentit. Në pjesën e financimit të fushatës elektorale, sipas ndryshimeve të fundit, partitë detyrohen që në afat prej 60 ditësh (e jo tre muaj) ta mbyllin xhirollogarinë nga dita e shpalljes së rezultateve zyrtare të zgjedhjeve. Pasi që ta mbyllin kanë edhe 30 ditë afat që ta dorëzojnë Raportin përfundimtar për gjithë fushatën elektorale deri te organet kompetente, si KSHZ, Komisioni Shtetëror për parandalimin e korrupsionit, Enti Shtetëror i Revizionit, në Parlament, si dhe i njëjti të bëhet publik edhe për opinionin e gjerë.

Sipas ndryshimeve në Ligj, Neni 84 b (paragrafi 1) ndryshohet dhe thotë:“Pjesëmarrësi në fushatën zgjedhore obligohet që në afat prej 20 ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të heshtjes zgjedhore për rrethin e parë dhe të dytë të votimeve nëse ato përsërite, të dorëzojë Raport me specifikime të shpenzimeve për të hyrat dhe të dalave nga xhirollogaria e fushatës zgjedhore nga dita e hapjes së saj deri në përmbylljen e rrethit të të parë të votimeve”.

Paragrafët (2) dhe (3) do të ndryshohen dhe thonë: “Pjesëmarrësi në fushatën elektorale është i obliguar që nga dita e fillimit të fushatës elektorale, të dorëzojë Raport të shkruar me donacionet e pranuara në xhirollogarinë nga Neni 71 paragrafi 1 për financimin e fushatës zgjedhore”.

Në rast të dorëzimit të ankesave për mos respektimin e dispozitave për financimin e fushatës elektorale nga Kodi Zgjedhor, Komisioni për parandalimin e korrupsionit është e obliguar që ti hetojë pretendimet dhe të vendosë për ankesën e parashtruar në afat prej pesë ditësh nga dita kur është dorëzuar ankesa. Në rast se Komisioni për parandalimin e korrupsionit vërteton parregullsi në raportet financiare të pjesëmarrësve në fushatën elektorale, sipas Nenit 84 b që janë në kundërshtim me këtë Ligj, atëherë Enti Shtetëror i Revizionit dorëzon kërkesë për ngritjen e procedurës kundërvajtëse ose e njofton Prokurorisë Publike në afat prej 3 ditësh nga dita që është konstatuar shkelja e ligjit. Pas mbylljes së xhirollogarisë, partitë kanë për obligim që të dorëzojnë Raport përfundimtar për fushatën elektorale, ndërsa Enti Shtetëror i revizionit në afat prej 60 ditësh duhet të kontrollojë raportet e partive politike. “Propozimi ynë ka qenë në thelb që të krijohen kushte tjera për të gjitha partitë politike dhe e drejta për pagesën e donacioneve të jetë deri në momentin sa zgjatë fushata zgjedhore, dhe më përfundimin e fushatës elektorale të pamundësohet që partive tu jepen mjete financiar në emër të donacioneve, në drejtim të sigurimit të një gare të drejt dhe demokratike për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje. Por ky rekomandim i yni nuk u pranua dhe besojmë se për një kohë të shkurt i njëjti do të inkorporohet në Kodin Zgjedhor”, thonë për KOHA nga Enti Shtetëror i revizionit.

Financimi i jashtëligjshëm dhe lëshimet të cilat partitë i bëjnë në pjesën e financimit të fushatës, por edhe në xhirollogaritë që hapen dhe mbyllen enkas për zgjedhjet, mbyllen me minus gjegjësisht me borxhe, në vend se të mbyllen me bilanc zero ose tepricë. Kjo ka qenë një praktik e ripërsëritur në shoqërinë tonë. “Deri më tani nuk ka pasur transparencë të mjaftueshme në këtë drejtim. Në të kaluarën ka pasur keqpërdorim klasik të mjeteve të buxhetit. Madje janë financuar fushatat edhe në të zezë duke shfrytëzuar fuqinë. Këtu nuk bëhet fjalë për mungesë ligji, por praktikim të tij”, deklaroi për KOHA, Sllagjana Taseve, nga “Transparency International”-Maqedoni. Në ligjin për parandalimin e korrupsionit, i cili e definon punën e anti-korrupsionit në pjesën e sanksionimit në pjesën e shfrytëzimit të shfrytëzimit të burimeve financiare të paligjshme dhe anonime gjatë fushatës elektorale thuhet: “nëse paraqiten dyshime se parti e caktuar politike apo kandidatë në zgjedhje ka shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme apo nga burime anonime, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e korrupsionit duhet të kërkojë nga organet gjegjëse që të bëjnë verifikim të burimit të të ardhurave dhe se kjo nuk paraqet shkelje të sekretit bankar.

“Me qëllim që të arrihet kontroll më e madhe mbi partitë se si dhe ku i shpenzojnë parat, në Kodin Zgjedhor ka edhe normë me të cilën të gjitha mjetet e planifikuara për financimin e fushatës elektorale paguhen në xhirollogari bankare dhe të gjitha harxhimet për fushatën do të mbulohen nga mjete për atë qëllim.” (Neni71, paragrafi10)

Por edhe përkundër kësaj norme me të cilën të gjitha obligimet që dalin gjatë fushatës elektorale detyrimisht duhet të mbulohen ose paguhen nga xhirollogaria e hapur për atë qëllim, në praktik gjendja është pak më ndryshe. Rasti i fundit i tillë ishte me Raportin e VMRO-DPMNE-së, pas zgjedhjeve të fundit Presidenciale, ku në vend që xhirollogari të jetë e mbyllur me bilanc zero, gjegjësisht në llogari të mos ketë borxhe apo të ketë mjete tepricë, në të kishin ngelur 400 mijë euro borxhe, në bazë të mos pagesë së faktuarve ndaj firmave shërbimet e të cilave i ka shfrytëzuar partia gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve Presidenciale. Ndërkohë, në periudhë nga viti 2016 deri në vitin 2018 nga Enti Shtetëror për revizion janë dërguar gjithsej 42 raporte deri në Prokurorinë Publike, më pas 8 deri në Komisionin për parandalimin e korrupsionit, 4 në Ministrin e Brendshme dhe 2 në Policinë Financiare. “Për pjesën më të madhe të tyre nuk ka informacione kthesë”, thonë nga Enti Shtetëror për Revizion. (koha.mk)

Të fundit