Lajmi i Ditës Maqedoni

Koronavirusi edhe te ne

Në vendin tonë dje u konfirmua rasti i parë i koronavirusit. Sipas kompetentëve, hapësirë dhe arsye për panik nuk ka. Situata është nën kontroll, vazhdimisht ndiqet, ndërsa institucionet janë të gatshme për reagim të shpejtë dhe i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme sipas protokolleve ndërkombëtare. Qytetarët duhet t’i respektojnë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë, të sillen me përgjegjësi dhe të mos përhapin defetizëm, veçanërisht në rrjetet sociale.

Pacientja te e cila është konfirmuar virusi korona është shkupjane, e lindur në vitin 1970. Pacientja, e cila për një kohë të caktuar ka qëndruar në Itali, ndërsa ka ardhur përmes vendkalimit kufitar Tabanoc duke udhëtuar me një furgon në të cilin ka pasur edhe disa persona të tjerë, për momentin ndodhet nën kujdes intensiv në Repartin për izolim në Klinikën infektive. Tani është e hospitalizuar atje, në Repartin për Kujdes Intensiv dhe Izolim. Siç bëri të ditur mbrëmë ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, pacientja është në gjendje të mirë në përgjithësi, i është infektuar vetëm njëri krah pulmonar dhe nuk ka nevojë për ventilim mekanik.

Në ndërkohë, janë identifikuar edhe personat të cilët ishin me shkupjanen e sëmurë në furgon. Gjithsej janë nëntë, tetë udhëtarë dhe një shofer. Ata menjëherë janë vendosur në izolim shtëpiak, ndërsa sot do të dihet se izolimi a do të vazhdojë në kushte shtëpiake ose personat do të transportohen në repartet e përcaktuara më parë për mbikëqyrje.

Sa i përket rastit të parë të konfirmuar me virusin korona, mjeku Zharko Karaxhovski nga Instituti për Shëndet Publik siguron se një person pozitiv nuk paraqet rrezik për popullatën. Sipas Karaxhovskit, qytetarët duhet të jenë të qetë. Shërbimet mjekësore janë kujdestare 24/7 dhe të gatshëm që për vetëm gjysmë ore të bëjnë ekip adekuat i cili do të reagonte menjëherë.

“Institucionet janë të përgatitura të reagojnë menjëherë, U bëj thirrje qytetarëve tërësisht t’u përmbahen rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë. Në këtë moment është shumë me rëndësi vetëdija tek të gjithë të jetë në nivel të lartë, posaçërisht në raport me rekomandimet, por edhe lidhur me sjelljen përgjegjëse”, tha Spasovski, duke theksuar që të mos ketë sjellje të papërgjegjshme, posaçërisht në rrjetet sociale.

Ministri Filipçe apeloi që kompanitë dhe institucionet të mos iu lejojnë atyre të punësuarve të cilët gjatë kësaj periudhe ishin në Itali, të vijnë në punë sepse ata së pari duhet të kalojnë 14 ditë në izolim shtëpiak – periudhë aq sa zgjat inkubacioni i virusit. Edhe një herë apelon edhe të mos udhëtohet ne vendet ku ka epidemi, pa pasur nevojë të madhe. Sa i përket masave mbrojtëse, përsëriti se paraqesin rrezik plotësues për personat e shëndoshë dhe se është më së miri që t’i bartin punëtorët mjekësorë, ndërsa për tani nuk ka mjaftueshëm maska.

Në Klinikën Infektive dje ishin bërë testime edhe te dy persona, por rezultatet treguan se ata nuk kanë virus korona. Bëhet fjalë për shtetas tanë të cilët periudhën e kaluar kishin udhëtuar në Itali, ndërsa dje vetë ishin paraqitur në Klinikë.

Qeveria paraprakisht formoi trup koordinues, ndërsa mbledhje mbajti edhe Komisioni për Sëmundje Ngjitëse në të cilin ishin konfirmuar masat mbrojtëse. Janë siguruar edhe objekte adekuate, si dhe hapësira për izolim plotësues, nëse për këtë eventualisht paraqitet nevoja. Pajisjet e nevojshme dhe pyetësorët të cilët duhet t’i plotësojnë udhëtarët të cilët hynë në shtet, janë shpërndarë deri te shërbimet e aeroportit dhe vendkalimet kufitare. Filloi furnizimi i mjeteve dezinfektuese për shkollat, ndërsa do të plotësohen edhe rezervat për pajisje mbrojtëse për personelin mjekësor.

Në ndërkohë, për shkak të situatës së re të krijuar me numrin e rritur të të sëmurëve në Kroaci, si dhe rasti i parë i konfirmuar në Greqi, janë anuluar të gjitha ekskursionet të cilat i organizojnë institucionet shtetërore, shkollat fillore dhe të mesme.

Sipas kryeministrit Spasovski, tani për tani nuk ka ndalesa për mbajtjen e tubimeve publike dhe ngjarjeve të tjera në vende të hapura. Vendime në raport me këto çështje dhe të ngjashme do të sillen në bazë ditore, varësisht rrjedhës së ndodhive.

Aktivistë të Shoqatës për Mbrojtjen e Kafshëve dhe Mjedisit Jetësor dje kërkuan që Qeveria të vendos skrining të obligueshëm plotësues sipas protokolleve për parandalim të epidemive për të gjithë udhëtarët të cilët hyjnë në shtet, karantin të obligueshëm 14-ditor për të gjithë udhëtarët të cilët vijnë nga Italia, Kroacia, Kina, Hong-Kongu, Makao, Korea dhe vende të tjera në të cilat ka raste të konfirmuara të virusit korona, si dhe angazhim i obligueshëm i të gjitha kapaciteteve dhe sigurimin e numrit maksimal të hapësirave për trajtim të të infektuarve.

Shefja e Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në vend, Xhihan Tavilla në intervistën e mbrëmshme për Televizionin e Maqedonisë shfaqi bindje se vendi ynë është i aftë për zbulimin fillestar dhe të hershëm të rasteve të mundshme me koronavirus, për menaxhim me ta, si dhe t’i përgjigjet nevojave për hospitalizim.

Virusi korona për herë të parë u paraqit në Vuhan, Kinë, më 12 dhjetor të vitit 2019. Pas përhapjes së shpejtë të sëmundjes, numrit të madh të viktimave dhe të të infektuarve, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) më 30 janar shpalli “situatë të jashtëzakonshme ndërkombëtare”.

Sëmundja transmetohet përmes rrugëve të frymëmarrjes (teshtitje dhe kollë), por dhe nëpërmjet prekjes me duar të pista. Mjekimi është simptomatik, varësisht nga manifestimet e sëmundjes. Pasqyra klinike lëviz nga ftohje e lehtë deri te forma më e rëndë, varësisht se si kapen mushkëritë. Rrezik për rezultat më të keq ka te më të moshuarit, personat më të sëmurë kronikë ose persona me sëmundje paraprake të mushkërive. Rreth 80 për qind prej 80.000 të të sëmurëve në botë janë shëruar plotësisht, ndërsa te pesë për qind ka komplikime të reja, ndërsa te pesë për qind ka komplikime serioze. Vdekshmëria është afër dy për qind.

Në rajon, deri më tani, raste më të shumta me virus korona ka në Itali. Sëmundja është e pranishme ehe në Kroaci, ndërsa prej dje zyrtarisht është konfirmuar edhe në Greqi.MIA. fc/

Related posts

Këshilltari i Klintonit përfshihet në hartimin e platformës ekonomike të ASH-Alternativa

Televizioni Koha

Simovski me apel që sa më shpejt të miratohet Ligji për regjistrimin e popullsisë

Televizioni Koha

Në Gostivar testohen 50 persona, priten e rezultatet e dy personave në karantinë në Mavrovë

Televizioni Koha

Leave a Comment