20/04/2024
9.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Korridori 8 dhe 10D/ Grubi: Fillim i mbarë i punës më të madhe në historinë e vendit

Sot në prani të kryetarit të Qeverisë z. Dimitar Kovaçevski, Zëvendës kryetarit të parë të Qeverisë z. Artan Grubi, ambasadores së SHBA-ve znj. Angela Ageeler, nga ana e ministrit të Transportit dhe Lidhjeve znj. Blagoj Boçvarski, drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, z. Ejup Rustemi dhe përfaqësues të konzorciumit ndërkombëtar Bechtel Enka është nënshkruar marrëveshja për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, Zëvendës kryetari i parë i Qeverisë, z. Grubi, tha se ky projekt është vetëm një fillim i mbarë i një pune të madhe që nga pavarësia e vendit.

“Jam i lumtur që qëndroj këtu para jush si udhëheqës i Komitetit për Realizimin e Negociatave për Ndërtimin e Projektit Korridori 8 dhe 10 D. Falënderoj kolegët ministra, sidomos ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që qëndron gjithmonë pas projekteve dhe ideve tona, partnerët tanë mbikëqyrës dhe gjithë bashkëpunëtorët që marrin pjesë në këtë projekt. Ky projekt është vetëm një fillim i mbarë i një pune të madhe, më e madhja që nga shpallja e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut”, tha Grubi.

Projekti i Korridorit 8 do të shtrihet në gjatësi prej 68 Km edhe atë autostradë me 6 korsi, që do të lidhë Tetovën me Gostivarin, Kërçovën, Strugën e deri në Qafë Thanë, ndërsa Korridori 10-D, në gjatësi prej 40 km autostradë me 6 korsi, që do të lidhë Prilepin me Manastirin.

Ndryshe, projekti historik Korridori 8 dhe ai 10 D, do të finalizohet në periudhë prej 6 viteve që nga fillimi i punimeve. Realizimi i këtij investimi më të madh kapital në historinë e vendit tonë do të kontribuojë në ekonominë,  modernizimin e infrastrukturës rrugore, e në të ardhmen do të mundësojë zhvillim shtesë të shërbimeve, kushte më të mira për zhvillimin e biznesit, jetë cilësore dhe lidhje me fqinjët dhe korridoret ndërkombëtare.

Të fundit