27/05/2022
21.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Kovaçevski sot edhe zyrtarisht mori funksionin e kryeministrit nga Zaevi

Në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot u bë pranim-dorëzimi i funksionit dhe kabinetit midis kryeministrit të deritanishëm Zoran Zaev dhe kryeministrit të sapozgjedhur Dimitar Kovaçevski, transmeton Portalb.mk.

Pas debatit dyditor, mbrëmë rreth mesnatës me 62 vota “për”u zgjodh Qeveria e re.

Në të do të ketë 21 antarë – nga LSDM 11, BDI 6, Alternativa 3 dhe një ministër nga PLD-ja.

Kabineti i ri qeveritar ka një anëtar më shumë se i deritanishmi, ministër pa resor post që pas formimit të shumicës së re parlamentare i përkiste Alternativës.

Në një fjalim para deputetëve para zgjedhjes së Qeverisë, Kovaçevski tha se fokusi i programit të qeverisë është te qytetarët, ekonomia dhe ballafaqimi me pasojat e pandemisë dhe krizës energjetike. Ai theksoi se nuk duhen zgjedhje të reja, duke paralajmëruar rritje të pensioneve dhe rritje të pagave minimale dhe mesatare, si dhe reforma në arsim.

Duke folur për kontestin me Bullgarinë, Kovaçevski tha se bisedimet do të vazhdojnë dhe do të intensifikohen pa rrezikuar identitetin e popullit.

Ndryshe, Zaev dha dorëheqjen pas zgjedhjeve lokale në të cilat partia e tij pësoi humbje të madhe. Sipas tij, dorëheqja është hap logjik që del nga rezultati i zgjedhjeve lokale dhe është shprehje e përgjegjësisë për rezultatet e zgjedhjeve.

Zaev, u largua edhe nga pozita udhëheqëse në LSDM, të cilën e drejtoi që nga viti 2013. Funksionin e të parit të qeverisë e ka ushtruar nga 31 maji 2017, kurse mandatin e dytë si kryeministër e fitoi në zgjedhjet e 15 korrikut të vitit të kaluar.

Të fundit