Sfidë e madhe po qëndron para nesh këtë dimër – kriza energjetike është një kërcënim serioz për procesin arsimor. Për të arritur qëllimet tona afatgjata, fillimisht duhet të sigurohemi që do të kemi burime të mjaftueshme për kushtet bazë – shtëpi të ngrohta dhe të ndriçuara mirë dhe klasa të ngrohta dhe të ndriçuara mirë, në mënyrë që nxënësit tanë të kenë mësim të qetë dhe cilësor këtë dimër. Ky është prioriteti numër një sot, nesër dhe në muajt e ardhshëm të dimrit. Përgjigja për këto sfida mund të gjendet vetëm në bashkëpunimin e ndërsjellë ndërkombëtar dhe ndërrajonal, por mbi të gjitha nëpërmjet solidaritetit, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski në fjalimin në Samitin e transformimit të arsimit, të mbajtur në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së në Nju-Jork.
Kovaçevski tha se vetëm duke bërë përpjekje të përbashkëta, siç bëhet në këtë Samit dhe duke punuar së bashku, mund të gjendet një zgjidhje për çdo problem dhe mund të arrihet përparim.
“Nëse duam që studentët tanë të rriten me një arsim të mirë, fillimisht duhet t’u tregojmë se si ne të rriturit mund t’i zgjidhim së bashku problemet. Përndryshe, asnjë model arsimor apo strategji zhvillimore nuk do të bëjë ndonjë ndryshim, as për ta nuk do të thotë asgjë”, nënvizoi kryeministri.
Në fjalën e tij, Kovaçevski theksoi përkushtimet dhe hapat konkrete për transformimin e arsimit në vend me qëllim të, siç përmendi, sigurimit të arsimit cilësor dhe të përballueshëm për të gjithë.
Samiti, në të cilin po debatohet për përmirësimin e sistemeve arsimore në vendet përmes një procesi reformues transformues dhe sigurimit të arsimit cilësor dhe të përballueshëm për çdo fëmijë, filloi dje pasdite, me një fjalim të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh. Në Samit marrin pjesë më shumë se 90 liderë të shefave të shteteve dhe qeverive, të cilët diskutojnë mënyrat më të mira për të përmirësuar sistemet arsimore në vendet.
Kovaçevski kryeson delegacionin e Maqedonisë së Veriut në Asamblenë e përgjithshme të KB-së në Nju-Jork, ku janë edhe ministrat e Punëve të Jashtme dhe të Arsimit dhe Shkencës, Bujar Osmani dhe Jeton Shaqiri, shefi i Misionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në KB, Ljubomir Fërçkovski dhe këshilltari për punë të jashtme i kryeministrit, Edmond Ademi.koha.mk