29/03/2024
14.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Kremer: Në plan afatgjatë, pranimi i propozimit francez do të jetë në dobi të qytetarëve të RMV-së

Kundërshtimet për pranimin e propozimit francez janë për shkak të emocioneve të shtuara për momentin. Por në plan afatgjatë, mendoj se të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut do ta vlerësojnë anëtarësimin në BE dhe NATO, që është një trajektore e natyrshme ku vendi po lëviz aktualisht. Nuk është e mundur të specifikohet se çfarë do të ndodhë më pas dhe sa do të zgjasin negociatat, thotë Riçard Kremer, njohës i mirë i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor nga organizata Aleanca SHBA-Evropë në Uashington, në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase.

Ai përshëndeti hapin politik përpara që pas 17 vitesh nga marrja e statusit kandidat, Maqedonia e Veriut filloi negociatat e anëtarësimit dhe shprehu kënaqësinë e tij që edhe Shqipëria është në pako me Maqedoninë e Veriut.

Ç’pritet më tej? Është pyetja prej 64,000 dollarë, siç themi ne. Kjo duhet të kishte ndodhur shumë më herët, në nëntor të vitit 2019. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë aspiruar prej kohësh për në BE dhe të dyja vendet janë të orientuara drejt demokracive perëndimore, jo regjimeve autoritare”, thotë Kremer.

Ai nuk sheh probleme në organizimin e ndonjë referendumi për një çështje të rëndësishme, por thekson se Maqedonia e Veriut ka një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike, platforma e së cilës thekson fillimin e negociatave me BE-në.

“Ka pasur kompromise. Bullgaria duhej të bënte lëshime, po ashtu edhe Maqedonia e Veriut. Kështu bëhet përparim. Jo të gjithë janë gjithmonë të lumtur të bëjnë kompromis, por ky është thelbi i negociatave. Kundërshtimet për pranimin e propozimit francez janë për shkak të emocioneve të shtuara për momentin. Por në plan afatgjatë, mendoj se të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut do ta vlerësojnë anëtarësimin në BE dhe NATO, që është një trajektore e natyrshme ku vendi po lëviz aktualisht”, shton Kremer.

Sipas tij, parashikimet e disa analistëve janë të realizueshme, se deri në vitin 2030 Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të bëhen pjesë e familjes evropiane.

Analisti amerikan paralajmëron gjithashtu se rajoni është i prekshëm nga përhapja e propagandës ruse vetëm nëse qytetarët besojnë në dezinformata të ndryshme, burime informacioni të paverifikuara dhe të dyshimta.

Për sa kohë që SHBA do të vazhdojë të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor që të bëhen demokraci të konsoliduara të tregut të lirë dhe të hapur, do t’i ndihmojë ata të integrohen më lehtë në BE, thotë ai.

Të fundit