25/04/2024
7.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Krerët e BE-së pritet të vendosin për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut

Në Bruksel pasdite fillon Samiti dyditor i liderëve të BE-së ku pritet të diskutohet edhe vendimi për fillim e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Bashkimi Evropian deri më tani nuk ka arritur kompromis në lidhje me këtë çështje, kundërshtimi kryesor vjen nga Franca e cila konsideron që së pari duhet të reformohet procesi i bisedimeve me shtetet kandidate para marrjes së një vendimi. Pjesa më e madhe e shteteve anëtarë të BE-së konsiderojnë se Maqedonia e Veriut duhet të merr datë dhe kështu të ruhet edhe kredibiliteti i BE-së.

Ndërsa për Shqipërinë presidentit francez Emanuel Makron potencoi problemin me kërkesat e mëdha për azil nga Shqipëria pasi është hequr regjimi i vizave për këtë vend.

Tani për tani nuk është e qartë nëse zgjerimi do të jetë në rend dite sot ose nesër, kryetari i Këshillit Evropian duhet të precizojë agjendën e bisedimeve nesër.

Kryeministri Zoran Zaev dje në tentimin e fundit të bind liderët evropian të mbajnë premtimin ndaj vendit e ka vizituar Brukselin ku është takuar me komisarin për zgjerim Johanes Han, me presidentin e Këshillit Evropian Donald Tusk dhe presidentin e Parlamentit Evropian, David Maria Sasoli.

“Pas gjithë asaj që e bëmë jemi të bindur se duhet të marrim vendim për fillimin e negociatave me BE-në tani dhe menjëherë. Jemi të gatshëm për këtë politikisht dhe në mënyrë institucionale. Secila shtyrje do të lexohet si vendim negativ dhe do të ketë pasoja shumë negative, nivel të lartë të dëshpërimit te qytetarët dhe te të gjithë ata të cilët e mbështetën zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, porositi kryeministri Zoran Zaev në konferencën e përbashkët për shtyp në Bruksel me eurokomisarin për Zgjerim Johanes Han.

E kuptojmë, theksoi kryeministri, se disa anëtare kanë nevojë që të hapin debat për metodologjinë e re për negociatat, por të dyja proceset mund të ecin paralelisht.

“Kjo nuk pengon që të marrim vendim për negociata tani dhe menjëherë. Na duhet vendim pozitiv tani dhe menjëherë. Kjo nënkupton për ne proces të ri dhe punë e mundimshme. Pas 10 rekomandimeve të BE-së, përfundimet optimiste të Këshillit të BE-së në vitin 2018 dhe 2019 dhe të gjitha rezultatet dhe reformat, pas gjithë punës që bëmë jemi të bindur se duhet të fillojmë me negociatat”, tha Zaev.

Ai përkujtoi se zbatimi i Marrëveshjes së Prespës ka lidhje me hapjen e kapitujve për BE-në.

“Dëshiroj që me qëllim të mirë të tërheq vërejtjen se nëse nuk merret vendimi i pritur pozitiv i merituar për negociata, kredibiliteti i BE-së dhe besimi i qytetarëve tanë mund të vihen në pikëpyetje. Kjo do t’i përforcojë forcat regresive në vendin dhe interesin e palëve të treta në rajon. Për këtë liderë të BE-së mos i shuani yjet e ndritshme drejtë të cilave përpiqemi, mos u bëni pengesë e jona, bëhuni heronjtë tanë”, porositi Zaev.

Eurokomisari për Zgjerim Johanes Han, nga ana e tij, edhe një herë iu bëri thirrje liderëve të cilët do të takohen nesër në Bruksel që të tregojnë pikërisht lidership për këtë çështje.

“I thatë pritjet tuaja nga liderët, ta vendosim fokusin në fjalën lider, presim lidership. Nëse i shihni arritjet politike në dy vitet e fundit, gati se asnjëri vend në Evropë nuk ka ecur një rrugë aq të gjatë, me reforma dhe masa aq të dhimbshme”, deklaroi Han.

Ai shtoi se qytetarët e vendit e meritojnë këtë perspektivë që të mundet të përmirësohet standardi i jetesës dhe të ulet emigrimi, veçanërisht i të rinjve.

Hani e lavdëroi edhe atmosferën e bashkëpunimit në Kuvend dhe e njohu rolin e luajtur nga të gjithë aktorët e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe përkujtoi se shumica e vendeve anëtare të BE-së “nuk kërkon asgjë përveç se që të japë dritë të gjelbër që të fillojnë të përgatiten negociatat”.

Të fundit