28/03/2024
14.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Kromi gjashtëvalent kancerogjen nga deponia në Jegunoc të Tetovës e kërcënon shëndetin e banorëve (FOTO)

Fabrika “Jugohrom” nga Jegunoci është hapur në vitin e largët 1955, por qysh nga fillimi i funksionimit të saj nuk është kushtuar vëmendje e mjaftueshme për mbrojtjen e mjedisit, veçanërisht për ndotjen e ujërave nëntokësore dhe sipërfaqësore në këtë pjesë të rajonit të Pollogut. Mbeturinat e baltës së kromit dhe zgjyrës së mbetur nga prodhimi i ferro legurave në “Jugohrom” kanë filluar të barten në deponinë industriale, thuhet në punimin shkencor “Ndikimi i deponisë nga HEK Jugohrom – Jegunoc në cilësinë e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore”, të realizuar nga DHM rreth 20 vjet më parë, shkruan Meta.mk.

Kromi gjashtëvalent derdhet drejtpërdrejt në Vardar

Meta.mk u drejtua për në fshatin Jegunovc të Tetovës dhe e vizitoi fabrikën “Jugohrom” dhe deponinë industriale të krijuar nga funksionimi disa dekadash i këtij gjiganti prodhues nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar. Rreth 850.000 tonelata mbeturina industriale gjenden në deponinë afër stacionit hekurudhor në Jegunovc, të cilat mbulojnë një sipërfaqe prej rreth 80.000 metra katrorë. Ndër mbetjet e depozituara janë kromatet e kalciumit, aluminit dhe natriumit.


Deponia me krom gjashtëvalent në fshatin e Tetovës, Jegunovc, foto: Meta.mk
Megjithatë, çështja më shqetësuese është prania e rreth 7500 tonelatave krom gjashtëvalent, kancerogjen dhe i rrezikshëm për njerëzit dhe mjedisin. Vetëm 11.000 metra katrorë të sipërfaqes së deponisë janë mbuluar me foli mbrojtëse, e cila duhet të parandalojë depërtimin e kimikateve të rrezikshme në ujërat nëntokësore. Pjesa tjetër e deponisë është e pambrojtur dhe shkalla e pasojave nga neglizhenca e tillë mund vetëm të supozohet.

Deponia industriale në Jegunovc është një nga pikat e nxehta ekologjike në vendin tonë. Për të kontrolluar shkarkimet nga deponia, në vitin 2003 është ndërtuar sistemi i drenazhimit, ndërsa stacionet e pompimit e kapin edhe kullimet që shkarkohen edhe ujin nga deponia, që nëpërmjet gypave dërgohen deri te impianti për trajtim të ujërave të zeza në oborrin e fabrikës “Jugohrom”.


Deponia me krom gjashtëvalent në fshatin e Tetovës, Jegunovc, foto: Meta.mk
Kjo do të ishte situatë ideale që do të duhej të parandalonte ndotjen e ujit të deponisë, por në terren Meta.mk vërejti se ujë ,me ngjyrë karakteristike të verdhë-portokalli dhe të kuqe të errët mund të shihet afër stacionit të pompimit në deponi, i cili derdhet direkt në lumi Vardar. Në terren ndjehet erë e pakëndshme, ndërsa bimët që kanë ra në kontakt me ujin me ngjyrë kanë vdekur prej kohësh.

Edhe qytetarët me të cilët biseduam në Jegunovc na thanë se kur ujërat nëntokësore janë të larta, pompat nuk arrijnë të mbledhin tërë sasinë e ujit që rrjedh nga deponia, kështu që teprica e ndotur derdhet drejtpërdrejt në lumin Vardar. Një kodër e madhe mbetjesh, mbi 23 metra e lartë, është e rrethuar për të parandaluar njerëzit e bagëtia të hyjnë në deponi, por aty nuk ka video mbikëqyrje ose roje sigurie për të paralajmëruar njerëzit që t’i afrohen vendit.


Deponia me krom gjashtëvalent në fshatin e Tetovës, Jegunovc, foto: Meta.mk
Popullsia lokale ka përvojë të hidhur në të kaluarën

Banorët e Jegunovcit dhe fshatrave përreth thonë se gjatë dy dekadave të fundit, pasi u ndërtua impianti për trajtim, ujërat që kullohen nga deponia dhe sallat e ish-fabrikës mblidhen në gypa dhe nuk janë të dukshëm. Megjithatë, pasojat e ekzistencës së tyre i trembin edhe sot.

Dragoljub Jovanovski nga fshati Jegunovc na tha se në të kaluarën para ndërtimit të impianti për trajtim ka pasur raste kur bagëtia kanë pirë nga ujërat e ndotura dhe kanë ngordhur.


Deponia me krom gjashtëvalent në fshatin e Tetovës, Jegunovc, foto: Meta.mk
“Pas kësaj u bë e ditur se ai ujë ishte helm dhe tani është futur nëpër gypa, i fshehur”, tha Jovanovski.

Bashkëqytetari i tij Tërpçe Teofillovski thotë se Jegunovci ka ujë të pijshëm të pastër dhe se nuk ka dëgjuar dikush të ketë probleme shëndetësore nga deponia industriale e cila ka krom gjashtëvalent. Megjithatë, nuk deshi të flasë në detaje për atë se sa efikase është puna e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në “Jugohrom”.

Ai na tha se rreth 20 vite më parë është ndërtuar i tërë sistemi për drejtimin e shkarkimeve të rrezikshme nga deponia në impiantin e trajtimit, por nuk e dinte se sa për qind e këtij objekti funksionon.


Deponia me krom gjashtëvalent në fshatin e Tetovës, Jegunovc, foto: Meta.mk
Për problemin me mbeturinat e depozituara në deponinë industriale biseduam edhe me Jovica Jovanoskin, banor i fshatit Jegunovc.

“Nuk është zgjidhur, nuk ka kush ta zgjidhë. Duhet të ankohemi në nivele më të larta.

Jovanoski sqaroi se në Jegunovc kanë ujë të pastër të pijshëm, por edhe atë se situata me ujin te deponia është ndryshe.

Pyetjes kyçe, se në çfarë sasie dhe ku përfundon i gjithë shkarkimi i pasuruar me krom gjashtëvalent nga deponia, nuk mundej t’i përgjigjet askush. Vetëm, imazhi alarmues që shihet në terren te deponia është i dukshëm për syrin e njeriut. Përgjigje të detajuara për këtë pyetje nuk mund të merren nga punonjësit e impiantit të trajtimit, i cili ndodhet në rrethin e “Jugohromit”, sepse fabrika tashmë njëzet vjet që nuk ka Departament për Ekologji. Aktualisht analiza të gjendjes me ujërat e Vardarit bën vetëm DHM.


Deponia me krom gjashtëvalent në fshatin e Tetovës, Jegunovc, foto: Meta.mk
Me impiantin për trajtim menaxhon Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, por nuk ai funksionon me kapacitet të plotë. Nëse dikur puna zhvillohej në tre turne nga gjashtë orë, sot punohet dy herë në ditë nga disa orë. Tani kapaciteti është 60 metra kub ujë në ditë, ndryshe nga dikur, kur janë pastruar edhe nga 600 metra kub në ditë.

Ujërat e kulluara vijnë nga sistemi i kullimit të deponisë dhe kanë përqendrime nga 400 deri në 1000 miligramë kromit gjashtëvalent në litër, ndërsa ujërat e zeza nga sistemi i puseve të uzinës kanë përqendrime nga dy deri në katër miligramë për litër.

Siç na shpjeguan stafi i impiantit për trajtim, për të pastruar kromin gjashtëvalent nga deponia, këto dy ujëra që grumbullohen në pishinë përzihen dhe përqendrimet ulen në 60 ose 80 miligramë në litër.

Në stacionet për reduktim dhe neutralizim, kromi gjashtëvalent bëhet trevalent dhe nuk konsiderohet i rrezikshëm për mjedisin, ndërsa vlera e pH është e balancuar midis gjashtë dhe shtatë. Uji i trajtuar duhet të kalojë nëpër një sedimentues dhe të derdhet në lumin Bistrica. Megjithatë, sedimentuesi për momentin nuk në funksion, prandaj uji i trajtuar tani përfundon në ujin e lumit bashkë me sedimentin.


Deponia me krom gjashtëvalent në fshatin e Tetovës, Jegunovc, foto: Meta.mk
Për rehabilitimin e terrenit do të nevojiten dhjetëra milionë euro

Në vitin 2020, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor realizoi tri prokurime publike për renovimin e impiantit të trajtimit për reduktimin e kromit gjashtëvalent në “Jugohrom” edhe atë për rezervuarë të rinj për impiantin e trajtimit, për mirëmbajtjen e sistemit dhe për telekomandë.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor thanë, për Meta.mk, se impianti për trajtim në fabrikën “Jugohrom” është në pronësi të kompanisë SHPTSH Jugohrom ALZAR, ndërsa deponia është në pronësi të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në bazë të kontratës për shitjen e fabrikës, në vitin 2003, është nënshkruar kontrata ndërmjet SILMAK/ECOMAK (HEK JUGOHROM SHA Jegunovc) dhe Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, në të cilën janë definuar marrëdhëniet kontraktuale për funksionimin e impiantit të trajtimit.

Deponia me krom gjashtëvalent në fshatin e Tetovës, Jegunovc, foto: Meta.mk

Sipas marrëveshjes, EKOMAK/SILMAK e ka marrë përgjegjësinë për mirëmbajtjen e impiantit të trajtimit. Mirëmbajtja e përfshin servisimin dhe ndërhyrjet e nevojshme për funksionimin mekanik të pajisjeve ekzistuese në fabrikë, në konfigurimin dhe kapacitetin e tyre të atëhershëm të punës.

Ministria ka marrë përsipër të mbulojë të gjitha shpenzimet për funksionimin e vazhdueshëm të impiantit të trajtimit, duke përfshirë blerjen e të gjitha produkteve të nevojshme për procesin, duke përfshirë reagensët dhe kimikatet, si dhe sigurimin e pagave dhe shpenzimeve për punëtorët në impiantin e trajtimit. Nga viti 2016, prej kur “Jugohromi” nuk funksionon, të gjitha obligimet e kompanisë janë realizuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Nga kjo ministri shtojnë se vitin e kaluar kanë realizuar një blerje për përgatitjen e projektit themelor për riparimin e sedimentuesit në impiantin e trajtimit dhe janë duke u bërë përgatitjet për hartimin e specifikacionit teknik për shpalljen e prokurimit publik për realizimin e projektit për rindërtim.

Njëkohësisht është duke u përgatitur edhe specifikimi teknik për prokurimin publik për mirëmbajtjen e pajisjeve në impiantin e trajtimit dhe në stacionin e pompimit në deponi dhe sistemin SCADA për vitin 2022. Prokurimet janë paraparë kah fundi i shkurtit 2022”, thonë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Menaxheri i SHPTSH Jugohrom ALZAR, Vasko Skenderovski për Meta.mk thotë se kompania e ka obligim që të punësuarit në impiant t’i ketë në listën e pagave, ndonëse mjetet për pagat e tyre u kthehen nga Ministria. Gjithashtu, kimikatet e nevojshme për të punuar në stacion blihen nga kjo ministri.

Skenderovski thotë se fabrika nuk ka fare kompetenca për deponinë ku deponohen mbeturinat historike, e cila përfshin krom gjashtëvalent. Ajo gjendet jashtë fabrikës dhe është në gjendje te keqe. Aty nuk ka vetëm mbetje të akumuluara nga puna e ish-fabrikës shtetërore, në formë të skorjes së ferrosilicon dhe ferrokromi, por ka edhe shumë mbeturina ndërtimi dhe mbeturina të tjera.

Magazinimi nuk është bërë në mënyrë sistematike, kështu që tani është e diskutueshme nëse mundet dhe sa mund të përdoret diçka si lëndë e parë dytësore.

“Jugohromi është subjekt juridik më vete, i cili përpos që nuk ka kompetenca, nuk sheh asnjë logjikë ekonomike t’i hyjë procesit të pastrimit të deponisë historike. Do të na krijonte vetëm shpenzime shtesë, ndërsa ne nuk kemi interes”, tha Skenderovski.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sqaron se zgjidhje afatgjatë është rehabilitimi i deponisë industriale. Një opsion është zhvendosja e mbeturinave, gjegjësisht riparimi i zonës.

“Kemi kompani të interesuara për mundësinë e nxjerrjes së lëndës së parë minerale të dobishme, duke përfshirë edhe rehabilitimin, por ende nuk kemi kompani me përvojë që të mbulojë të gjitha aspektet e menaxhimit të mbetjeve të rrezikshme të këtij lloji”, thonë nga Ministria.

Në vitin 2007 është bërë studimi i fizibilitetit për rehabilitimin e deponisë, kur është konstatuar se do të nevojiteshin mbi 20 milionë euro. Megjithatë, nga këndvështrimi i sotëm, kosto të tilla janë shumë më të larta, sepse studimi është bërë sipas çmimeve të atëhershme të tregut.


Deponia me krom gjashtëvalent në fshatin e Tetovës, Jegunovc, foto: Meta.mk
Jegunovci do të shpallet zonë e kontaminuar?

Ministria thotë se ndryshimet në Ligjin për mjedisin jetësor janë në procedurë parlamentare për miratim, që të mundësohet identifikimi formal i zonave të kontaminuara në territorin e RMV-së. Me këtë, futen dispozita të reja të cilat e rregullojnë trajtimin e ndonjë zone të kontaminuar. Pasi të identifikohet zyrtarisht, shpallet nga Qeveria, ndërsa për Jegunovcin do të përgatitej plan për menaxhimin e zonës së kontaminuar, që do të përfshinte edhe rehabilitimin e zonës.

Meta.mk ka tentuar të kontaktojë me Komunën e Jegunovcit dhe kryetarin e komunës Dime Kostadinovski. I pyetëm për aktivitetet konkrete që mund t’i ndërmerr vetëqeverisja lokale për të reduktuar rrezikun e ndotjes së ujit, tokës dhe ajrit në Jegunovc nga kromi gjashtëvalent dhe mbeturinat tjera, por edhe për problemet shëndetësore për të cilat ankohen banorët e Jegunovcit. si pasojë e deponi. Mirëpo nga pushteti komunal nuk morëm përgjigje.

Ndryshe, popullata vendase, së bashku me studimet e ekspertëve që i konsultuam, pajtohen që impianti për trajtimin e ujërave të zeza duhet të vihet në funksion të plotë sa më parë dhe ashtu të parandalohet shkarkimi i ujërave toksike nga deponia në lumin Vardar. Në të njëjtën kohë, në terma afatgjatë, masa më e mirë për banorët dhe mjedisin jetësor në përgjithësi është pastrimi i deponisë nga substancat e rrezikshme dhe largimi i të gjitha mbetjeve nga lokacioni.

Autorë: Sanja Naumovska, Bojan Blazhevski

Të fundit