25/04/2024
5.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Kryeministri bullgar Kiril Petkov u prit me nderime shtetërore në Shkup (VIDEO)

Kryeministri i Bullgarisë Kiril Petkov sot në mëngjes ka arritur në Shkup për vizitë zyrtare. Në Aeroportin e Shkupit e ka pritur ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ndërkaq më pas para Qeverisë është pritur me nderime shtetërore nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski. Pas pritjes, të dy kryeministrat do të mbajnë konferencë për shtyp në ora 11:45, njofton Portalb.mk.

Delegacioni bullgar përfshin ministren e Punëve të Jashtme, Teodora Gençovska, ministrin e Transportit dhe Lidhjeve Nikollaj Sibev dhe nënkryetarin e Asamblesë kombëtare Kristian Vigenin.

 

Delegacioni i Bullgarisë fillimisht do të zhvillojë takime me ekipin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, për të vazhduar me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeparlamentarin Talat Xhaferin.

Petkov do të takohet edhe me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Të fundit