Vazhdojmë ta dëshmojmë solidaritetin tonë në vepër përmes ndihmës që e sigurojmë për zonat e prekura në Turqi dhe Siri. Lajmi i mirë është se deri tani janë mbledhur mbi 960 mijë euro ndihmë për zonat e prekura, ndërsa qëllimi është të arrihet deri në një milion euro, theksoi kryeministri Dimitar Kovaçevski në ngjarjen e sotme në përkujtimin e 78 vjetorit të ekzistimit të Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila këtë vit i kushtohet humanizmit dhe solidaritetit mbi popullatën e vuajtur në Turqi dhe Siri.
Kryeministri theksoi se Qeveria ka ndarë rreth 100 mijë euro për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti, ku janë ngarkuar disa institucione për dërgimin e ekipeve dhe llojeve të tjera të ndihmës.
“Vitin e kaluar sollëm vendim për miratimin e mjeteve buxhetore në vlerë prej 243 mijë euro për Kryqin e Kuq si ndihmë financiare për veprim në situata emergjente. Në kuadër të ndihmës së përgjithshme këtë vit morëm vendim për financimin e programit vjetor të Kryqit të Kuq ku është paraparë një shumë prej mbi 130 mijë euro, si dhe mjete për sigurimin e shpenzimeve për aktivitete projektuese afër 98 mijë euro dhe mjete mbi 32 mijë euro për realizimin e projektit për fëmijët me rrezik social dhe fëmijët që përfitojnë pagesë të posaçme për pushimin veror për vitin 2023”, theksoi Kovaçevski.
Ai fjalimin e tij e përfundoi me mesazhin e lëvizjes së parë humanitare që formohet në Gjenevë të Zvicrës.
“Të parandalojmë dhe të lehtësojmë vuajtjet njerëzore, si dhe të mbrojmë shëndetin, të sigurojmë respektin dhe dinjitetin e qenies njerëzore, veçanërisht në kohë konfliktesh të armatosura, fatkeqësi dhe katastrofa dhe të punojmë në parandalimin e sëmundjeve, të inkurajojmë angazhim vullnetar dhe vazhdimisht të përgatitur për dhënien e ndihmës si ndjenjë universale solidariteti dhe humanizmi”, vlerësoi kryeministri.
Ambasadori turk në vend shprehu mirënjohje për popullin e Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se jemi mobilizuar menjëherë në këto ditë të vështira dhe të trishta të Turqisë.
“Të bashkuar në një zemër, institucionet publike, sektori joqeveritar, komuniteti i biznesit, institucionet arsimore, të rinjtë dhe të rriturit, të gjithë ndihmuan të prekurit nga rajonet e goditura. Nuk mund t’i kthejmë jetët e humbura, por do të punojmë me të gjitha forcat për të shëruar plagët e kësaj fatkeqësie natyrore. Do të rindërtojmë qytetet dhe shkollat e shkatërruara”, theksoi ambasadori.
Sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq, Sait Saiti theksoi se humanizmi nuk thuhet, por tregohet dhe dëshmohet, nuk improvizohet, por praktikohet me zemër. Qytetarët tanë, siç theksoi ai, kanë dëshmuar humanizëm në vepër në periudhën e kaluar dhe ngushëllim me popullatën në Turqi dhe Siri.
“Jeta shpesh është e mbushur me dhimbje, trishtim, pakënaqësi, vështirësi dhe na bën të mendojmë nëse ka ndonjë arsye dhe sa mund të jemi human dhe njerëzor, por mbetet për një moment të harrojmë veten dhe të mendojmë për të tjerët, vetëm atëherë do të zbuloni nevojën për të qenë i mirë. Shumë më afër natyrës njerëzore janë veprat e mira, jo të këqijat dhe prandaj nuk duhet të besojmë se jetojmë në një shoqëri johumane. Në periudhën e ardhshme ne vazhdojmë të punojmë për të siguruar një jetë më dinjitoze të atyre që kanë nevojë për mbështetje”, tha Saiti.