25/04/2024
7.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

KShPK demanton ministrin Osmani: Pretendimet për keqpërdorimin e makinave zyrtare janë të bazuara në raportin e Revizionit

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit i demanton publikisht pretendimet e ministrit të Punëve të Jashtme të RMV-së, të publikuara më 20.01.2023 në Tv Alasat, ku Osmani kishte thënë se në MPJ nuk ka një raport të tillë siç është komentuar në opinion, në të cilin ndonjë revizorë i brendshëm konstaton, përkundrazi, sipas tij, auditori i brendshëm thotë se në krahasim me të kaluarën ka rregull. “Nuk ka raport të tillë, ndoshta është keqinterpretim”, kishte thënë Osmani, transmeton Portalb.mk.

Ndërkohë sot nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit thonë se pretendimet e veta i bazojnë në Raportin Përfundimtar të nxjerrë nga revizioni i kryer i rregullsisë së shpenzimeve të deklaruara për automjetet zyrtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme nga data 01.08 deri më 31.10.2021 (në proces zgjedhor) me numër 58-13627/ 22-1 nga 29.04.2022, dorëzuar në KShPK më 03.05.2022.

Nga KShPK thonë se në Përmbledhjen ekzekutive për ministrin, renditen gjendjet që tregojnë se:

Nuk ka person kompetent të caktuar për mbajtjen e evidencës së automjeteve dhe pajisjeve dhe servisimin, regjistrimin dhe sigurimin e tyre;
Nuk mbahen shënime se cili person drejton cilin mjet zyrtar dhe as nuk bëhen urdhra udhëtimi me shënimin e të dhënave për kilometrat e kaluar;
Përdorues të caktuar të automjeteve zyrtare nuk kanë ofruar dhe dorëzuar dokumente kontabël të rregullta dhe të besueshme në departamentin e çështjeve financiare;
Nuk është krijuar asnjë sistem për të kontrolluar përdorimin dhe shfrytëzimin e karburantit të automjeteve zyrtare.
“Kjo është në kundërshtim me pretendimin e ministrit se nuk ka një raport të tillë nga “ndonjë” revizorë i brendshëm dhe se KShPK po i keqinterpreton pretendimet. Duke marrë parasysh pretendimet nga Raporti, Komisioni Shtetëror ka miratuar Vendimin përkatës nr. 12-.436/1 23.01.2023″, thuhet në demantin e KShPK-së.

Katica Nikollovska nga Anti Korrupsioni një javë më parë deklaroi se nga dokumentet e marra nga Revizioni i brendshëm në MPJ konstatohet se gjatë periudhës zgjedhore, MPJ ka pasur 15 automjete të saja dhe dy i ka marrë nga Agjencia e Zbulimit. Por për këto automjete ministria nuk mban asnjë evidencë për përdorimin e tyre pasi nuk ka pasur person të angazhuar i cili duhej të kujdeset për automjetet, mënyrën për përdorimin e tyre, gjendjen teknike dhe higjienën. Por se nuk mund të vërtetohet shpenzimi mesatar i një automjeti, se për cilat automjete sa lëndë djegëse është mbushur dhe harxhuar gjatë periudhës së kontrolluar. Mungojnë edhe evidenca të rregullt për kilometrat e kaluar të automjeteve si dhe leje për udhëtim me ta.

“Gjendjet e këtilla shërbimi për revizion të brendshëm pranë ministrisë i ka vlerësuar me rrezik të lart ligjor, respektivisht me rrezik të mos respektimit të akteve ligjore dhe nënligjore, respektivisht rrezik nga mosrespektimi i rregullativës ligjore në periudhën e kontrolluar, me rrezik të lartë financiar si dhe me rrezik të shpenzimit pa dedikuar të mjeteve buxhetore dhe me rrezik të lartë personal, respektivisht sjellje joetike dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Për tejkalimin e këtyre shërbimi për revizion të brendshëm ka dhënë katër reskomandime ndaj personave udhëheqës të ministrisë”, tha Katica Nikollovska, Anti korrupsioni.

Automjetet zyrtare i kanë drejtuar persona nga kabineti i ministrit, zv/ministrit, sekretari shtetëror dhe drejtori i drejtorisë për punë organizative. Kryetarja e Anti Korrupsionit, Biljana Ivanovska thotë se edhe më tragjik është fakti që Ministri Bujar Osmani gjatë zgjedhjeve në orar të punës ka udhëtuar dhe ka mbajtur aktivitete partiake.

“Ajo që shikohet në xhirim, do e komentoja, Ministri i Punëve të Jashtme jo që e përdor automjetin për aktivitete partiake, por edhe nga shtabi i partisë së tij jep deklaratë për punë shtetërore, që aspak nuk është në pajtueshmëri me kodeksin etike për anëtarët e qeverisë, sepse atje thuhet se derisa është në orar të punës, çdo bartës i funksioni publik, duhet ta kryej funksionin e tij, ndërsa aktivitetet zgjedhore duhet të kryhen pas përfundimit të orarit të punës. Që do të thotë se ky jo vetëm që e ka përdorur automjetin për të shkuar kudo që duhet, ai nga shtabi zgjedhor i partisë së tij jep deklaratë lidhur me funksionimin e shtetit”, tha Biljana Ivanovska, Kryetare Anti Korrupsion.

Nga Anti Korrupsioni thonë se përdorimi i veturave zyrtare gjatë zgjedhjeve është vërejtur edhe tek Ministri i Mjedisit jetësor. Megjithatë thonë se dokumentet tregojnë që për dallim nga Ministria e Punëve të Jashtme, ministria e Mjedisit jetësor i ka miratuar të gjitha aktet për përdorimin e automjeteve zyrtare. Nga anti korrupsioni do të kërkojnë nga zv/kryeministrja për Krijimin e politikave të mira, Sllavica Gërkovska, të ngre iniciativë për procedurë për përgjegjësi për Ministrin e Punëve të Jashtme dhe për Ministrin e Mjedisit Jetësor.

Mirëpo kundër pretendimeve të Komisionit Kundër Korrupsionit doli shefi i diplomacisë, Bujar Osmani.

“Në rastin tonë, në MPJ nuk ka një raport të tillë siç është komentuar në opinion, në të cilin një auditor i brendshëm konstaton, përkundrazi, auditori i brendshëm thotë se në krahasim me të kaluarën ka rregull. Nuk ka raport të tillë, ndoshta është keqinterpretim”, tha Osmani.

Të fundit