19/04/2024
8.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

KSHPK-ja e miraton planin vjetor për inspektimin e pronës, do të përfshihen kryetarët e komunave, gjykatës dhe funksionarë

Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit, në seancën e 45-të të sotme, e miratoi planin vjetor për kontroll të gjendjes së pronës dhe interesave për vitin e ardhshëm 2021, i cili do të zbatohet në tre tremujorët dhe do të përfshijë kryetarët e komunave, gjykatësit dhe funksionarët.

Kryetarja e KSHPK-së, Biljana Ivanovska, sqaroi se do të zhvillohen kritere objektive, të cilat do të përfshijnë të gjithë gjykatësit, kryetarët e komunave dhe funksionarët, për të cilët qytetarët kanë paraqitur ankesë, pas çka do të bëhet përzgjedhje dhe do të publikohet.

“Në tremujorin e parë, në pritje të zgjedhjeve lokale, do të përfshihen 15 kryetarë të komunave dhe kryetari i Qytetit të Shkupit. Ne nuk mund t’i mbulojmë të gjithë, kështu që ne do të bëjmë një përzgjedhje varësisht prej mjeteve me të cilat kanë disponuar”, deklaroi Ivanovska.

Në tremujorin e dytë, theksoi Ivanovska, do të përfshihen gjykatësit, duke përfshirë dy kryetarë të cilët nuk janë përfshirë vitin e kaluar, dhe në tremujorin e tretë, zyrtarë qeveritarë, gjë që është detyrimi ynë nga GREKO.

Në seancën e sotme, KSHPK-ja e shqyrtoi dhe miratoi programin vjetor të punës për vitin e ardhshëm 2021. Katica Nikollovska, duke elaboruar programin, tha se për të realizuar planin, nevojitet që Kuvendi të miratojë Strategjinë kombëtare për luftën kundër korrupsionit sa më shpejt të jetë e mundur.

“Në program janë përfshirë aktivitetet e të gjitha departamenteve dhe sektorëve në komision. Trajtimi i vazhdueshëm i raporteve, si dhe rritja e bashkëpunimit me organizatat joqeveritare dhe të gjitha institucionet. Pastaj, zbatimi i Ligjit për mbrojtjen e informatorëve dhe përforcimi i kapaciteteve të KSHPK-së”, tha Nikollovska.

Programi është i disponueshëm për opinionin dhe do të publikohet në faqen e internetit të KSHPK-së.

Në seancën e sotme, KSHPK-ja e shqyrtoi dhe miratoi Strategjinë për menaxhimin me rreziqe 2021-2023.

Në seancën e sotme, Komisioni gjithashtu miratoi planin vjetor për furnizim publik, ku qëllimet më të mëdha janë furnizimi i softuerit të ri dhe rikonstruksioni i hapësirave.

Të fundit