29/03/2024
14.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Kuvendi mund t’i kthehet normalitetit, deputetët do të kthehen në sallën “Maqedonia”

Kuvendi tashmë është i lirë t’i kthehet normalitetit. Ministri Venko Filipçe deklaroi se me marrjen e dozës së dytë nga deputetët dhe nëpunësit e ligjvënësit, në aspektin mjekësor, nuk ka më pengesa që ky institucion të vazhdojë normalisht punën. Vendimi, thotë ai, është i kreut të Kuvendit Talat Xhaferi.

Qëndrimi jonë është që me vaksinimin e të gjithë deputetëve, paralelisht vaksinohen edhe të gjithë të punësuarit në shërbimet profesionale. Aty ka një pjesë të shërbimit për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta që janë me rotacion dhe u morëm vesh që të mos rrotojnë por të mbesin me punë vetëm në Kuvend. Pas pranimit të dozës së dytë tashmë mund të kthehen në normalitet”, tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Por nga Kuvendi thonë se tani u nevojitet protokoll i ri pune në kushtet e reja. Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, në takimin e fundit joformal me gazetarët, kishte deklaruar se pak javë pas vaksinimit, gjegjësisht nga fundi i muajit maj dhe fillimi i muajit qershor, do të krijojnë protokoll të ri në bashkëpunim me Komisionin për Sëmundje Ngjitëse dhe kryetarin e tij Karaxhovskin dhe do të kthehen në sallën “Maqedonia”.

Deputetët nuk kanë hyrë që sallën “Maqedonia” që prej shkurtit të vitit 2020 kur u shpërnda përbërja e kaluar. Konstituimi i përbërjes së re në gusht u bë në kushte të jashtëzakonshme, me protokolle dhe në sallën e madhe. Aktualisht, nuk ka mundësi që gazetarët të ndjekin seancat plenare me prezencë fizike dhe kufizohet pjesëmarrja e tyre edhe në disa salla ku mbahen seancat e komisioneve. Nuk dihet akoma nëse protokollet e reja do ta lejojnë pjesëmarrjen fizike të mediave në punën e Kuvendit.

Fatlume Dervishi

Të fundit