19/04/2024
4.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Lazim Destani me mesazh për rininë shqiptare

Dje pata kënaqësinë të marr pjesë në Forumin e Bizneseve të Diasporës që i zhvilloi punimet në Prishtinë. Pjesëmarrja e më se 360 kompanive si dhe prezenca e Kryeministrit Albin Kurti dhe Kryetarëve të shumë komunave të vendit, drejtoreshës së misionit të USAID në Kosovë, organizatës Germin, përfaqësuesve të institucioneve dhe organizatave të ndryshme e bëjnë këtë Forum të jetë i nivelit të lartë si dhe shpresëdhënës për rezultate konkrete. Në kuadër të punimeve të Forumit u zhvilluan dhe shumë takime B2B ku bizneset nga diaspora dhe ato të huaja patën mundësinë të takohen me kompanitë nga Kosova për t’u njohur më shumë me veprimtaritë e tyre dhe për t’i parë mundësitë që produktet e Kosovës të eksportohen jashtë vendit.

Në vijim po jua sjell disa paragrafe nga fjala ime përshëndetëse në këtë Forum;

Është thënë shumë herë se roli i diasporës shqiptare për zhvillimin ekonomik të vendeve tona është kyç dhe i padiskutueshëm. Diaspora paraqet kapitalin më të madh jo vetëm ekonomik por edhe social e kulturor. Krahas aspektit të investimeve, vlerat e diasporës janë shumë-dimensionale, si nga aspekti i transferit të eksperiencave, dijeve, inovacioneve, kulturave e pse jo edhe të rrjeteve të bashkëpunimit me bizneset dhe kompanitë europiane nëpër vendet ku ne veprojmë dhe operojmë.

Sot nuk ka vepër më të madhe patriotike se sa rritja e eksportit dhe ekonomive tona. Ka akoma shumë hapësirë dhe potencial për përmirësim në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe mendoj se kompanitë e diasporës sonë në Europë e gjetiu janë urat më të fuqishme lidhëse të këtij zhvillimi.

Si në diasporë ashtu edhe në trojet tona ne kemi rini të mrekullueshme, të rinj e të reja, të shkolluar e të përgatitur profesionalisht që e duan punën dhe janë me plot ambicje për të arritur suksese në jetë. Kjo paraqet kënaqësi të madhe për të gjithë ne, dhe ne jemi ata që duhet ta krijojmë hapësirën e veprimit të tyre. Arritja e këtyre synimeve duhet të mbështetet edhe me politikat ekonomike të vendeve tona për lehtësimin e këtyre trendeve.

Të fundit