28/03/2024
11.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Liderët të kenë kujdes me fjalimet e ashpëra gjatë zgjedhjeve, të mos krijojnë urrejtje mes aktivistëve

Në të gjitha ciklet e deritanishme zgjedhore, është zhvilluar fushatë tejet agresive, me fjalor të ashpër, akuza e madje edhe ofendime ndaj kundërshtarit politik. Shumherë kemi pasur edhe thyerje shtabesh, apo djegie veturash të zyrtarëve partiak. Kjo ka acaruar edhe raportet mes përkrahësve të partive politike, por edhe raportet ndëretnike, pasi partitë politike për të fituar vota vazhdojnë të luajnë edhe në kartën etnike.

Njohësit e çështjeve politike shprehen se partitë gjatë fushatës për zgjedhjet e 12 prillit të bazohen në programet e tyre e jo në fyerje të kundërshtarëve politik.

Gazetari Naim Sinani për Zhurnal shprehet se një fushatë e tillë u shërben partive për të mbuluar dështimet si në planin e reformave, ashtu edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Një fushatë tradicionale ka filluar edhe për zgjedhjet e 12 prillit të vitit të ardhëshëm, edhe pse zyrtarisht ende është herët për të filluar fushata. Megjithatë ka kohë të mjaftueshme që për zgjedhjet e 12 prillit, partitë të merren vesh me nënshkrimin e një zotimi të përbashkët për zhvillimin e një fushate të bazuar në programe konkrete, që duhet të bazoheshin në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e standardit jetësorë të qytetarëve, një arsim dhe shëndetësi më cilësore, reformat në drejtësi dhe luftën kundër korrupcionit. Në të kundërtën do të na reprizohen fushatat e së kaluarës, por edhe dështimet e deritanishme të qeverive, për ta normalizuar shtetin dhe jetën e qytetarëve”, ka deklaruar për Zhurnal, gazetari Naim Sinani.

Gjatë cikleve të kaluara zgjedhore jo vetëm liderët partiak, por edhe strukturat tjera dhe militantët partiak me retorikëne tyre të ashpër dhe të pavend kanë krijuar armiqësi në mes aktivistëve partiak dhe tek masa e papërcaktuar, thotë analisti politik, Berat Azizi.

Ai vlerson se kjo deri më tani ka qenë mënyra më e mirë për të zgjuar votuesit dhe për ti nxitur ata që të dalin në votime.

“Partitë e kanë kuptuar shumë mirë se votuesi shqiptar në të shumtën e rasteve voton shkaku i “inatit” të këtij apo atij lideri e jo për shkak të platformës dhe programit zgjedhor. Pra partitë politike nuk kanë dalë para elektoratit me një vizion dhe platformë reale për të bindur votuesit që të votojnë për listën e tyre, por me akuza dhe retorike folklorike e cila ka zënë vend tek masa. Unë shpresoj se në këto zgjedhje partitë politike do të fokusohen në integrimet euro atlantike duke vënë theksin për integrimin në NATO dhe në anën tjetër duke akuzuar BE se nuk na dha datë për negociatat. Megjithatë edhe në këtë cikël zgjedhor nuk do të mungojë retorika dhe akuzat ndaj njëri tjetrit, por në këtë mes duhet të jetë aktivisti i cili nuk duhet të krijojë armiqësi me kundërshtarin politik por duhet të bëjë një garë të mbështetur mbi parimet dhe përcaktimet politike”, ka deklaruar ai.

Azizi apelon aktivistët pavarësisht interesave që kanë në partitë politike të mos krijojnë armiqësi, por të krijojnë konkurrencë dhe gara programore dhe politike.

“Tashmë jemi dëshmitar se liderët politik me gjithë kërcënimet dhe akuzat në adresë të njëri tjetrit në fund ulen në një tavolinë dhe bëjnë bashkimin, dhe kjo duhet të ndodh tek aktivistët dhe militantët partiak që të ulen në tavolinë edhe atë para zgjedhjeve sepse pas zgjedhjeve do të jetë e pamundur. Në radhë të parë elektorati duhet të kuptojë se çdo parti betejën e kanë për pushtet”, ka përfunduar për Zhurnal, analisti politik, Berat Azizi.

Të fundit