29/03/2024
9.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Ligji parashikon që shqipja të zbatohet edhe në Veles e Prilep

Ping-pong politik për zbatimin e dygjuhësisë në Maqeodninë e Veriut. Tabela po vendosen, hiqen dhe thyhen varësisht deklaratave të politikanëve të cilët tashmë kanë nisur fushatën zgjedhore. Dy ditë më parë krerët e dy partive më të mëdha maqedonase debatuan për tabelat dygjuhëshe.

Hristijan Mickoski: Në Gjevgjeli ka tabelë, atje nuk janë 20%.

Zoran Zaev: Po e kanë hequr…

Hristijan Mickoski: E po pse e kanë vendosur?

Zoran Zaev: Sepse dikush ka bërë gabim.

Hristijan Mickoski: Në Prilep a ka?

Zoran Zaev: Edhe ajo do të largohet, nuk janë 20%…

Hristijan Mickoski: Në Koçan sërish bëtë gabim?!

Zoran Zaev: Është hequr që ditën e parë kur është vendosur.

Hristijan Mickoski: Shumë gabime janë z.Zaev.

Zoran Zaev: Një pjesë e institucioneve ku drejtuesit janë shqiptarë janë bërë gabim…”

Të nesërmen, pas këtij debati pësoi tabela dygjuhëshe në Qendrën ndërkomunale për Punë Sociale në Prilep.

Zëvendëskryeministri Bujar Osmani thotë se Zaev e Micskoski e kanë gabim.

“TV21: Ju po thoni që në Prilep dhe Veles duhet të jenë edhe në gjuhën shqipe?

Bujar Osmani: Po, po…

“Në çdo njësi rajonale të institucioneve qendrore të cilët mbulojnë më së paku një komunë në të cilën gjuha shqipe është zyrtare edhe ai institucion është në dy gjuhë. Velesi e mbulon Çashkën, Prilepi e mbulon Dollnenin ose cilido institucion që mbulon më së paku një komunë ku gjuha shqipe është zyrtare, edhe në atë institucion gjuha shqipe është zyrtare”, theksoi Osmani.

Këto që thotë Osmani, parashihen në paragrafin 2 të nenit 7.

“Në zyrat rajonale të organeve të administratës shtetërore që mbulojnë së paku një njësi të vetëqeverisjes lokale në të cilën së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja, emrat e zyrave do të shkruhen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe alfabetin e saj”, thuhet në Ligjin për përdorimin e gjuhëve, neni 7, paragrafi 2.

Në bazë të kësaj, dygjuhësia duhet respektuar si në zyrat e administratës shtetërore në Veles po ashtu edhe në ato Prilep, sepse Çashka në Veles sipas të dhënave të 2002-shit ka 35,23% shqiptarë, kurse Dollneni në Prilep 26.7% shqiptarë.

Drejtori i Inspektoratit të Gjuhëve Fatmir Iseni thotë se do të bëjë mbikëqyrje për zbatim të ligjit, por për këtë do të duhet të pritet disa muaj sepse inspektorët ende s’janë gati.

“Inspektorët do të bëjnë mbikëqyrjen inspektuese prej datës së marrjes së licencave e cila është një periudhë ku ata duhet të jenë të licencuar në bazë të gjuhës, prej momentit të marrjes së licencave ata do të dalin në terren dhe do të bëjnë mbikëqyrje inspektuese të institucioneve shtetërore”, tha Iseni.

Këto ditë është raportuar edhe për mosrespektim të dygjuhësisë në Stacionin e Policisë e Aeroportit të Shkupit. I pyetur për këtë Osmani tha se ka përpjekje për interpretim se s’duhet të ketë gjuhë shqipe për shkak që aeroporti është në Petrovec, megjithatë këtë çështje zëvendëskryeministri ua la në dorë institucioneve për zbatimin e gjuhëve për të bërë interpretim të saktë të ligjit./TV21

Të fundit