18/04/2024
6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Liqeni i Ohrit do të ketë koncesioner, në rrjedhë është thirrja për zgjedhjen e kompanisë tregtare të peshkimit

Dy vite pasi Qeveria i hoqi koncesionin e peshkimit kompanisë “Letnica belvica”, Liqeni i Ohrit do të ketë një koncesionar të ri. Në rrjedhë është shpallur thirrje publike nga Komisioni për zbatimin e procedurave për dhënien e koncesioneve të peshkut për peshkim ekonomik në zonën e peshkimit të liqenit të Ohrit, e themeluar nga Qeveria në vitin 2022. Koncesioni do të jepet për një periudhë 6-vjeçare, ndërsa afati i fundit për dorëzimin e ofertave është deri në 20 këtë muaj, transmeton Portalb.mk.

Ambientalistët konsiderojnë se liqeni nuk duhet të lihet pa menaxhim, sepse po rritet vjedhja e peshkut, kurse rezervat e peshkut po pakësohen, veçanërisht trofta endemike e Ohrit.

“Liqeni i Ohrit, si në dekadat e kaluara, është i pasuruar artificialisht, por fatkeqësisht nuk ka asnjë koncesioner në vitet e fundit. Popullata e troftës së Ohrit duhet të monitorohet, por fatkeqësisht nuk bëhet. Mirëpo jozyrtarisht ajo po përballet me zhdukje. Duhet urgjentisht të lidhet një marrëveshje”, thotë ambientalisti Gjoko Zoroski.

Sipas tij, për të ruajtur troftën si specie më e rëndësishme, duhet të vendoset bashkëpunim edhe me palën shqiptare, ku shpesh herë peshkohet në mënyrë të pakontrolluar.

Ambientalistët theksojnë se edhe në kushtet kur Liqeni ka koncesioner, mbikëqyrja është e nevojshme për të kontrolluar punën e tij.

“Ndonjëherë dhe kur ka koncesioner, pyetja është se kush do ta kontrollojë atë. Ndoshta një zgjidhje e përkohshme do të ishte vendosja e video-mbikëqyrjes në vende të caktuara në liqen, ku do të monitorohej fizikisht dhe live se kush hyn dhe çfarë ndodh në zonën e liqenit. Kështu do të kishim një pasqyrë të vërtetë nëse ka gjuetarë pa leje dhe kush peshkon ilegalisht”, thotë Zoroski.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave në programin vjetor parasheh mjete për grumbullimin e troftës së Ohrit, por problemi është se nuk mund të gjendet model për ta bërë këtë pa koncesioner.

Pas vetëm disa muajsh menaxhim të fondit të peshkut në Liqenin e Ohrit, në vitin 2020 shteti i hoqi koncesionin kompanisë strugane “Letnica Belvica”. Neglizhenca e fondit të peshkut është vetëm një nga arsyet e një vendimi të tillë të Qeverisë. Një vit më parë, koncesionarit paraprak “Trota 2012” iu hoq licenca për mospërmbushje të disa detyrimeve ligjore.

Liqeni i Ohrit është një thesar natyror i përbashkët i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me një rëndësi të madhe globale. Ndër vite Rajoni i Ohrit, po përballet me një numër të madh problemesh. Pakujdesia e qytetarëve dhe neglizhenca e autoriteteve ka sjellë paralajmërime që ky rajon të hiqet nga lista e pasurive botërore të mbrojtura natyrore dhe kulturore të UNESCO-s. Në vitin 2021 UNESCO kërkoi nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria që deri më 1 shkurt 2023 t’i paraqesin Qendrës së Trashëgimisë Botërore një raport të përbashkët të përditësuar mbi gjendjen e ruajtjes së zonës së mbrojtur. Raporti në fjalë duhet të konfirmojë rrezikun e mundshëm për listimin e Liqenit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Të fundit