29/03/2024
14.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Lloga-Mallenica në Shibenik: Kroacia me përvojat dhe idetë e saj do të ndihmojë procesin eurointegrues dhe reformat në vendin tonë

Fuqizimi i bashkëpunimit bilateral ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kroacisë në fushën e gjyqësorit si dhe ngritja e kapaciteteve për zhvillimin e negociatave në pjesën e Kapitullit 23:  “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” kanë qenë temat kryesore për të cilat biseduan në Shibenik, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga dhe ministri i Drejtësisë dhe Administratës i Kroacisë, Ivan Mallenica.

Gjatë takimit, informojnë nga Ministria e Drejtësisë, janë shkëmbyer mendime dhe ide lidhur me çështje të ndryshme nëpërmjet të cilave vendi ynë mund të përfitojë përvoja praktike dhe të dobishme nga Kroacia, të cilat janë të rëndësishme për procesin eurointegrues.

Poashtu është biseduar për procesin e vetingut, si dhe për organizim të punëtorive të përbashkëta në të cilat do të shkëmbehen mendime dhe ide për zgjidhjen më të mirë. Një nga temat e bisedës ishte edhe procesi i digjitalizimit, i cili në Kroaci shënon një përparim të madh dhe është duke dhënë rezultate shumë të mëdha.

Ministri Lloga e ftoi ministrin Mallenica në një vizitë zyrtare në Shkup. Ftesa ishte e pranuar me kënaqësi nga ana e ministrit kroat, i cili shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të na ndihmuar në të gjitha proceset reformuese dhe eurointegruese. Ata u morën vesh që të nënshkruhet edhe Memorandum për bashkëpunim ndërmjet dy ministrive.

Në takimin bilateral që u zhvillua në kuadër të Samitit të Evropës Juglindore për krimin kibernetik në Shibenik, u diskutua edhe për përvojën e Kroacisë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për zbatimin e marrëveshjeve bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe agjendën legjislative.

Samiti u organizua nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe Administratës Publike të Republikës së Kroacisë dhe Ministrisë së Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në të morën pjesë përfaqësues të lartë të vendeve të Evropës Juglindore dhe SHBA-së.

Të fundit